Një letër e hapur drejtuar Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, është dërguar nga kryetarja e bashkisë së San Severos, Lidya Colangelo, për të kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Jashtme dhe aktivizimin e të gjitha kanaleve institucionale për lirimin dhe kthimin në Itali të Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor i biologjisë në Universitetin e L’Aquilës, me origjinë nga San Severo.
‘Në cilësinë e kryetares së bashkisë së San Severos, po ju shkruaj për të shprehur gjithë shqetësimin tim lidhur me një çështje që ka prekur profesorin Michele D’Angelo, 44 vjeç, me profesion biolog dhe pedagog në Universitetin e L’Aquilës, me origjinë nga qyteti ynë, – shkruhet në letër.- Sipas të dhënave të marra nga familjarët dhe kronikat mediatike, më 8 gusht të kaluar, D’Angelo, duke drejtuar një automjet tip Lancia Ypsilon së bashku me partneren e tij, gjithashtu pedagoge universitare, është përfshirë në një aksident automobilistik në afërsi të qytetit Fier, në Shqipëri.
Automjeti i tyre është përplasur me një makinë të drejtuar nga një shtetas shqiptar që, sipas dëshmive dhe pamjeve filmike, po udhëtonte me shpejtësi të lartë, ndërsa mjeti i profesor D’Angelo lëvizte me rreth 40 km/h në momentin e përplasjes’.
Sipas letrës, profesori, i tronditur nga aksidenti, kishte dalë nga makina dhe ishte larguar nga vendngjarja, veprim që dyshohet të ketë ngritur dyshime te autoritetet lokale.
‘Të nesërmen, policia ka shkuar në hotelin ku po qëndronin dhe e ka shoqëruar fillimisht në komisariat dhe më pas në burg. Që nga ajo kohë, edhe pse nuk ka pasur pasoja të rënda nga aksidenti, profesori ndodhet ende në paraburgim pa ndonjë zhvillim të rëndësishëm në çështjen e tij’.
Në përfundim të letrës, kryebashkiakja thekson se ‘e gjithë komuniteti i San Severos është thellësisht i shqetësuar dhe beson në ndërhyrjen tuaj të shpejtë dhe vendimtare që e vërteta të dalë në dritë, falë diplomacisë, përballë çdo padrejtësie apo trajtimi të njëanshëm e të padenjë në emër të drejtësisë’.
Ndërkohë, Vanessa Castelli, bashkëshortja dhe kolegia universitare e profesor Michele D’Angelo, ka sqaruar në një deklaratë për mediat italiane se pas aksidentit, ‘ne jemi paraqitur vullnetarisht në komisariat për të dhënë dëshminë tonë, të vetëdijshëm se nuk kishim asgjë për të fshehur. Askush nuk është marrë nga hoteli’, duke hedhur poshtë kështu versionin se D’Angelo është ndaluar në mënyrë të papritur nga autoritetet.
Çështja ka shkaktuar një valë reagimesh dhe shqetësimesh në Itali, ku kërkohet një zgjidhje diplomatike për lirimin e pedagogut italian.
