Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se vendi i tij do të marrë dy sisteme të reja antiajrore Patriot gjatë vjeshtës, ndërsa ka zbuluar gjithashtu se Ukraina ka pranuar tashmë një sistem të tillë nga Izraeli, i cili ndodhet në përdorim aktiv.
Në të njëjtën kohë, Zelensky bëri të ditur se forcat ukrainase kanë rrëzuar 92 dronë që po i drejtoheshin Polonisë, duke shmangur kështu një tjetër provokim të mundshëm nga Rusia në kufijtë e NATO-s.
Gjatë kësaj jave, presidenti ukrainas vizitoi Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe zhvilloi një takim me presidentin amerikan, Donald Trump. Sipas tij, të dy ndanë një “vizion konkret” për përgjigjen ndaj veprimeve ruse, ndërsa Zelensky theksoi se Ukraina do të kundërpërgjigjet nëse Moska tenton të shkaktojë një blackout energjetik në vend.
Në fushën e energjisë, ai paralajmëroi se Ukraina do të propozojë rrugë alternative për furnizimin me energji të Sllovakisë, gjatë një takimi qeveritar që pritet të mbahet në tetor.
Po ashtu, Zelensky njoftoi se kanë nisur diskutimet fillestare për një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Ukrainës dhe SHBA-së, ndërsa një delegacion ukrainas pritet të vizitojë Uashingtonin gjatë shtatorit dhe tetorit për bisedime që do të përfshijnë si ekonominë, ashtu edhe çështjet e furnizimit me armë.
Ndërkohë, presidenti ukrainas nuk e përjashtoi mundësinë që SHBA të tërhiqet nga bisedimet me Rusinë në të ardhmen, ndonëse theksoi se një gjë e tillë nuk është në plan aktualisht. Panorama