Në zemër të Tepelenës, në sheshin “Lord Bajron”, është përuruar sot shtatorja e poetit dhe kineastit të madh shqiptar, Petrit Ruka. Figura e tij do të qëndrojë tashmë mes qytetit ku lindi dhe u rrit, si një kujtesë e përhershme për kontributin që ai i dha kulturës shqiptare. Në këtë ceremoni të organizuar nga Bashkia Tepelenë në bashkëpunim me nismën “Djemtë e Tepelenës”, morën pjesë familjarë, miq, njerëz të letrave, përfaqësues të pushtetit lokal dhe banorë të qytetit.
Të pranishmit theksuan kontributin e madh që Ruka dha për kulturën shqiptare, duke e përshkruar si një poet që i dha frymë dhe zë vendlindjes së tij dhe një kineast që solli në ekran historitë dhe emocionet e njerëzve të thjeshtë.
Petrit Ruka u nda nga jeta në korrik të vitit 2021, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Përmes veprës së tij, ai i bëri Tepelenën dhe Shqipërinë më të njohura, duke sjellë në ekran dhe në poezi historitë dhe ndjesitë e njerëzve të thjeshtë. Shtatorja, e realizuar me një fond prej 35 milionë lekësh të vjetër, ishte nismë e dy të rinjve tepelenas dhe u mbështet nga shumë banorë e dashamirës të qytetit. Ajo do të qëndrojë aty si një simbol mirënjohjeje dhe respekti për birin e shquar të Tepelenës. bw