Alfapress.al ka publikuar një video, e cila kompromenton jo vetëm Edi Ramën dhe mazhorancën e tij të lidhur me fije të shumta me botën e krimit, por edhe opozitën e cila vazhdimisht ka bërë denoncime kundër kryeministrit.
Në pamje shihet Olsi Rama, deputeti i PD-së, Arjan Ndoja dhe eksponentë të botës së krimit si Aleksandër Laho i njohur me nofkën “Rumi i Shijakut” dhe Troplinët të cilët tashmë janë goditur nga SPAK dhe Antimafia italiane si një organizatë e madhe kriminale. Sic shihet ata janë në një ambient privat duke darkuar së bashku.
Kujtojmë se Arjan Ndoja është ish-prokurori i Durrësit që iu bë atentat dhe i lidhur me personazhe të botës së krimit.
E pavarësisht kësaj, Partia Demokratike e futi në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës në zgjedhjet e 11 majit. Jo më larg se sot Berisha denoncoi nga selia blu sërish Troplinët për lidhje me pushtetin e Edi Ramës. Por në një tavolinë me ta shihet që ka qenë edhe deputeti i PD-së dhe vëllai i kryeministrit.
Nëse për oborrin e Edi Ramës s’ka pasur dyshime për lidhjet me botën e krimit, tani jemi edhe para një fakti kur një deputet i opozitës është po në tavolinë me krimin. Pyetja që shtrohet është kjo; a do ta përjashtojë PD nga grupi parlamentar, Arjan Ndojin?
©LAPSI.al
Syri.net
Deputeti Arjan Ndoja ka reaguar pas publikimit në portale të një videoje ku ai shihet duke drekuar me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, dhe një grup personash të tjerë. Pamjet kanë ngjallur diskutime dhe aludime, por Ndoja, në një deklaratë publike, ka sqaruar se dreka në fjalë nuk është e ditëve të fundit, por i përket katër viteve më parë.
Në reagimin e tij, Ndoja thekson se nuk ka qenë ai organizatori i takimit, por një i ftuar në një drekë të mbajtur më 16 nëntor 2021 në fshatin Bushtricë të Kukësit, të organizuar nga shtetasit Bilbil dhe Hajredin Kastrati.
Ai shprehet se nuk kishte arsye të refuzonte ftesën dhe se për të, respektimi i mikpritjes është pjesë e edukatës dhe traditës shqiptare. Deputeti publikon edhe listën e personave të pranishëm, duke nënvizuar se personi që në video është prezantuar si Ervis Doci, në fakt është Ardit Raines.
Reagimi i plotë i Arjan Ndojës
“Të nderuar ndjekës dhe miq!
Marr shkas nga publikimi i një lajmi dhe një video sot, në portalin ‘Alfapress’ ku shfaqem unë dhe shtetasi Olsi Rama, së bashku me persona të tjerë duke drekuar.
Në lidhje me sa më sipër, ju bëj me dije sa më poshtë:
Dreka është organizuar rreth katër vite më parë, më datë: 16.11.2021, nga shtetasit Bilbil dhe Hajredin Kastrati. Dreka është bërë në fshatin Bushtricë të Kukësit.
Unë kam qenë i ftuar dhe jo organizatori, por nuk kam pas arsye që të braktisja drekën e organizuar nga personat e lartpërmendur, dhe as të mbaja qëndrim ndaj askujt, përderisa isha i ftuar. Ky qëndrim është pjesë e edukatës time familjare dhe prejardhjes, dhe një zakon i mirë i shqiptarëve që i ruajnë akoma si vlera, mikpritjen dhe nderin.
Prezent kanë qenë këta persona: Bilbil Kastrati, Hajredin Kastrati, Luftar Kastrati, Dashamir Guza, Azem Celmani, Adnan Suknikaj, Luan Zeka, Ahmet Cani, Mondi Voga, Lumir Soja, Ardit Toska, Bledar Kakuli, Përparim Bulica, Astrit Ternova, Nardi Xhamaxhi, Astrit Matmuja, Ardit Raines, tre rapsodë të Kukësit dhe Olsi Rama.
Personi që në video është vendosur me rreth si shtetasi Ervis Doci, është Ardit Raines.
Me respekt,
Arian Ndoja”