Parisi,
I vetmi kryeqytet,
Që më është shfaqur në ëndërr,
Duhet të jesh patjetër nga Lindja,
Që pas Parisit të jesh paksa i çmendur.
.
Parisi i Harkut të Triumfit,
Luvrit,
Kullës Ejfel,
Të krijon idenë se s’pranon
Njerëz dokudo, pa klas,
Jo rastësisht u zgjodh Parisi
T’i bëhej Esat Pashës atentat.
.
Parisi,
Që çoi në gijotinë mbretër dhe Robespjerë,
Mbreti Zog e zgjedh për kapriço Francën,
Jo se aty e kish kokën më të sigurt se në atdhe,
Por s’mund të rrinte gjatë në Egjipt,
Kur vendi i piramidave e kish mbretin Faruk,
Në Anglinë e mbretërve i dukej vetja i tepërt,
Në Francë i shijonte më shumë kurora
Që Viktor Emanueli tentoi për t’ia vjedhur.
.
Enveri u nis nga Parisi
Dhe përfundoi në Moskë,
Kadare nga Moska në Paris,
Sikurse u kryqëzua rruga e metodës
Me atë të letërsisë.
.
S’më ka ndodhur
Që ëndrrat t’i plotësoj në kohë,
Edhe pse veten nuk e mbaj për të vonuar,
S’më solli halli tek ti Paris,
Por thjesht një dëshirë e vjetër
Për të salutuar.
.
Fatbardh Amursi