Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u mbush të enjten me emra të njohur të botës letrare e akademike, në promovimin e librit më të ri të shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, me titull “Udhëtimi në kohë”.
Ngjarja, përveç që nderoi krijimtarinë e Buxhovit, solli edhe një reflektim mbi lidhjen mes letërsisë, historisë dhe kujtesës kulturore, duke e shënuar kështu një ditë të veçantë në kalendarin kulturor të kryeqytetit.
Takimin e hapi drejtoresha e bibliotekës, poetja, Naime Beqiraj. Ajo theksoi se promovimi përkon me 18 shtatorin – Ditën Botërore të Monumenteve dhe Arkeologjisë, duke e krahasuar veprën e Buxhovit me një monument të mbushur me histori dhe të dhëna arkeologjike.
Nga ana tjetër, shkrimtari dhe editori Nazmi Rrahmani, përfaqësues i shtëpisë botuese “Faik Konica”, theksoi se romani është i ngjizur fort me historinë dhe kujtesën kolektive të popullit tonë. “Romani nis me kohën e kryqëzatave dhe pushtimin e viseve tona, duke ngjallur interesim të veçantë te lexuesit dhe studiuesit e letërsisë,” tha ai.
Ndërsa Begzad Baliu, recenzent u shpreh se romani “Udhëtimi në kohë” është vepër letrare e përbërë nga tri pjesë, të cilat mund të lexohen si tre kapituj (e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e Artan Rrashtës), si tri kohë (mesjeta, koha e re dhe e sotmja), si tri histori të ndërlidhura njëra me tjetrën, madje si tri jetë të narratorit: për të vazhduar me tri situata, tri ese, tri rrëfime në vetën e parë, në vetën e dytë dhe në vetën e tretë; tri novela që bëjnë një roman; apo një histori, një narratologji dhe një dramë; dhe më tej, një histori tragjike, një tragjedi dhe një tragjikomedi; për të mos thënë një dramë historike, një histori tragjike dhe një satirë, për të qenë më i saktë: një tekst dramaturgjik i përbërë nga tri akte. Prej aktit të parë: tragjedisë; prej aktit të dytë: dramës dhe prej aktit të tretë: satirës.
“Jusuf Buxhovi është historian i specializuar me ndikim ndërkombëtar dhe shumë lexues veprat e tij historike, publicistike dhe letrare i perceptojnë para se gjithash si tekste historike. Jusuf Buxhovi është publicist dhe intelektual, një zë i përmasave europiane, prandaj vepra e tij perceptohet jo pak edhe si zë i kohës në rrjedhat shqiptare të proveniencës europiane. Sot këta lexues Jusuf Buxhovi i ka më të shumtë dhe këta dy përbërës dominojnë në amzën e lexuesve të tij, por në këtë vepër është rasti që të parët, të dytët dhe të tretët të bashkohen”, ka theksuar mes tjerash Baliu.
Shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, theksoi se nuk është autori ai që duhet të flasë për veprën, por lexuesi. Ai e përshkroi romanin e tij të ri si një çlirim dhe një udhëtim të brendshëm në vetmi.
Në këtë kontekst, Buxhovi solli në kujtesë një mendim të Platonit, i cili që para 3000 vitesh kishte thënë se poetëve duhet t’u ndalohet të merren me politikë, sepse ata janë tepër të sinqertë.
Duke u ndalur në thelbin e dijes, ai nënvizoi se “gjaku i dijes është dituria dhe shkenca”, ndërsa citoi edhe një fjali të librit: “me vra ose me u vra”, duke theksuar se nuk duhet të lejojmë që të na vrasë mosdija dhe injoranca.
Libri “Udhëtimi në Kohë” është botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”



