Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00 mbledhjen e parë të Legjislaturës XI, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës.
Në seancën e parë pritet të ngrihet komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve. 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse.
Megjithëse me moshën më të madhe, doktor Sali Berisha nuk do ta drejtojë seancën konstituive, pas një refuzimi. Një tjetër mjek do ulet në krye Parlamentit për pak orë në të drejtuarin seancën dhe betimit.
Ai është mjeku Vasil Lajo, një prurje e re në grupit parlamentar socialist. 67-vjeçari e pranoi këtë rol të përkohshëm, pasi dy deputetët më të moshuar se ai, Sali Berisha dhe Tritan Shehu të Partisë Demokratike refuzuan ta bëjnë këtë. Në Kuvend kanë nisur përgatitjet për seancën inauguruese të ditës së premte. 140 deputetët e legjislaturës së 11 do të hyjnë në Parlament paradite, teksa i mirëpresin rojet ceremoniale dhe himni kombëtar. Deputeti Llajo do të çelë seancën konstituuese dhe do të ngrihet një komision për verifikimin e mandateve.
Ai do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite. Në pjesën e dytë të seancës plenare, drejtuesi Llajo do të thërrasë një nga një emrat e 140 deputetëve për t’u betuar. Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili gjithsesi do të jetë mësuar një ditë më parë, kur kryesocialisti Edi Rama ta shpallë në mbledhjen e partisë. Kuvendi do të organizojë një votim të fshehtë me fletë votimi letre dhe kuti, ku votat do të numërohen një nga një.
Komisioni do të shpallë kryetarin e zgjedhur të Kuvendit dhe në këtë moment, Llajo do t’i lirojë vendin drejtuesit të vërtetë të Parlamentit, i cili do të mbajë fjalën zyrtare. Në të gjitha këto pjesë të seancës plenare të së premtes nuk lejohet debat me opozitën. Në një seancë tjetër, që parashikohet të jetë të hënën, Kryeministri Edi Rama do t’i parashtrojë Kuvendit qeverinë e tij dhe programin qeverisës. Vetëm pasi parlamenti të votëbesojë kabinetin, ministrat e qeverisë “Rama 4” do të shkojnë për dekretim dhe betim tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali theksoi dje se Kuvendi është gati për të mirëpritur 140 deputetët e Legjislaturës XI. Spiropali ndau një video me disa detaje nga Kuvendi që pritet të nisë më 12 shtator. “Një kapitull i ri veprimtarisë parlamentare do të nisë me Legjislaturën e 11-të të Kuvendit, ku 140 deputetë të zgjedhur nga qytetarët do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për përgjegjësitë përfaqësuese dhe ligjvënëse, thuhet në video. Prioritet kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rezultatet e 11 majit prodhuan 83 mandate për Partinë Socialiste, 50 mandate për Partinë Demokratike, 3 mandate Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia, 1 mandat Shqipëria Bëhet dhe 1 mandat Lëvizja Bashkë.
Nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, 72 ulen për herë të parë në karrigen e parlamentit.
Përfaqësimi në Kuvend gjatë kësaj legjislature pasqyron diversitetin e shoqërisë shqiptare.
Mosha mesatare e deputetëve është 47,5 vjeç, duke kombinuar përvojën me energjinë e re. 35% e deputetëve janë gra.
Të zgjedhurit vijnë nga profesione të ndryshme: 32 nga drejtësia, 31 nga ekonomia dhe të tjerë u përkasin fushave si mjekësia, shkencat natyrore, sociale, politike, po ashtu edhe nga inxhinieria, arti e sipërmarrja. 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i shkencave” dhe 5 deputetë mbajnë titullin “Profesor”.
Për një fillim sa më efikas të sesionit të ri, administrata e Kuvendit ka përgatitur materiale orientuese dhe sesione informuese. Zyra pritëse e deputetëve ofron asistencë për njohjen e institucionit dhe detyrave të parlamentarit.