Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha njoftoi gjatë fjalës së tij para Kryesisë së partisë ditën e sotme, se ndërkombëtarët do të nisin në pak muaj një Komision Hetimor për Shqipërinë, duke përfshirë edhe farsën elektorale të 11 majit, por edhe për situatën e krimit, korrupsionit dhe skandaleve të tjera.
“I falënderoj ndërkombëtarët për rezolutën e votuar. Vetëm një orë pas raportit ndërkombëtar qeveria nisi presionet. Ministri i Jashtëm me akt paturpësia flagrant i shkruan letër vëzhguesve, Edi Rama tentoi gjithashtu me vëzhguesit, por nuk ia doli. Përpjekjet tona në KE, KiE, OSBE, në sintoni me raportin e ndërkombëtarëve, u vlerëuan dhe sot janë disa institucione që do të nisin në muajt që vijnë edhe Komisionet Hetimore në Shqipëri (Finding Mission). Një punë e rëndësishme është bërë, por që duhet të thellohet. Por, tani secili nga ne ka në dorë dokumente ndërkombëtare. Në Komisionin e Këshillit të Evropës asnjë nga të dërguarat e Ramës nuk e çelën gojën, çfarë të thoshin, demokratë e socialistë dënuan qëndrimin ndaj mediave”, tha ai.
Ndërsa foli edhe për punën që bëri grupi i ngritur i PD-së për të grumbulluar provat e manipulimeve të zgjedhjeve të 11 majit, ai kujtoi numrin e madh të videove të zbuluara, apo edhe rastin e zhdukjes së 350 kutive të votimit para ditës së zgjedhjeve.
“U angazhuam për të mbledhur të gjithë dokumentacionin zyrtar për të denoncuar të gjitha aspektet e kësaj farse elektorale. Ky ishte detyrimi më madhor i joni, detyrimi ndaj demokratëve dhe shqiptarëve që besojnë se vota e lirë duhet të jetë procesi i tyre. Ishte detyrim edhe ndaj atyre miqve në rajon dhe botë, që vlerësuan denoncimin e këtyre zgjedhjeve. I denoncuam edhe me prova, me video, një gjë e veçantë analiza e videove, edhe pse Policia Politike e qeverisë veproi. Nuk u la përpjekje pa u bërë që të kontrollohen qytetarët dhe vota e tyre, ku pati votime edhe nga 2-3 herë. S’kishte ndodhur ndonjëherë, por u dokumentua fal punës tonë. Grupi i punës ka bërë një punë shumë të mirë”, u shpreh Berisha.
Dhe më pas tregoi rastin e zhdukjes së kutive:
“Janë ndërruar kuti votimi, u zhdukën 350 kuti votimi më 14 prill pa asnjë dokument. Dhe të gjitha këto shkuan në pallatin e Pilo Kerrit, famozit Pilo Kerri, që u ndoqën nga qytetari kurajoz. U gjetën kuti të firmosura vetëm nga komisionerë socialistë, të ndërruara, me diskordanca, të ardhura nga diaspora me rezultate 93% për Partinë e Punës. Deri në forma të tilla groteske shkoi manipulimi. Faktet janë aq të zeza, sa nuk mund të mbulohen me asgjë”.
Berisha nuk la pa denoncuar edhe grupet kriminale apo kartelet e drogës, për të cilat tha se i kanë denoncuar me fakte në Strasburg, Bruksel dhe më gjerë, ku ndërkombëtarët tashmë janë të informuar. Berisha vlerësoi edhe qëndrimin nga SHBA-të së fundmi, që mbështet gjetjet e PD-së.
“Një analizë që nuk mund ta bësh të plotë me kartelet e drogës, se ato i njeh qeveria, por ne i kemi mbledhur veprimtaritë e tyre dhe i kemi denoncuar dhe do i denoncojmë. Nuk janë emrat e zinj të një lagje në Elbasan, por janë emra të zinj në Strasburg, në BE dhe në të gjithë rajonin e botën. Qëndrim i drejtë dhe e falënderoj atë të SHBA-ve dhe Departamentit të Shtetit për qëndrimin e mbajtur”, tha kreu i selisë blu, duke falënderuar edhe grupin e punës për mbledhjen e fakteve dhe denoncimet. gsh