Një zyrtar i paidentifikuar i aleancës ushtarake perëndimore i tha agjencisë Fena se NATO mbështet fuqimisht zgjatjen e mandatit të misionit të forcave të BE-së (EUFOR) në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të atij vendi, raporton portali i Sarajevës Raport.
“Ne mbështesim fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës. Çdo kërcënim për shkëputje është destabilizues dhe i rrezikshëm. Ne mbështesim Bosnjen dhe institucionet e saj shtetërore dhe nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum sigurie”, tha një zyrtar nga selia e NATO-s në Bruksel.
Dodik kohët e fundit u tha mediave ruse se së shpejti do të shkojë në Moskë dhe do të kërkojë që Rusia të vërë veton ndaj zgjatjes së mandatit të misionit EUFOR në Bosnje dhe Hercegovinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai tha gjithashtu atëherë se do të kërkonte mbështetjen ruse për referendumin mbi pavarësinë e Republika Srpska.
Zyrtari i NATO-s tha gjithashtu se siguria e Bosnjes është e rëndësishme për rajonin, por edhe për Evropën dhe Aleancën Perëndimore, e cila, sipas tij, “mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit me BiH dhe thellimit të dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik me vendin”.
“NATO gjithashtu mbështet përpjekjet për reforma për ta bërë Bosnje dhe Hercegovinën më të sigurtë, duke përfshirë aktivitetet brenda Paketës së Ndihmës për Ndërtimin e Kapaciteteve të Mbrojtjes të NATO-s. Kjo forcon aftësitë e tyre në fusha të tilla si menaxhimi i krizave, siguria kibernetike, antiterrorizmi dhe përmirësimi i ndërveprimit të Forcave të Armatosura të Bosnjes me NATO-n”, shtoi ai. bw