Tiranë, më 29.08.2025
Bashkëkryetari i “Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar” Ekrem Spahiu ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ndër të tjera ka theksuar: “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh mendimin e saj se, me gjeopolitiken e trazuar në rajon e më gjërë, do të ishte mirë që sa më shpejt të votohet edhe Qeveria e re e Kosovës, me bazë të një koalicioni sa më të gjerë, për të përballuar së bashku të gjithë sfidat e reja por edhe për të shpejtuar proceset zhvillimore dhe integruese të Kosoves në dobi të qytetarëve dhe në perputhje me aspiratat euroatlantike të vendit.
Deklarata e plotë për mediat
Po lejmë pas një stinë shumë të nxehte nga temperaturat e veres dhe të politikes dhe gjasat janë që në shtator “zjarret” të zhvendosen nga pyjet te politika.
Gjatë këtyre 3-4 ditëve të fundit kemi dy zhvillime pozitive që lidhen me zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri dhe zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Tiranë, më në fund, pas më shumë se 3 muaj e gjysëm (109 ditë) nëpërmjet Komisionit Rregullator, ka çertifikuar dje rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Tashmë është e ditur se, këto zgjedhje janë kontestuar nga i gjithë faktori opozitar dhe nuk i njohin ato, ndërkohë që vezhguesit e OSBE/ODIHR-it kanë shprehur në Raportin paraprak problematika të mëdha për zgjedhjet.
Të gjithë, me sy e veshë janë te Partia Demokratike si partia kryesore e opozites, duke pritur se çfar do të bëje në shtator e në vazhdim!!??
Përballë këtij realiteti politik por edhe për zgjedhjet e pjesëshme në Bashkinë e Tiranës dhe në tre të tjera, “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” rikonfirmon qëndrimin e saj se është domosdoshmëri kombëtare bashkëpunimi politik në një front të përbashkët i të gjithë faktorëve dhe aktorëve opozitarë, duke përdorur të gjitha mjetet dhe mënyrat demokratike, për të rikthyer besimin e shqiptarëve te demokracia dhe fitorja nëpërmjet votës së lirë.
Mendojmë se aksioni radikal opozitar duhet të jetë, krijimi i një qeverie kalimtare me mandat të kufizuar për të realizuar:
⦁ Ndryshimet kushtetuese
⦁ Rishikimin e reformës territoriale
⦁ Reformën zgjedhore
⦁ Zgjedhjet e parakohshme
***
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, çështjen kombëtare e ka në ADN e programit të saj dhe në këtë kontekst i ndjekim me shumë vemëndje zhvillimet në Kosovë.
Deputetët e Kosoves, dalë nga zgjedhjet e 9 shkurt 2025 pas një procedure të zgjatur, në përpjekjen e 58-të të tyre, më 26 gusht votuan kryetarin e Kuvendit të Kosoves. Me këtë rast “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” i uron Kryetarit të zgjedhur, zotni Dimal Basha, suksese në detyrë dhe Kuvendit të Kosovës punë të mbarë.
Pikërisht në këtë datë më 26 gusht, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për situatën politike në rajon. Vuçiq tha se e ka njoftuar shefin e diplomacisë ruse për situatën në Kosovë për: “… përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare”.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” shpreh mendimin e saj se, me gjeopolitiken e trazuar në rajon e më gjërë, do të ishte mirë që sa më shpejt të votohet edhe Qeveria e re e Kosovës, me bazë të një koalicioni sa më të gjerë, për të përballuar së bashku të gjithë sfidat e reja por edhe për të shpejtuar proceset zhvillimore dhe integruese të Kosoves në dobi të qytetarëve dhe në perputhje me aspiratat euroatlantike të vendit.