23 gushti, i shpallur si Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Totalitarizmit, është për Shqipërinë më shumë sesa një datë përkujtimore; është një plagë që ende nuk është mbyllur, sepse mbi të rëndojnë jo vetëm krimet e një regjimi të egër që për gjysmë shekulli shkatërroi jetët e dhjetëra mijëra qytetarëve, por edhe heshtja e shtetit dhe mungesa e një drejtësie të vërtetë që ta shërojë këtë plagë duke e pranuar me dinjitet dhe duke e ndëshkuar moralisht e juridikisht. Shqipëria, ndryshe nga shumë vende të tjera të Europës Lindore, nuk njohu vetëm diktaturë, por një izolim absolut, një përjashtim brutal nga bota e lirë, ku kufiri u kthye në varr dhe ku vetë jeta u bë pronë e partisë.
Statistikat janë vetë një epitaf i dhimbjes: mbi 100 mijë të dënuar për arsye politike, mbi 18 mijë të burgosur në kampe pune, mbi 6 mijë të pushkatuar ose të vdekur nën tortura, mbi 30 mijë familje të internuara, dhe një vend i tërë i shndërruar në burg kolektiv.
Por përtej shifrave janë fëmijët, fëmijë që vdiqën nëpër kampet çnjerëzore, njerëzit, familje e farefise të tëra me histori tragjike, historitë të qepura me gjak, fytyrat, shpirtrat e flijuar. Këto drama nuk mbetën të paemërta, por prekën sidomos edhe familje me rrënjë të thella historike shqiptare, si Çenaj nga ana e nënës dhe Dako nga ana e babait, të ndryshme në përkatësinë fetare, Çenaj myslimanë dhe Dako-Qiriazi ortodoksë, por të bashkuara në të njëjtin fat tragjik, me të njëjtat akuza absurde dhe me të njëjtën rrjedhë shkatërrimi. Babai i Myslim Çenaj, zoti Farid Çenaj, një burrë i formuar në shkollat më prestigjioze të Perandorisë Osmane, gjykatës në Stamboll, zotërues i tetë gjuhëve të huaja, mbylli karrieren e tij në Tiranë. Njeri që mishëronte kulturën juridike e diplomatike të elitës shqiptare të fillimshekullit XX; Myslimi i biri, student brilant në Fakultetin e Ekonomisë në Torino, i diplomuar me medalje ari, i propozuar si pedagog në Itali, por që me vetëdije u kthye në Shqipëri për të kontribuar për të ardhmen e vendit, duke punuar si kryerevizor i degës së Banka di Napoli në Vlorë, me një integritet profesional që do të duhej të ishte garanci për një karrierë të gjatë në shërbim të kombit. Në krahun tjetër, Gjergj Qiriazi-Dako, i lidhur me një nga familjet më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, biri i Kristo Dakos dhe Sevasti Qiriazi, student i mjekësisë në Romë, diplomuar si kirurg me një tezë eksperimentale që tërhoqi vëmendjen e profesorëve dhe që i hapi dyert edhe për një karrierë shkencore, por edhe ai zgjodhi të kthehej në Shqipëri, i shtyrë nga idealizmi i rinisë dhe nga detyrimi moral për të shërbyer vendit të vet si prindërit e tij.
Fati tragjik i bashkoi ne Kuçovë ku në vend që të shpërbleheshin, ata u damkosën. “Spionazh amerikan”, “grup sabotues”, “armikë të popullit” – akuza të fabrikuara, që kishin për synim asgjësimin e elitës intelektuale dhe thyerjen e çdo alternative mendimi. Arrestimi i tyre shënoi fillimin e një kalvari që nuk mund të përshkruhet thjesht me fjalë: biruca të errëta, ku njeriu nuk kishte hapësirë as të shtrihej, ku drita mungonte dhe ku ajri mbushej me britmat e djemve që torturoheshin deri në humbjen e ndjenjave; netë të gjata ku ulërimat e njerëzve bëheshin këngë e makthit, derisa një zë shuhej papritur dhe heshtja e tij shpallte një vdekje tjetër. Tortura që nuk ndëshkonte vetëm trupin, por kërkonte të thyejë shpirtin: tortura të pandërprera, izolim i gjatë, urie çnjerëzore, qëndrime të detyruara në këmbë për orë e ditë të tëra, eksperimente sadiste të hetuesve që e shihnin dhimbjen si spektakël pushteti. Gjergj Qiriazi-Dako u tret në burgjet famëkeqe të Tiranës, duke lënë pas vetëm një emër të gdhendur përkrah babait dhe vëllait të tij, në një varr pa eshtra, pa mundësinë e një rituali njerëzor për ta përcjellë në paqe. Çenaj, pas vitësh të tëra torturash, iu premtua familjes se do të lirohej, por dy ditë më vonë mbas deklaratës se lirimit nga burgu, në vend të një djali të gjallë, ata morën trupin e pajetë, të gjymtuar nga duart sadiste të hetuesve. Ky akt mizorie nuk mbaroi me vdekjen, por vazhdoi edhe përtej saj, si një fyerje e fundit ndaj nderit dhe dhimbjes së familjes. Këto dy histori familjare Çenaj musulmane nga mamaja dhe Dako ortodokse nga babai, të lindura nga dy tradita fetare të ndryshme, por të përngjashme në dramën e tyre, dëshmojnë se diktatura nuk njihte kufij fetar, as ideali, as përkatësie; ajo kishte vetëm një qëllim: shkatërrimin e çdo zëri të lirë dhe zhdukjen e çdo shprese për një Shqipëri demokratike.
Kujtimi i Çenajve dhe Qiriazëve nuk është vetëm një kujtim dhimbjeje familjare, por një pasqyrë e fatit të mijëra shqiptarëve të tjerë që u flijuan padrejtësisht. Në këtë tragjedi kombëtare, shumë familje janë vënë në sprovat egzistenciale dhe dhimbjeve madhore, dhe kjo dhimbje ulërin ende sot, sepse nuk ka gjetur drejtësi. Dhe është pikërisht për këtë arsye që 23 gushti nuk duhet të mbetet një datë simbolike, por duhet të jetë një thirrje për ndërgjegjësim, për ruajtjen e kujtesës dhe për ndëshkimin e harresës. Sepse harresa është krimi i dytë mbi viktimat, dhe vetëm kujtesa mund, të zhduke riçiklimin ende sot të persekutorve material dhe gjykatësve të regjimit, e te çajë gjumin e rëndë të manipulimit historik. Nëse historia e Çenajve dhe Qiriazëve, e dy të rinjve të ditur që flisnin gjuhët e botës dhe kishin në duar një të ardhme europiane, por që u shuan në qelitë e errëta të një regjimi barbar, nuk mbahet gjallë, atëherë dhimbja e tyre shuhet dy herë: një herë në torturat që ua morën jetën, dhe një herë tjetër në heshtjen që ua fshin kujtimin. Dhe kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, është arsyeja pse kujtesa është detyrë, drejtësia është domosdoshmëri dhe përkujtimi është akt rezistence.

