(Anri Mari Bejl – 23 janar 1783 – 23 mars 1842)
Tek E kuqja dhe e zeza, që doli në 1831, Anri Bejl i njohur më shumë me pseudonimin e tij Stendal, jep një pasqyrim të magjishëm të Francës gjatë ‘Rimëkëmbjes’ (1815-1830). Në këtë roman, Stendali tregohet një njohës i madh i shpirtit njerëzor por gjithashtu një kritik mendjemprehtë dhe i ashpër i një shoqërie që ai s’mund ta pranonte. Ishte një liberal i cili s’kishte asnjë iluzion mbi të ardhmen e liberalizmit, një sentimental që mbrohej me cinizmin.
E kuqja dhe e zeza ka si hero një djalë të ri, me origjinë modeste, Zhylien Sorel. Djalë i druajtur dhe pa asnjë përvojë, por prej brumi të mirë dhe me dëshirën për të bërë karrierë, Zhylien Sorel, i futet para së gjithash karrierës fetare, ai ka «sy të bukur dhe faqe të kuqe», por gjithashtu ai ishte i mençur dhe e urren fisnikërinë trashëgimtare apo aristokracinë e pasur. Ideali i tij, është Napoleon Bonaparti, Napoleoni i Lodit, i Arkolit dhe i Marengos. Korsikani i madh i jep një shembull karrierës që ai ëndërron. Mirëpo Zhylieni është realist. Ai e di që bota s’mund të fitohet më me shpatë, por duke përdorur pa skrupuj zgjuarsinë dhe vullnetin.
Gjatë Perandorisë, Zhylien Sorel qe një I kuq, domethënë ushtar. Gjatë Rimëkëmbjes, ai nuk mund t’ia dilte mbanë veçse me Të Zezën, domethënë duke u bërë seminarist. Ai do të bënte karrierë duke iu përshtatur një bote ku shikon vetëm hipokrizi, por sidoqoftë duke ushqyer për të tjerët një përçmim tipik napoleonian.
Pjesa e parë e romanit na përshkruan shoqërinë dhe mjedisin provincial. Punëdhënësi i Zhylien Sorelit është Zoti dë Renal, kryetari i bashkisë së Verrierit, një fisnik reaksionar. Zhylieni hyn tek ai si mësues i fëmijëve. Në jetën e tij publike, Zoti Dë Renal dukej i paracaktuar të mbante gjithnjë anën e gabuar, madje pa patur më shanse në jetën e tij private, në marrëdhëniet me mësuesin e ri, i cili zbulon një ditë të bukur se zonja e shtëpisë, Madamë dë Renal, e dashuronte marrëzisht. Për t’i siguruar libra Zhylienit, Madamë dë Renal shkon deri aty sa frekuenton librashitësin e qytetit «pavarësisht nga fama e tij e neveritshme si liberal». Zhylieni diti ta shfrytëzonte situatën në të mirë të interesave të tij dhe Madamë dë Renal i bëhet dashnore, përpara se, shumë më vonë, të vdiste nga dora e tij.
Stendali nis të trajtojë më pas pjesën parisiane të romanit. Zhylieni niset për në kryeqytet ku bëhet sekretar i një fisniku shumë të pasur dhe me influencë. Që nga ai çast hapen përpara tij dyert e botës së madhe, Zhyljen Soreli hyn në sallonet e shoqërisë ultra-reaksionare. Aty, mund të flitet për gjithçka, «derisa nuk thuhet asgjë kundër Zotit, priftërinjve, mbretit, funksionarëve dhe institucioneve të njohura zyrtarisht.» Kështu, edhe pse me origjinë modeste, Zhyljeni di të luajë me shumë talent me mençurinë dhe paturpësinë e tij, madje arrin disa suksese në jetë. Ai fiton besimin e të zotit të shtëpisë dhe bën për vete të bijën. Mirëpo katastrofa vjen me hapa të mëdhenj dhe Zhylieni s’mund t’i bëjë ballë moralit konvencional dhe nevojës së tij për të treguar se ai është më i madh se një epokë «nga ku është zhdukur çdo fuqi». Dhe vjen gijotina: «Kurrë kjo kokë nuk ka qenë kaq poetike sa në momentin kur ajo do të pritet.» Çastet më të ëmbla që ai pat kaluar dikur në pyjet e Verzhit i mizëronin në kokë dhe me një energji të jashtëzakonshme.
«Gjithçka kaloi thjesht, ashtu siç duhej dhe nga ana e tij shumë natyrshëm. Dy net më parë, ai i kishte thënë Fukesë: Për emocionet unë nuk mund të përgjigjem, kjo birucë kaq e shëmtuar, kaq e lagësht, më bën të dridhem aq sa unë nuk e njoh më vetveten, por nga frika jo, nuk do të zbehem kurrë…»
E kuqja dhe e zeza mban si nëntitull Kronikë e shekullit XIX. Kronikë e Rimëkëmbjes do të ishte më e përshtatshme, sepse romani përshkruan ato vite vendimtare të rimëkëmbjes burboniane, pa të cilën ai nuk do të mund të shfaqej kurrë, paraqet shumë qartë konfliktin mes Francës së vjetër dhe asaj të re, mes monarkistëve reaksionarë dhe klerikëve nga njëra anë, për të cilët viti 1789 është shkaku i gjithë së keqes dhe, nga ana tjetër, grupit social që donte të shpëtonte fitoret e Revolucionit duke vendosur një rend më të lirë. Stendali, i cili megjithatë nuk ruante aspak simpati për realitetin, s’mund të mos shikonte, përmes prizmit të ndjeshmërisë së tij, humnerën që ndante këto dy botë që kishin të përbashkët vetëm kujtimet vegimtare dhe që do të takoheshin vetëm në barrikada.
Në të djathtë, ndodheshin reaksionarët. Në qendër borgjezët liberalë, bankierët, tregtarët e mëdhenj, manifakturistët, përfaqësuesit e kapitalit dhe adhuruesit e pronës. Këta njerëz bënin luftë në dy fronte. Ata luftonin për «kushtetutën e 1814-ës» (Kartën Kushtetuese), për pasuritë dhe influencën që Karta u jepte ose duhet t’u jepte. Ata mbronin parimet e vitit 1789 kundër reaksionarëve dhe, në të njëjtën kohë, hiqeshin përpara klasës punëtore si mbrojtës të rendit në fuqi. Si dikur filozofët e iluminizmit dhe dishepujt e tyre, ata merrnin si shembull Anglinë, vendin i cili ishte bërë më i fuqishmi në botë falë idealit të tij të lirisë politike dhe të sistemit parlamentar. Kushtetuta angleze, thoshte atëherë njëri nga përfaqësuesit e borgjezisë, ishte ‘një nder për njerëzimin’. Një refleks mbrojtjeje do t’i bënte borgjezët të ngriheshin kundër reaksionarëve të fisnikërisë dhe të Kishës duke kërkuar kthimin e privilegjeve të vjetra. Por i njëjti refleks do t’i shtynte po në atë mënyrë edhe kundër klasës punëtore, proletariatit. Gjatë Rimëkëmbjes, revolucioni industrial u përhap në Francë.
Simptomat ishin identike me ato që u panë në Angli. Ndërtoheshin makina dhe fabrika, kapitalet grumbulloheshin ndërsa formohej nga ana tjetër një proletariat i ri qytetar, një klasë punëtore gjysmë e vdekur urie, e shfrytëzuar deri në palcë me kaq pak të drejta sa dhe fshatrat përpara vitit 1789. Shfaqja e kësaj klase sociale përjetësoi në Francë idealet e jakobinëve. Ky proletariat sillte kujtimin e Terrorit, të hakmarrjes së madhe. U kuptua që në ditët e para, se rruga e së ardhmes kalonte nga barrikadat.
Borgjezët liberalë trembeshin nga perspektiva e një konflikti social të hapur. Franca kishte jetuar tashmë një përvojë të njëjtë, të rifillonte përsëri nuk ishte aspak e këndshme. Prandaj liberalët luftuan gjatë shumë viteve për ta detyruar mbretin të respektonte kushtetutën dhe jo pa ndonjë sukses fillestar. Megjithatë, me kalimin e kohës, reaksionarët rritën gjithnjë e më shumë presionin e tyre. Ata gjetën më në fund çastin e ëndërruar më 1824, me ardhjen në pushtet të Karlit X.
Stendali si dhe Balzaku i dhanë rrugë fillimit të romanit realist, që priret për nga krijimi i tablove të gjera epike dhe lirike, për nga psikologjizmi dhe përgjithësimi i dukurive jetësore të rëndësishme. Pas tyre do të vijë vargani i madh i realistëve, që në mënyra krejt origjinale do ta thonë fjalën e tyre. Veprat e Stendalit ranë në sy me rikrijimin artistik të jetës bashkëkohëse përmes skenash të paharrueshme të dashurisë dhe të heroizmit, kurdoherë duke i dhënë përparësi zhbirimeve psikologjike. Falë dashurisë dhe shpirtit heroik, heronjtë e librave të tij janë gati të shkojnë deri në vetëtherori. Me të drejtë konsiderohet si vetëshprehës i përsosur. Stefan Cvajgu ka thënë për të: «Stendali i ka shërbyer artit vetëm e vetëm që ta ndiente mirë veten dhe të ishte ai vetë i kënaqur nga vetja.» Të lind pyetja: mos vallë kjo pikënisje krijuese subjektiviste e ka cenuar apo dhe dëmtuar sadopak artin e madh realist të Stendalit? Aspak! Në këtë konsiston dhe njëra prej anëve më magjepsëse të artit të tij realist që, duke pasur si pikënisje synime subjektiviste, bëri objekt të rikrijimit artistik të vërteta të kulluara, të mëdha dhe shkroi romane realiste, që rreshtohen në lartësitë më të ardhangëta të krijimeve të këtij lloji, kurse emri i tij radhitet në rreshtin e parë të artistëve më të sinqertë të të gjitha kohërave. I derdhi në karaktere të paharruara përjetimet vetjake, i tregoi me art përpëlitjet e shpirtit të personazheve që krijoi, sepse i kishte provuar ato përpëlitje vetë dhe nga kjo krijimtaria i fitoi cilësimin si vetëshprehje e sinqertë. Studiuesit e shumtë të dukurisë Stendal kanë vënë në dukje se shkrimtari i madh ka gënjyer pa ndonjë shkak të jashtëm dhe e ka bërë vetëm për të fshehur emrin e vet. Në kopertinat e librave shkruhet Stendal, kurse emrin e vërtetë e ka Anri Bejl, në ditar shkruan se romanin ‘Manastiri i Parmës’ e ka shkruar në vitin 1830 në një vend 1300 kilometra larg Parisit, kurse në të vërtetë e ka shkruar në vitin 1839 kur banonte mu në zemër të Parisit, herë thotë për veten se është nëpunës austriak, herë thotë se është oficer i vjetër kavalerie. E ka bërë për ta fshehur veten nga të tjerët, për të mos pasur telashe dhe ngacmime nga kureshtarët. Por studiuesit thonë se e ka bërë edhe për t’i veshur vetes petkun romantik, të njeriut misterioz. Ndërkohë na ka vënë në dijeni të të vërtetave që kushdo tjetër do t’i fshihte, sepse janë tepër intime, nga ato që nuk thuhen lehtë. Edhe në analizat psikologjike të personazheve tregohet mjeshtër i mbaruar, sepse ato përjetime i ka provuar më parë vetë, ai gjithçka e ka pas eksperimentuar në vetvete, pasi aty ka qenë laboratori i tij i vërtetë. Vetëm psikanalistët pas rreth një shekulli do të arrinin që të bënin zhbirime aq të holla e të thella, falë depërtimeve në botën e nënvetëdijes së personazheve. «Në kristalin e tejdukshëm, egoist dhe të ftohtë, të intelektit të tij, si në akull, i gjejmë të ruajtura për brezat pasardhës shumë pohime të çmuara që kanë të bëjnë me shpirtin e njeriut», – ka thënë Stefan Cvajg. Pra, kundërtia e sapo konstatuar ndërmjet prirjes për t’u fshehur si emër dhe prirjes për të qenë sa më i hapur dhe i çiltër në krijimtari merr shpjegimin e vet: për hir të arritjes së përsosjes në artin e njohjes dhe të shpalosjes së të vërtetës, Stendali lakmonte gënjeshtrën dhe shtirjen përmes simulimit. Kështu ai e ndiente veten më të qetë. «Janë të paktë ata krijues që kanë gënjyer më shumë dhe e kanë mistifikuar botën më me ëndje se Stendali, por njëherazi janë të paktë ata artistë që e kanë thënë të vërtetën më me plotësi dhe më me thellësi se ai», – ka vënë në dukje Stefan Cvajg.
Stendali (Henri Beyle Mari Stendhal) (emri i tij i vërtetë është Anri Mari Bejl) ka lindur në Grenoblë më 23 janar 1783 në një familje borgjezësh të mesëm. Fëmijërinë e kaloi të vështirë, me plot kujtime të hidhura, me një arsimim fillor të gjymtë, si dhe një mesme ku tregoi interes për shkencat e natyrës, sidomos për matematikën. Ai nuk bëri shkollë të lartë, por u vet-arsimua si rrallë kush, studioi artet, sidomos muzikë dhe pikturë. Hyri si ushtar në Ushtrinë e Madhe të Napolonit, ku shërbeu kryesisht në prapavijë, duke arritur gradën e oficerit të intendencës, ai qe pjesë e fushatave të Italisë, të Austrisë, të Prusisë e të Rusisë.
Në njërin nga shkrimet do të thotë se gjatë fushatës së Napoleonit në Itali, ai zbuloi Italinë, të cilën do ta dojë jo më pak se Francën. Na ka lënë vrojtime interesante për Italinë dhe italianët, pena e tij e ndritur do të spikaste sidomos në analizat e holla psikologjike që do t’u bënte italianëve, fillimisht në shënimet e udhëtimeve dhe më pas në romanet. Pas rënies së Perandorisë së Napoleonit, Stendali jetoi në Milano (në vitin 1821), kurse në vitin 1830 do të kryejë detyrën e konsullit të Francës në Trieste dhe në Çivitavekia. Kësaj kohe i takojnë librat e vegjël që shkroi për muzikën, për pikturën dhe shënimet e udhëtimit, që janë voluminoze. Penës së Stendalit i takojnë biografitë e Mozartit, të Hajdenit, të Metastazios, libri ‘Jeta e Rosinit’ (1823), traktati ‘Konsiderata për dashurinë’” (1824) dhe sidomos e bëri të njohur studimi ‘Shekspiri dhe Rasini’ (1825). Me këtë bagazh të pasur dijesh dhe me pasionin për krijimtari letrare të mirëfilltë iu përvesh shkrimit të romaneve, gjithsej tre.
Në gjysmën e dytë të viteve ‘30, Stendali u kthye në Paris. Në kujtesën e bashkëkohësve mbeti si një bisedues brilant dhe shumë interesant, si vizitor i ngahershëm i salloneve mondane më me emër të kryeqytetit francez. Kësaj kohe i takon njohja me Balzakun, i cili bëri shumë që ta njihnin lexuesit bashkëkohës emrin e Stendalit. «E kuqja dhe e zeza» (1831), që konsiderohet njëri nga të parët romane realiste me emër të letërsisë franceze, «Lysien Lëven» (1834-1835), që u botua pas vdekjes, dhe «Manastiri i Parmës» (1839) nga jeta italiane. E habitshme të duket, por është e vërtetë që romanet, tanimë të pranuar botërisht si vepra madhore, nuk bënë jehonë në kohën kur u botuan për herë të parë dhe lavdia e shkrimtarit mori dheun pas vdekjes, duke filluar me gjysmën e dytë të shekullit XIX.
Kritika ka vënë re se në themel të konceptimit të galerisë së pasur të personazheve stendaliane qëndron pikëpamja shumë e njohur e autorit të tyre për mbizotërimin në jetë të dy tipave njerëzorë: të atij francez dhe italian. Përsëri vështrimi personal i Stendalit bëhet dominues i rikrijimit artistik të jetës bashkëkohëse dhe të tregimit të fateve të personazheve. Biografët e shkrimtarit të madh kanë shpjeguar dhe arsyen e këtij vështrimi: është prejardhja dyfishe e shkrimtarit, franceze dhe italiane. ‘Tipi francez’ është i ngarkuar me veset dhe me minuset që ia dikton civilizimi bashkëkohës, është i rënduar si njeri dhe është i prishur nga hipokrizia dhe shtirja, vuan nga mungesa e sinqeritetit, theksohet se veset atij i imponohen së jashtmi, nga shoqëria. ‘Tipi italian’ e tregon veten më barbar, ai është më impulsiv dhe më i rrëmbyer, është më rrëmujaxhi dhe poterexhi, por është më i çiltër dhe më i drejtpërdrejtë në veprime e marrëdhënie, kryen gabime që mund të falen. Sigurisht, kjo që po themi nuk do kuptuar si përpunim skemash psikologjike, të cilave u qenka përmbajtur verbërisht Stendali. Fjala është për sjellje të personazheve, që autori i mbështet mbi këto konstatime realiste dhe nuk është aspak e thënë që ata të jenë prerazi o ‘tipa francezë’, o ‘tipa italianë’. Gjithashtu për konstatimin se personazhet i mbartin dhe i shpërfaqin në sjelljet e veta këto veçori tipologjike. Është një veti origjinale e penës së Stendalit ngritja e veprës artistike mbi shtylla konfliktualiteti tipologjik, si kundërvënie tipash francezë dhe italianë, domethënë si përplasje personazhesh me natyrë të brishtë e të drejtpërdrejtë, të vetvetishëm dhe të çiltër (tipi italian) me personazhe që kanë natyrë të vetëpërmbajtur, të kamufluar dhe shpesh herë të ngurtësuar, të shtirë dhe të sajuar (tipi francez). I pari tregohet se i qëndron afër natyrës, zakoneve dhe dokeve popullore, i dyti tregohet si më i civilizuar, më i ndikuar nga shoqëria bashkëkohëse, me të cilën shkrimtari është në opozitë. Me të drejtë lidhur me këtë konstatim pohohet se Stendali mundi të bënte në krijimtarinë e vet simbiozën artistike të romantizmit me realizmin: tipi i parë (ai italian) është i konceptuar më shumë nga pozita romantike, kurse tipi i dytë (ai francez) është i konceptuar më tepër nga pozita realiste. Mbi një platformë të tillë ideoartistike Stendali tregon me art kundërtitë shpirtërore të personazheve, pajtimin ose jo të tyre me mjedisin. Dhe përsëri e ndiejmë të udhës që ta theksojmë: gjithçka e treguar dhe e analizuar është konkretisht e përjetuar prej vetë autorit, sigurisht, e realizuar falë imagjinatës së mrekullueshme krijuese të tij. Gjithçka është e filtruar përmes mendimit dhe zemrës. Ndërkaq, gjenisë së tij i përkasin tablo të gjera historike dhe konstatime me forcë përgjithësuese mahnitëse, që flasin për njohje dhe vlerësime objektive të dukurive jetësore. Përpara nesh qëndron një përtypës dhe asimilues gjenial i lëndës jetësore, e cila mandej i transmetohet lexuesit në mënyrë magjepsëse falë penës së hollë dhe shijes së mrekullueshme krijuese. Edhe interesimi shumë i madh që ka treguar Stendali për filozofinë dhe për estetikën po këtij synimi i nënshtrohet: u thellua në filozofinë e iluminizmit për të verifikuar dhe një herë vështrimin filozofik personal të dukurive jetësore. Të njëjtën gjë e bëri edhe me estetikën, me kuptimin e të bukurës. Procesin e vetë-njohjes dhe të vetë-krijimit Stendali e ka cilësuar me fjalën ‘egotizëm’, që parashikon procesin dialektik të zbulimit të personit të vet në krijimtari. Kështu përvoja e tij jetësore shkrihet e bëhet një me përvojën e të tjerëve. Po vëmë në dukje dhe këtë hollësi domethënëse: krijimtarinë deri në vitet ‘30, që është e mbushur me peripeci ushtarake dhe me veprimtari diplomatike, ato së cilës i takojnë veprat me karakter studimor, Stendali e botoi me emrin e tij të vërtetë, Anri Bejl, kurse pas kthimit në Paris, kur shkroi dhe botoi vepra artistike, përdori pseudonimin Stendal, që është emri i një qyteti në Gjermani. Kjo është arsyeja që ai mbeti i njohur pikërisht me pseudonimin.
Në qendër të romanit më të mirë të Stendalit ‘E kuqja dhe e zeza’” është vënë historia e një të riu provincial, Zhulien Sorelit (a nuk ka qenë i tillë dhe vetë Anri Bejli kur erdhi në Paris?). Nuk shquhet as për mendje e as për zotësi, por shquhet për dinakëri dhe sqimë, zgjedh si mjet për ngjitjen e shkallëve të karrierës lidhjet dashurore me gratë: në fillim ia fiton zemrën zonjës dë Renal, mandej bën të njëjtën gjë dhe me të bijën e një lideri politik të shquar të kohës së Restauracionit, me Matilda dë la Mol. Që të dyja synon që t’i përdorë si trampolina për të kërcyer me ndihmën e tyre në shoqërinë e lartë. Kurse dashuria atë e shpie në katastrofë. Në pasion e sipër ndërmerr një akt kriminal kundër zonjës dë Renal dhe përfundon në gijotinë (subjekti mbështetet në një histori të ngjarë). Susta e intrigës bazohet në kontrastin mes ndjenjës së mirëfilltë e të sinqertë, të këtij virtyti të lartë njerëzor dhe hipokrizisë, smirës e lakmisë për pushtet të personazhit kryesor (të ‘tipit italian’ dhe të ‘tipit francez’). Ambicia e çon në fund tragjik.
Romani i dytë i Stendalit titullohet ‘Lysien Lëven’, e pa dritën e botimit pas vdekjes së shkrimtarit. Ka si subjekt rrëfimin për të riun bashkëkohës që detyrohet të bëjë jetë konformisti, të pajtohet me gjendjen në shoqëri, ndonëse moralisht dhe faktikisht atë ai nuk e honeps. Në jetën e Lysien Lëvenit ‘tipi francez’ merr përsipër të veprojë mbi ‘tipin italian’ dhe kjo atë e çon në tragjedi.
Në romanin ‘Manastiri i Parmës’ është vënë në qendër të rrëfimit italiani Fabricio del Dongo. Fati i tij në jetë kushtëzohet jo vetëm nga prejardhja e tij italiane, por, kryesorja, përcaktohet nga epoka historike. Jeton në kohën e luftërave të Napoleonit, në kohën e përpjekjeve të italianëve për pavarësi kombëtare. Siç është kjo karakteristikë e të gjithë personazheve që ka skalitur Stendali, entuziazmi dhe vrulli djaloshar i të riut bashkëkohës shuhet dhe vdiret në mjedisin e plogët dhe të pandershëm politik ku ai jeton dhe vepron.
Dhe gjithkund në veprën e Stendalit spikat psikologjizmi dhe realizmi i përflakur nga romantizmi, qoftë dhe për shkak të parapëlqimit të shkrimtarit për të treguar për dashurinë rinore, por spikat dhe pena e hollë e autorit në përshkrimin e jetës përmes vrundujve të dashurisë dhe të shtysave të tjera të forta të brendshme.
Dy shtylla ka vepra e Stendalit: dashuria dhe heroizmi. Jeta bashkëkohëse, skenat e paharrueshme të dashurisë e të heroizmit, zhbirimet e holla psikologjike, gjithçka e shkruar nga dora e tij merr përmasa të jashtëzakonshme. Në sajë të dashurisë dhe shpirtit heroik, heronjtë e romaneve të tij janë gati të shkojnë në vetësakrifikim. Vonë, shumë vonë, Stendali do të bëhej një shkrimtar i madh dhe aq i pëlqyer në të gjithë botën. Stefan Cvajgu ka thënë për të: «Stendali i ka shërbyer artit vetëm e vetëm që të ndihej mirë aty dhe të ishte plotësisht i kënaqur prej tij.» Mos vallë kjo pikënisje kreative dhe njëherit subjektive e ka cenuar sadopak artin e madh realist të Stendalit? Aspak! Ai gdhendi karaktere të paharruara, përjetime të mrekullueshme, përpëlitje të hatashme shpirtërore, kthesa të papritura, lëkundje të rrëmbyera, dritë të mekur dhe diell të përsosur, gjendje të tensionuara, temperatura shumë të larta shpirtërore, ambicie dhe egoizëm, sinqeritet dhe dashuri. Shumë dashuri.
Tek ai shpaloset mjeshtëria e rrallë, ndjenja e madhërishme, gjithnjë duke i dhënë njerëzimit përsosmërinë e laboratorit të tij të vërtetë artistik dhe krijues. Pararendës i madh i psikanalistëve, ai ka mbërritur në zhbirime të holla e të thella, depërtime dhe endje të gjithëfuqishme në botën e nënvetëdijes së personazheve. Stendali ka qenë një bisedues brilant dhe shumë interesant, një vizitor i ngahershëm i salloneve mondane më me emër të kryeqytetit francez. Ai bëhet dominues i të shkruarit artistik të jetës bashkëkohëse. Në veprën e Stendalit spikat psikologjizmi dhe realizmi i përflakur nga romantizmi.
Rishikuar dhe rishkruar: Tiranë, më 30 korrik 2025.