Kërkesa ruse që Ukraina të heqë dorë nga sovraniteti mbi gadishullin e Krimesë dhe rajonin lindor të Donbasit kërkon një reformë kushtetuese pothuajse të pamundur. Kështu e shpjegoi këtë të hënë ministri i Drejtësisë i Ukrainës, German Galushchenko. “Kjo nuk është një çështje që mund të zgjidhet brenda ditës, por një proces shumë i vështirë dhe i gjerë”, tha ai. Oleksii Goncharenko, zëdhënës i partisë kryesore opozitare Solidariteti Europian, shtoi: “Nëse bëhet fjalë për ndryshim kufijsh në mënyrë juridike, përmes reformës kushtetuese, kjo është e pamundur. Nuk e imagjinoj askënd që voton pro”.
Galushchenko e deklaroi këtë gjatë prezantimit në Kiev të programit qeveritar të kryeministres së re, Yulia Sviridenko. Ndryshimi i kufijve kërkon dy diskutime parlamentare, miratim nga dy të tretat e deputetëve dhe vendim të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi javën e kaluar se kërkesat territoriale ruse bien ndesh me Kushtetutën, pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi që Ukraina duhet të heqë dorë nga disa territore të pushtuara. Trump reagoi duke e kritikuar Zelenskyn: “Ka miratim për të shkuar në luftë dhe vrarë njerëz, por i duhet miratim për të bërë shkëmbim territori. Sepse do të ketë një shkëmbim territoresh, për të mirën e Ukrainës”.
Një tjetër pengesë është se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet gjatë gjendjes së ligjit ushtarak, i cili sipas marrëveshjes së fundit Trump–Putin do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave për paqe.
Ministri i Jashtëm Andrii Sibiga deklaroi: “Krimea është Ukrainë dhe do të mbetet Ukrainë. Kështu e përcakton Kushtetuta”. Ai iu përgjigj thirrjes së Trump-it që Zelensky të heqë dorë nga pretendimi për Krimenë.
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Oleksii Sobolev, theksoi: “Askush nuk do ta dorëzojë Donetskun. Është territor ukrainas, i pushtuar përkohësisht”.
Ministri i Financave, Serhii Marchenko, njoftoi se planet e qeverisë janë bërë duke parashikuar që lufta do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026. Ukraina do të ketë nevojë për mbi 38.5 miliardë euro ndihmë financiare nga BE-ja dhe SHBA gjatë viteve 2025–2026. Ai shtoi se asnjë plan i posaçëm nuk parashikon ngrirjen e frontit të luftës këtë vit apo vitin tjetër.
Pavarësisht kësaj, Sibiga shprehu optimizëm se takimi i sotëm në Uashington dhe një samit i mundshëm mes Trumpit, Putinit dhe Zelenskyt “mund ta sjellin paqen që gjatë vitit 2025”.
Trump ka bërë të qartë se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e NATO-s, sipas kërkesës së Putinit. Megjithatë, kryetari i Radës, Ruslan Stefanchuk, deklaroi se vendi është gati ushtarakisht dhe ligjërisht të anëtarësohet menjëherë në Aleancë. sn