Një nga figurat më emblematike të ekranit italian, Pippo Baudo, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Sipas mediave italiane, lajmi është konfirmuar nga miku i tij i afërt dhe këshilltari ligjor, Giorgio Assumma.
Baudo ka qenë një ikonë e padiskutueshme e televizionit, i njohur për karrierën e tij të gjatë si prezantues dhe për rekordin e tij të veçantë në Festivalin e Sanremos, ku ka qenë në rolin e drejtuesit për plot 13 edicione.
Ai u bë i njohur jo vetëm për stilin e tij të veçantë të prezantimit, por edhe për aftësinë për të zbuluar dhe promovuar talente të reja. Për shumë vite, ai ishte një prani konstante në jetën televizive të italianëve, duke u bërë një figurë shumë e dashur dhe e respektuar.
Zëri i tij dhe prezantimi krejt i veçantë i spektakleve televizive e muzikore ishte për shqiptarët, sidomos deri në vitin 1990, një rrugë komunikimi e jashtëzakonshme, nëpërmjet RAI-t, me kulturën e muzikën italiane e botërore.
Lindur më 7 qershor 1936 në Siçili, ai fillimisht ndoqi dëshirën e prindërve duke u diplomuar në Jurisprudencë, por pasioni i tij i vërtetë ishte skena. U ngjit për herë të parë në skenë në vitin 1959 në konkursin muzikor “La conchiglia d’oro” në Palermo. Pas disa përpjekjesh dhe audicionesh, në herën e katërt arriti të sigurojë vendin e tij në botën e televizionit.
Në vitin 1966 pati një kthesë të madhe në karrierën e tij, kur iu besua drejtimi i një kuizi muzikor, i cili u kthye shpejt në një program shumë të ndjekur. Vetëm dy vjet më pas, ai do të shfaqej në skenën e Sanremos për herë të parë, duke nisur kështu një lidhje të gjatë me këtë festival.
Në vitin 1987, Baudo largohet nga RAI dhe kalon në Mediaset, pas një ftese të drejtpërdrejtë nga Silvio Berlusconi. Në vitin 2002 rikthehet fuqishëm në drejtimin e Sanremos, më pas në 2005 drejton “Domenica In” dhe në 2007 rikthehet sërish në Sanremo, këtë herë përkrah Michelle Hunziker dhe më pas edhe me Piero Chiambretti, Bianca Guaccero e Andrea Osvart. Edhe në moshën 80-vjeçare, ai nuk u tërhoq – duke vazhduar të drejtojë “Domenica In”, i lidhur fort me botën e spektaklit që aq shumë e donte.
Edhe pse mosha përparonte, Pippo Baudo nuk e ndiente veten gati për të lënë skenën. Ai do të kujtohet si një figurë ikonike që frymëzoi breza të tërë dhe që e bëri televizionin italian më të pasur dhe më të dashur për publikun. bw