Prokuroria e Posaçme ka nisur të marrë në pyetje personat e dyshuar si të përfshirë në aferën 19 milionë euro të Eco Parkut në Durrës. Dy javë më parë, prokurori i SPAK Klodian Braho, ka marrë në pyetje për më shumë se tre orë ish-kreun e AKUM, Alqi Bllako, në cilësinë e titullarit të institucionit që zhvilloi procedurat për ndërtimin e Eco Parkut. Afera u denoncua publikisht nga ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, ndërkohë që emisioni Plug në Syri Televizion, një vit më parë zbuloi se ishte vet kryeministri Edi Rama që firmosi dokumentet që i hapnin rrugë aferës prej 19 milionë eurosh.
Pas gati një viti e gjysmë nga denoncimi publik, por edhe kallëzimet zyrtare, SPAK është vënë në lëvizje për hetimin e aferës 19 milionë euro të Eco Park në Durrës. Burime nga SPAK, konfirmuan se dy javë më parë, Prokurori Klodian Braho ka marrë në pyetje për më shumë se tre orë, ish-kreun e Agjencisë Kombëtare të Ujërave dhe Mbetjeve të Ngurta, Alqi Bllako. Ky i fundit është marrë në pyetje në cilësinë e ish kreut të AKUM, funksion që e ushtronte në vitin 2019, kohë kur u zhvilluan procedurat për tenderin 19 milionë euro të ndërtimit të Eco Parkut.
Dosja po hetohet nga prokurori Klodian Braho, me objekt verifikimin e shkeljeve në aferën ku në 2019 qeveria vendosi të mbyllë Landfillin e Porto-Romanos dhe të ndërtojë Eko Parkun me negocim të drejtpërdrejtë. Tenderi me vlerë 18.5 milione euro iu dha kompanisë ‘De Mare’ dhe ‘Victoria Invest’, dhe është denoncuar vazhdimisht nga opozita si një nga aferat më flagrante e cila ka kallëzuar në SPAK mes të tjerëve edhe kryeministrin Edi Rama. Afera e Eco Park u denoncua publikisht nga ish-zëvendëskryeminsitri Arben Ahmetaj, në emisionin Çim Peka Live në muajin shkurt të vitit 2024. Ahmetaj u shpreh në atë kohë, se projekti i Parkut mbi fushën e plehrave, ishte hartuar nga familjarë të Kryeministrit Edi Rama.
Pak ditë më pas, Emisioni investigativ Plug në Syri Televizion, publikoi të plotë aferën 19 milionë euro, e cila u bë me bekimin e Kryeministrit Edi Rama. Ishte pikërisht kreu i ekzekutivit, që në maj të vitit 2019, do të njoftonte publikisht se në fushën e plehrave në Durrës do të ndërtohej Eko Parku nga kompani private. Plug zbuloi, se para deklaratës së Kryeministrit Rama, kompania e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy Bv spv, kishte kontraktuar studion e arkitekturës Casanova Hernandes, për të kryer projektin e eko parkut.
Pas këtyre zhvillimeve, tenderi për ndërtimin e EKo Park u hap në tetor të vitit 2019, por u anulua për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të po atij viti. por pak ditë pas tërmetit, Kryeministri Edi Rama firmosi një vendim, që detyronte bashkitë të dërgonin mbetjet inerte të objekteve të shembura nga tërmeti në fushën e plehrave në Durrës. Më pas kreu i AKUM, Alqi Bllako, në zbatim të vendimit të Kryeministrit, lidhi tenderin me negocim të drejtpërdrejtë me kompanitë Viktoria Invest dhe De Mare Albania, të cilat do të paguheshin 19 milionë euro për të ndërtuar Eco Parkun.
Por këto dy kompani, pasi lidhën kontratë me qeverinë, nënkontraktuan një kompani tjetër për zbatimin e projektit. Bëhet fjalë për kompaninë Artcon, e cila është e lidhur me pronarin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës, Klodian Zoto, pikërisht njeriu që kontraktoi studion e arkitekturës për ndërtimin e Eco Parkut. Projekti nga kompania e shoferit të Klodian Zotos, u zbatua për vetëm 6 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e parave prej 13 milionë eurosh nuk dihen se ku kanë shkuar.
Më vonë ishte Partia Demokratike që bëri kallëzim në SPAK. Sipas PD, veprimet e dokumentuara tregojnë për një plan të mirëorganizuar korruptiv në bashkëpunim me kompaninë e inceneratorëve. Sipas kallëzimit, Edi Rama në bashkëpunim me koncesionarin e inceneratorit të Tiranës ‘Integrated Energy bv SPV’, 6 muaj përpara se të hapej procedura tenderuese për ‘Mbylljen e vendepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park Durrës’ kontraktoi Cassanova Hernandes në cilësinë e projektuesit për këtë investim në Porto Romano.