Gjatë telefonatës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me udhëheqësit evropianë, kreu i shtëpisë së Bardhë theksoi një propozim italian për garanci sigurie për Ukrainën “të frymëzuar nga Neni 5 i NATO-s”, tha kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
Një zyrtar evropian, duke folur për CNN, tha se një pjesë e bisedave me Trump përfshinte garanci sigurie të “tipit 5” për Ukrainën, me mbështetjen evropiane dhe amerikane, në rast të një marrëveshjeje paqeje. Zyrtari shtoi se nuk do të kishte përfshirje të NATO-s në këto garanci.
Çfarë është Neni 5 i NATO-s? Është pjesa e “mbrojtjes kolektive” e traktatit të aleancës, e cila përcakton se një sulm kundër njërit konsiderohet sulm kundër të gjithë aleatëve dhe anëtarët do të ndërmarrin veprime të ndërsjella.
Presidenti amerikan më parë i ka shpërfillur thirrjet e shpeshta të Kievit për garanci sigurie – një mënyrë për të siguruar që Rusia nuk do të shkelë një marrëveshje armëpushimi ose nuk do të rinovojë ofensivën e saj në Ukrainë brenda pak vitesh.
“Nëse ka garanci të tipit Neni 5, kjo është një çështje shumë e rëndësishme”, tha Jill Dougherty, profesoreshë e asociuar në Universitetin Georgetoën dhe ish-shefja e byrosë së CNN në Moskë, duke vënë në dukje se vetë neni nuk është një detyrim. “Ai kurrë nuk e detyron askënd, por pritet që ata të mbrojnë Ukrainën.”
Dougherty theksoi gjithashtu vërejtjen e Putinit dje se “siguria e Ukrainës duhet të sigurohet”.
“Ky mund të jetë një tregues se ndoshta (Putini) po punon për diçka me Shtetet e Bashkuara, saqë, po, ai mund të thotë ‘kurrë anëtarësim në NATO për Ukrainën, por po, ndoshta mund të kemi një lloj garancie amerikane’”, shtoi Dougherty.
Fuqitë evropiane kanë propozuar një “forcë sigurie” për Ukrainën, të cilën ata kanë thënë se nuk mund të funksionojë pa një “masë mbrojtëse” amerikane, por Trump deri tani ka ngurruar të angazhojë forca ose burime amerikane. bw