Vrasësi,
Akuzon varrëmihësin për viktimën e radhës,
Fantazmat,
Po shpallen pronarë të botës virtuale.
Gangsteri,
Ankohet se e vodhën në një plazh nudo,
Veç statujat po më duken të veshura në parqe.
Piromani
Padit Prometeon për zjarrvënie,
Dhe shqiponjën nga flamuri ia lëshon mbi trup,
Po kur ankohet për përdhunim
Nga semafori një prostitutë?!
Teveqeli,
Të thotë ty se nuk mbush,
Mira Murati për të një debile,
Edhe dhelpra s`mbetet pas
Duke akuzuar një dede për skile.
Peshkaqeni
Delfinin na e shpall terrorist,
Zvarranikët ua marrin qiellin zogjve
Me letra të falsifikuara,
Ndonjëherë ti e ke të vështirë të dallosh
Cilin të quash burrë dhe kë grua?!
.
E refuzoj botën tuaj të ndyrë
Ku skarcitetet këshilloni për ushqim,
Si të bëhem unë me ju, matrapaz të shpirtit,
Kur po e zvogëloni njeriun?!
Kur paçavuret na mbahen si të fisëm
Kur eunukët hiqen për heronj homerik,
Kur për dashurinë shkruan
Kusari që të ka zënë diku pritë?!
.
Fatbardh Amursi