Situata nga zjarret në njësinë administrative Skënderbegas mbetet kritike. Sipas burimeve zyrtare, ndër zonat e përfshira nga flakët është edhe Liqeni i Zambakëve, një nga atraksionet turistike më të vizituara të zonës, i cili nuk ka shpëtuar nga shkatërrimi.
Aktualisht, mbi 10 vatra aktive zjarri po digjen në territor, duke përfshirë edhe fshatin Ermenj. Forcat e Armatosura, zjarrfikësit e qarkut Elbasan dhe ekipet e bashkisë po punojnë nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve. Era e fortë po favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit edhe drejt zonave të tjera.
Ditën e sotme është kryer evakuimi i fshatit Nartë, ndërsa nën rrezik ndodhen edhe fshatrat Mukaj dhe Sojnik në njësinë administrative Kukur. Sipas burimeve, situata mund të përkeqësohet gjatë mbrëmjes nëse do të ketë erëra të forta.
Nuk dihet ende numri i saktë i bagëtive të ngordhura, por raportohet se shumë prej tyre janë gjetur të djegura në stalla dhe në pyll. Bashkia Gramsh ka ngritur dy ekipe në terren për varrosjen e tyre, me qëllim parandalimin e shpërthimit të ndonjë epidemie.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencës civile, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë pa ndërprerje. sn