Ata hynë në shtëpinë tonë një ditë të djele nga fundi i vjeshtës. Në fakt, ata në qytet kishin hyrë më përpara, por në jetën timë ata hynë atë ditë të djele 12 nëntori 1944. Një mëngjes i freskët ku pëlhura e vesës sapo ishte shkrirë. E djela në qytetin tonë ishte ditë hareje, megjithatë, ai mëngjes u duk sikur gëdhiu mbrapsht. Mbase ata po vinin për mirë?! Të paktën ashtu kishin thënë. Kjo mbeste për tu parë. Unë si fëmi kureshtar nuk flija dot më, kisha kaq ditë e javë që dëgjoja për ata që kishin ardhur në qytetin tim. Ishte një ngjarje e cila drejt me thënë s’e kuptoja si fëmi që isha, por gjurulldia e atyre javëve në shtëpi kishte qenë e madhe. Me këto mendime mbi ata, të cilët kishin ardhur ose do t’vinin, kërceva zgupthi nga krevati e në vrapim e sipër hapa derën e dhomës së prindërve duke bërë zhurmë e duke i zgjuar. Me një të qeshur pa shpërfillje kaplova mbi parvazin e thellë të dritares. Binte një rreze dielli e ngrohtë, e cila më ra krejt në fëtyrë duke ma bërë buzqeshjen time akoma më të madhe. Doja të shikoja kryet e rrugicës tonë përtej gardhit. Po vinin ata. Im atë, i shtrirë dhe ndenjur mbi një bërryl, mafmur ende prej gjumit, përpiqej të shihte nga dritarja drejt fundit të bahçes. I mbante sytë nga deriçka e vogël që lidhte pjesën mbrapa të lagjes. Ndërsa mami e kishte futur kokën posht jorganit nën jastik, mbuluar kokë e këmbë, bërë petashuqe njësh me dyshekun. Nga padurimi u çova në këmbë mbi parvazin e thellë të dritares duke u stërgjatur sepse ata po vinin. Ndërsa baba doli për të kontrolluar deriçkën e bahçes. Nuk kisha si ta kuptoja dot atë moment këtë veprim nga ai. Askush nga ne të tre nuk kishte folur asnjë fjalë nga kur i zgjova. Kur im atë u kthye në dhomë, zëri i nënës me timbër të ulët, gati në psherëtimë, e cila ende rrinte e mbuluar e tëra dhe strukur në krevat, mezi e dëgjuam të thoshte:
– Tani nuk kanë nevojë të vinë më hajdutçe. Tani ata çelën çdo portë të këtij qyteti.
Dhe me një lëvizje të shpejtë, plot energji, me krahët e hapura lart si në të fluturuar, e shtyu jorganin e rëndë drejt fundit të këmbëve. Lëkura e saj me ngjyrë si petal tulipani, e njomë, e lëmuar, fëtyra më e bukur në botë u shfaq e revoltuar. Shfryu thellësisht dhe gjatë sa nuk i mbeti grimcë karboni pa nxjerrë nga mushkëritë, aq sa mua mu duk si piskamë, por ajo thjesht shfryu me plot shpirt. Në krah të saj, në buzë të krevatit, u ul im atë, i cili me delikatesën më të madhe ia vuri dorën e tij mbi bark. Ajo shtrirë siç qe e përkëdheli në mjekër. Shikimi i tyre atë moment kur sytë e tyre u ndeshën me njëri tjetrin ende më shoqëron dhe sot kur për pak do t’kap 90-tat. Ai shikim kishte dashuri, dhimbje, krenari, frikë, intimitet, e gjithë qenia njerëzore ishte në atë shikim. Unë isha ulur tashmë në parvaz duke i kundruar me adhurim. Për pak momente ata që po vinin përtej dritares ndaluan së egzistuari, u venitën nën fuqinë e dashurisë. I gjithë universi ishte aty në atë dhomë, në ato prekje të ëmbla, në atë shikim që tha mijra fjalë në heshtje. U hodha nga parvazi dhe pa marrë frymë i përqafova. U ula në prerin e fuqishëm të tim eti, e vendosa ballin tim nën mjekrrën e tij. Ndërsa mami u çua ndenjur dhe më puthi në fëtyrë. Vërtetë isha fëmia më i lumtur në botë. Sa do të doja të egzistonin universe paralele, e ky moment të jetonte në përjetësi, pavdekshmëri.
Si thoni, doni ta lexoni vazhdimin? Nqse po vendos një koment.
___
Marrë nga një shkrim i imi, 7 qershor 2023, “Ata në qytetin tim.” Foto është AI, thjesht fantazi e imja për pararojë…
Ata në qytetin tim. Vazhdim pjesa II…
——— Kthim pas.
Para se të lindja unë.
Im atë kishte mbaruar gjimnazin e qytetit dhe privatisht kishte mësuar italisht për shkak të detyrimeve të tregtisë familjare, dhe një anglishte autodidaktike për simpati ndaj literaturës angleze. I apasionuar mbas fotografisë në shtëpi kishte dhomë të errët për dhjetra fotografitë e shkrepura prej tij. Ai ishte një nga esnafët apo zanatalitë e Pazarit në qytet. Një biznes i trashëguar, prej të cilit vinin të ardhura të majme. Bashk me të atin, vëllanë, xhaxhanë dhe djalin e xhaxhait punonin sëbashku dhe kishin disa dyqane, toka, disa shtëpi, prona me qira, napolonat floriri. Nuk ishin bejlerë, por tregu i lirë kishte lejuar të ngrinin diçka të bollshme. Prodhimet e tyre artizanale tregtoheshin brenda e jasht qytetit, përtej detit në vise të largëta. E kotë të them që punohej shumë, puna ishte bërthama e jetës për ta. Puna ishte lodhje dhe shpërblim. Puna ishte fillimi i fijes dhe mbarimi. Ata punësonin një grup djemsh punëtorësh. Gjithashtu, merrnin jetim nga i gjithë vendi duke i ofruar një vendbanim e shkollim bashk me zanatin, derisa arrinin moshën madhore. Si njerëz besimtarë, por mbi të gjitha njerëz që e njihnin frikën ndaj Zotit, por dhe sepse Zotin e donin, bamirësitë ishin një ritual pothuajse i përditshëm. Nga pajat për vajzat e familjeve të varfra, në kurimin e të sëmurëve jasht, ndërtime vakëfesh si ura, shtëpia, vende fetare dhe publike etj. Ata kryenin pagesën e shkollimeve jasht Shqipërisë për të rinj të talentuar. Blerjen e mjeteve shkollore për klasat e ndryshme në qytet apo fshat. Një ritual filantropie i rrënjosur thellë tek ai. Ky ishte im atë.
Ime më ishte nga të parat femra në vend, e jo vetëm në qytet, e cila ishte shkolluar në një universitet perendimorë. E larguar e vogël nga familja, një familje shumë e njohur, gjimnazin e kishte mbaruar në Vjenë të Austrisë, ndërsa universitetin për Shkenca Politike në Milano të Italisë. Ishte një zonjë, që në botë njihen si “socialite,” jeta dhe zemra e një mbrëmjeje shoqërore. Sa shoqëri kishte me persona nga kultura e vende të ndryshme. Sa udhëtime kishte kryer si në orient dhe në oksident. Sa e apasionuar ishte mbas modes vieneze e milaneze. Por, sa shumë e donte dhe mbronte kulturën e saj të vendlindjes. Në shumë mbrëmje larg atdheut paraqitej me kostumin popullor. Njohëse e thellë e arteve kohore dhe periudhës “Belle Epoque”. Letërsinë e kishte ilaç për shpirtin. Me mbarimin e shkollimeve ishte kthyher në qytetin e lindjes, në qytetin tonë. Ndër të parat femra me punë administrative në Bashki. Punë që e la sepse kuptoi se femra në Shqipërinë tonë ishte mbrapa në shkollim. Kështu u bë mësuese në “Institutin Nana Mretneshë”. Ajo ishte organizuese e shoqatave emancipuese për femrat. Sponsoriueze e qindra vajzave për të ndjekur shkollimet fillore, të mesme dhe ato të larta. Dhe pse vetë ishte mjaft e re në moshë, ajo për vajzat e vogla ishte kthyher si një kompas jete. Emri i madh dhe i njohur i familjes së vajzërisë e kishte vënë gjithmonë përpara përgjegjsisë që të sillej e thjeshtë me banorët, e dashur kurdoherë, e mbi të gjitha të ndihmonte ku të mundte e sa të mundte. Parime të ngulitura rrënjësisht tek ajo. Kjo ishte ime më.
Si thoni, doni ta lexoni vazhdimin? Nqse po vendos një koment.
___
Marrë nga një shkrim i imi, 7 qershor 2023, “Ata në qytetin tim.” Foto është AI, thjesht fantazi e imja për pararojë. Personazhet e paraqitura në këtë tregim janë reale, pa qenë nevoja për emra t’vërtetë sepse paraqitet si novelëz, histori që mua mi kanë treguar pinjollët, i kam lexuar, i kam bubrruar (kërkuar) ndër shumë vite. Histori e personazhe nga familjet jo vetëm ku kam hy e dalë, ku kam kaluar vitet e fëmirisë dhe adoleshencës, por dhe histori që më kanë shoqëruar gjithë jetën. I kam ndërthurur bashkë, histori të ndërlidhura pak nga njëra e pak nga tjetra, ashtu siç mendova t’i paraqis si një novelëz.
Ata në qytetin tim. Vazhdim pjesa III…
———
Njohja e prindërve.
Ishin vitet 30-të dhe qyteti jonë gumëzhinte nga intelektualizma. Ishin hapur aty kinematë e para në vend, galeria e arteve e para në vend, spitali i madh modern i pari në vend, arkitekturë e gjithanshme, e para pasarelë mode në vend, lokale me mbrëmje festive, ekonomia lulëzonte, mirqënia kishte marrë një hov të madh dhe nuk kishte ndonjë varfëri për ta përmendur në qytet. Të gjitha shtresat jetonin në përgjithësi mirë, por mbi të gjitha harmonia, liria, gëzimi gjithpërfshirës në qytet ndjehej kudo.
Halla ime, motra e vogël e tim eti, ndiqte “Institutin Nana Mretneshë”. Një ditë i thotë vëllait, se i duhej të shkonte në takim me prindër. E ëma e tyre kishte vdekur mjaft e re, halla pothuajse mezi e mbante mend. Kështu im atë ishte për të nënë e baba. Ai e kishte rritur, madje qysh e vogël fare flinte me një krevat me të vëllanë. Ai për të motrën jetën e kishte pak t’ia falte. Dashuria vëlla-motër ishte kthyher në baba-bijë sepse diferenca në moshë ishte e konsiderueshme. Ai donte për të motrën të shkollohej, të bëhej e pamvarur, të ishte e zonja e vetes. Kështu kur shkoi atë mbasdite në takimin me prindër nuk i kishte shkuar ndërmend se përpara do t’i dilte një mësuese e re, pakashumë moshatare e tij. Eleganca, elokuenca, mirësia e mësueses e kishin mahnitur. Ai mund të kishte qendruar aty me orë duke e dëgjuar. Aq sa dhe motra e vogël diçka e nuhati përtej naivitetit. Aq shumë u ngjis mbas intelektualizmës së mësueses, hijeshisë së saj, saqë pothuajse ai nuk foli fare duke ndjerë paksa dhe turp.
Mbas pak kohësh prej atij takimi, im atë kishte lexuar në gazetën “Arbënia” për një mbrëmje bamirësie, e cila organizohej në “Institutin Nana Mretneshë”. Mendja direkte, pa e kuptuar dhe ai vetë, i kishte vajtur tek mësuesja e këndshme nga takimi me prindër. Zgjodhi kostumin më të mirë që kishte, leu flokët me brillantinë, i krehu me aq kujdes duke i çuar mbrapa si me onde. Salla e madhe ishte e mbushur plot. Mblidheshin fonde për të nisur me studime me bursë në Universitetin e Romës në Itali vajza të reja që ishin me rezultate të larta në mësime. Mbasi kreu detyrimin financiar, sytë nuk i rrinin me një vend. E kërkonte mësuesen në gjithë atë mori njerëzish. Derisa mësëfundi e gjeti, e rrethuar me njerëz kudo, me djem bukurosha e vajza të veshura plot lluks të epokës. U ndje sikur nuk përkiste në atë ambient dhe nuk gjeti dot guximin t’i afrohej ta përshëndeste në atë grupim.
Derisa një moment dëgjoi t’i thirrej me të madhe emri i tij. Shtangu, u skuq i tëri dhe në vend të kthente sytë nga kush e thërriti aq fort shikonte nga mësuesja, e cila si shumë të tjerë, ktheu sytë dhe ajo nga ai. Shikimi tyre u ndesh për disa sekonda dhe ajo nuk shpejtoi fare t’i largonte sytë nga ai. Nga ai shikim disi i gjatë im atë u bë me krah, fluturonte dhe gufmonte nga ndjenjat që po ndjente në trupin djaloshar. Papritmas ndjeu një përqafim të fort nga mbrapa. Ishte kushëriri tij, i cili ishte kthyher nga studimet në Kembrixh të Anglisë. Mbasi u përqafuan me mall, e si dy çuna të ri plot energji, kushëriri e ngacmoi për super veshjen elegante. Im atë ishte mjeshtër artizanal, s’kishte të dytë si ai, aq i arrirë ishte në punë, por mbrëmjet elegante s’qenë për të. Aq shumë si duket kthente sytë im atë nga mësuesja sa kushëriri e dalloi interesin e veçantë. E kur i tha se e njihte, se e kishte mikeshë shtëpie, im atë nuk iu shqit duke e pyetur qindra, jo jo, mijra pyetje për mësuesen simpatike. Të dy e lanë se do të organizohej një festë e vogël për rikthimin nga Anglia të kushëririt ku do t’ftohej sigurisht mësuesja dhe do t’bëhej një rinjohje midis tim eti dhe mësueses.
Si thoni, doni ta lexoni vazhdimin? Nqse po vendos një koment.
___
Marrë nga një shkrim i imi, 7 qershor 2023, “Ata në qytetin tim.” Foto është AI, thjesht fantazi e imja për pararojë. Personazhet e paraqitura në këtë tregim janë reale, pa qenë nevoja për emra t’vërtetë sepse paraqitet si novelëz, histori që mua mi kanë treguar pinjollët, i kam lexuar, i kam bubrruar (kërkuar) ndër shumë vite. Histori e personazhe nga familjet jo vetëm ku kam hy e dalë, ku kam kaluar vitet e fëmirisë dhe adoleshencës, por dhe histori që më kanë shoqëruar gjithë jetën. I kam ndërthurur bashkë, histori të ndërlidhura pak nga njëra e pak nga tjetra, ashtu siç mendova t’i paraqis si një novelëz.
