Qyteti i Delvinës ka kaluar një nga netët më të vështira, pasi një zjarr i madh dhe i rrezikshëm iu afrua rrezikshëm zonave të banuara, duke shkaktuar panik mes qytetarëve. Flakët përparuan me shpejtësi dhe, për disa orë, situata ishte pranë jashtë kontrollit. Fatmirësisht, përmes përpjekjeve të strukturave vendore dhe banorëve, zjarri u mbajt nën kontroll gjatë natës.
Ndërhyrja ajrore filloi vetëm në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, me dy helikopterë që u angazhuan për shuarjen e vatrës kryesore, e cila mbetet ende aktive në zonat përreth qytetit.
Megjithatë, banorët shprehen të zemëruar për mungesën e reagimit të shpejtë dhe mungesën e koordinimit nga autoritetet përgjegjëse.
“Po të pyesësh Kryeministrin, do të thotë se e di sa e vështirë është kjo situatë… Por nuk është ndërhyrë në kohë. Shërbimet zjarrfikëse dhe avionët kanë pasur shumë vonesë. Emergjencat nuk kanë qenë fare, ndërsa prefekti erdhi në orën 2 të mëngjesit,” – shprehet një qytetar për mediat lokale.
Sipas dëshmisë së tij, zjarri në Delvinë është aktivizuar brenda tre minutash, rreth orës 08:20 të mëngjesit së martës. Mungesa e infrastrukturës rrugore dhe terreni i vështirë janë përmendur si pengesa për ndërhyrjen në kohë:
“Nuk ka rrugë, nuk ka ku të hyjë zjarrfikësja, nuk ka ku të hipë në mal. Jemi të bllokuar.”
Qytetari shpreh zhgënjimin edhe për mungesën e mjeteve të duhura ajrore, duke bërë thirrje për deputetët: “Kam një thirrje për deputetët: Mos të marrin dy muaj rrogë, por të blejnë dy aeroplanë për të shuar zjarret.”
Për shkak të rrezikut në rritje, në disa zona është kërkuar evakuimi i banorëve. Por për shumë prej tyre, largimi është një vendim i dhimbshëm: “Na kërkuan të evakuoheshim, të linim gjithçka pas. Po kush do të na kthejë mundin e 65 viteve punë e sakrifica?”
Aktualisht, ndërhyrja nga ajri po vijon, ndërsa autoritetet janë ende në terren për të siguruar që zjarri të mos rindezët apo të përhapet në zona të tjera. sn