Kur pashë 200 policë që rrethonin TV News 24, mendova: ndonjë lajthitje vere, ndoshta nga temperaturat e larta, ose ndonjë mesazh alla Erdogan drejtuar televizionit, që “hiq dorë nga vija kritike ndaj qeverisë”, i cili do të zgjaste 24 orë e pastaj do shuhej.
Por kur pashë policinë të akomoduar në ambientet e TV-së sikur të ishte një komisariat, atëherë nuk mund të rrija pa thënë disa të vërteta.
E para, si gazetar dhe si ish-koleg për 14 vite në News 24, jam në krah të stafit të televizionit, ku shumicën i njoh si t’i kem anëtarë të familjes. E njoh përkushtimin e tyre profesional dhe familjar, dhe me sa sakrifica e çojnë jetën përpara, ndërsa tani duhet të mendojnë edhe për këtë siklet të madh që do të cënojë financat e tyre.
Skena që panë shqiptarët i ngjan një pushtimi policor, siç kemi parë në Turqi, Rusi apo Serbi.
Pretendimi se i ka mbaruar kontrata bie poshtë, pasi vetë Rama nuk e rinovoi qëllimisht kontratën ditën kur ia mori administrimin e godinës Bashkisë së Tiranës dhe ia kaloi Ministrisë së Financave.
Për ata që i bien fyellit të qeverisë se “kështu ka vendosur gjykata”, ju them që gjykata, me vendim të formës së prerë, ia ka kthyer pronën pronarëve të ligjshëm që jetojnë në Shkozë, por qeveria po ua grabit me artificën e një gjoja fabrike ushtarake, e cila, në mënyrë skandaloze, është vendosur në një zonë me popullsi të dendur, duke u kthyer në rrezik real.
Alibia e fabrikës bie edhe për një fakt tjetër, pasi zona është e studiuar për ndërtim pallatesh dhe qartazi po përdoret e njëjta metodë maskimi për t’ua hequr nga dora pronarëve, gjoja për “interes shtetëror”, njësoj siç u veprua me Liqenin e Farkës, ku pasi u kthye në park rekreacioni, sot është betonuar thuajse plotësisht nga njëra anë dhe pritet edhe ana tjetër.
Pak kush ka bërë pyetjen: pse u zgjodh Shkoza për fabrikë ushtarake, kur qeveria ka nën administrim 1200 ish-reparte, ku disa prej tyre ia ka falur bizneseve për restorante peshku apo agroturizëm? Çudi vërtetë.
Për mua si gazetar nuk ka asnjë mëdyshje: gjithçka bëhet për t’i zënë gojën për pak kohë News 24, ndoshta edhe për ta detyruar pronarin që ta shesë i detyruar median më të madhe informative në vend; dhe nga ana tjetër, për lakmi ndaj territoreve të lira për pallate, ku vetëm Shkoza ka mbetur ende jashtë betonizimit sistemik.
Vetë kryeministri e ka thënë me gojën plot: “Nuk keni parë gjë akoma”, fakt që po e vërteton çdo ditë e më shumë.
Ndaj, ajo që po i ndodh News 24, në mes të ditës dhe para syve të ndërkombëtarëve, herët a vonë do t’i trokasë në derë të gjithëve që kritikojnë me të drejtë qeverinë e 1001 zullumeve.
Por ky pushtim policor nuk është diçka e panjohur për opinionin publik, absolutisht jo! Është i njëjti stil, e njëjta regji, e përdorur më herët në aksionet policore për marrjen me forcë të burimeve ujore nga jugu në veri, që të pasurohen disa individë me HEC-e me tuba, duke shkretuar krahina të tëra si në Mirditë, Vlorë, Mat, Gramsh, etj.
Po kështu, në marrjen e tokave bujqësore për panele diellore; tek përdorimi i forcës në mbrojtje të oligarkëve teksa zaptojnë tokat buzë detit, zonat e mbrojtura, parqet arkeologjike, veprat e artit e kulturës; dhe së fundi, teksa po përpiqen me ligj të zaptojnë malet, e mandej do ta kenë radhën edhe kodrat me ullinj.
I njëjti skenar pushtues u përdor për nxjerrjen me forcë, e deri me gaz lotsjellës, të qindra familjeve dhe prishjen e shtëpive të tyre me sebepin e tërmetit, si në zonën e “5 Majit” e në Kombinat, dhe pa harruar Astirin, Pallatin me Shigjeta, Shkozën, Stacionin e Trenit, Paskuqanin, ku prishjet u bënë në emër të zhvillimit dhe pa asnjë ndjenjë njerëzillëku e humanizmi për ata njerëz që mbetën rrugëve, apo dyerve të gjykatave, sot e gjithë ditën të pastrehë.
Pa mbyllur shkatërrimin e Thethit, iu turr lokaleve që vetë ai ose bashkëpunëtorët e tij u kishin dhënë leje, por nuk priti as të mbyllej sezoni, duke llahtarisur turistët që panë policinë të nxirrte kallashët si nëpër filma dhe “shijuan” shpërthimet me tritol si menu ekstra për vizitorët europianë të Thethit.
Tani Rama po pushton mediat njësoj si Erdogani në Turqi, Vuçiçi në Serbi dhe Putini në Rusi — tre vende autokratike nga ku qartazi kryeministri po merr leksione se si të mbajë popullin zap me patronazhistë, policë vullnetarë apo milici partiake, dhe pse jo, me një kod të ri penal alla Erdogan, ku kryefjala është burg.
Ndërkohë, po ky Rama me shokët e tij u bënë mburojë njerëzore për të penguar nxjerrjen me forcë të Top Channel nga ambientet e Piramidës në vitet 2007–2011. Besoj se shqiptarët nuk e kanë harruar ngujimin brenda Top-it të disa deputetëve të PS-së për të penguar policinë të zbatonte të njëjtat vendime qeveritare si sot.
Po, meqë argumenton se “kështu ka vendosur gjykata”, pse nuk e thotë të vërtetën e plotë? Gjykata, me vendim të formës së prerë, ua ka kthyer tokën pronarëve që jetojnë në Shkozë dhe shteti shqiptar ka dy vite që refuzon ta zbatojë këtë vendim, duke krijuar artifica si e ashtuquajtura fabrikë për mjete luftarake, që në thelb kanë grabitjen e tokës dhe dhënien e saj për pallate.
Mesazhi përmes forcës policore në çdo cep të Shqipërisë që po jep Rama është i qartë: “Ose nënshtruhuni e bëni atë që them unë, ose këmbët në krahë e ikni larg, se ka sirianë, afganë, bangladeshas, srilankas, italianë e izraelitë që do vijnë e do ripopullojnë Shqipërinë”.
Koha do ta tregojë se kush mashtron e kush po thotë të vërtetën!
Shënim: ky shkrim nuk ka asnjë prapavijë politike, apo interes çfarëdo për ti bërë qokën Irfanit, pronarit te tv-së, pasi siç e dini unë jam larguar nga news 24 prej 3 vitesh! Ky qëndrim është vetëm për të mbështetur kolegët e mi, zërin kritik, si dhe emrin e televizionit ku u rrita si gazetar dhe që është një pasuri e popullit.