S`janë reklamat,
Luksi,
As vitrinat,
Motivi për ta dashur një qytet.
Mjafton kjo grua me nurin që hijeshon,
Këto vajza, që duket sikur bëjnë rrëmujë,
Që s`ngrenë gracka me gjuhën e trupit,
S`ka qytet më të ndyrë
Nga ai që i dorëzohet llumit.
.
Injorojeni panairin e kotësive,
(Tregun e skllevërve në një semafor kollaj e gjen,)
Të dekoruarit me tituj fals e bëjnë pis qytetin,
Sikurse ata që mbahen,
Se në duar kanë çelsat e hadit,
Qoftë dhe fatin tënd.
Mjaftojnë këto gra e vajza të bukura
Për të kuptuar se në këtë qytet
Ka djem, që mund të gdhihen heronj
Dhe burra me mend.
.
Fatbardh Amursi