UVIL ZAJMI/ Dhjetor 1996. Një Shqipëri përgatitet për festat. Si zakonisht i paraprin Festivali i Këngës në Radio Televizion. Por, ai fund viti nuk do të jetë si gjithë të tjerët. Pikërisht atë muaj, në Shqipëri do të ndodhin disa ngjarje: në Lushnje si trajneri i skuadrës së futbollit do të vijë argjentinasi Mari Kempes, kampioni i botës 1988, me një kontratë fantastike ofruar nga familja Xhaferri. Më 19 dhjetor në moshën 72-vjeçare do të ndahet nga jeta aktori me famë botërore, italiani Marcelo Mastroiani.
Ai muaj do të sjellë në Tiranë për herë të parë këngëtaren e njohur italiane, fituese e “Sanremove”, Ana Oksën, me origjinë shqiptare. Ndërkohë, sapo kanë nisur protestat për fajdet, ku në qendër të tyre është fillimisht një grua me emrin Sude. Nga njerëzit fajdexhinj kërkohet kthimi i parave të dhëna me fajde. Është vetëm fillimi. Shpejt do të shpërthejnë revoltat, situata ka nisur të precipitojë, tensionohet, çka e shqetëson, detyron shtetin të angazhohet, duke reaguar me premtime. Por është shumë vonë. Ditë pas dite, gjendja do të degjenerojë pa kthim.
FESTIVALI I KËNGËS NË RTSH
Më 19 dhjetor 1996, në Pallatin e Kongreseve, nis festivali. Katër ditë. Drejtor artistik maestro Zhani Ciko, regjisor Osman Mula. Skenaristë Zana Çela, Agim Doçi, stiliste Mariana Eski, Taulant Pustina. Prezantues: Ardit Gjebra, Valbona Çoba, ish-mis, që vjen nga Greqia dhe Rudina Magjistari. Fituese do të shpallet 15- vjeçarja gjimnaziste e “Petro Nini Luarasit”, Elsa Lila, me këngën “Pyes lotin”, me tekst të poeteshës vlonjate Enrieta Sina, me muzikë të Valentin Veizit. E dyta, Mira Konçi dhe Aurela Gaçe në të tretin.
30 vite më parë Nikoleta Shoshi, 14-vjeçare fitoi çmimin e parë me “Flakë e borë”, në festivalin e dytë të këngës, një kompozim i Tish Daisë; më 1969, David Tukiçi, 13 vjeç, do të shpallet fitues me “Dhuratë për ditëlindje” të kompozitorit Nikolla Zoraqi, me tekst të Fatos Arapit; pas 27 vitesh, Elsa Lila do të jetë e treta në historinë e këtij festivali, 15 vjeçe, fituese e tij.
Rrëfimi i Zhani Çikos
Edhe pse kanë kaluar gati 3 dekada, artisti, dirigjenti, muzikanti i njohur, dëshiron t’i rikthehet Festivalit të 35-të në Radio Televizion. Si një event jo vetëm me rëndësi, vlera artistike, por edhe në disa drejtime. Një veprimtari, ku do të përfshihen artistë të muzikës shqiptare, kompozitorë, poetë, deri të huaj e me famë.
Midis tyre, e ftuar speciale, Ana Oksa. Maestro Zhani, çfarë ishte ai festival, ku ju jeni drejtori artistik?
Ishte edicioni i 35-të, pra një festival jubilar. Pati një angazhim nga të gjithë. Mbështetja financiare nuk mungonte, si ajo institucionale, por edhe nga sponsorë të ndryhëm. Jemi në kohën kur fajdet vlojnë. Shumë firma, fondacione të njohura janë mbështetëse të tij. Pa menduar se çfarë do të ndodhte pak më vonë.

Një festival i këngës, me të ftuar të njohur, shqiptarë e të huaj?
Për këtë qëllim, muaj më parë u mendua, u projektua të ftohen artistë të shquar dhe ai festival do të kishte rikthime të këngëtarëve të njohur shqiptarë, protagonistë në ato të kaluar. Midis tyre, Parashqevi Simakun me bashkëshortin kitarist etj.. Si dhe të huaj deri nga Izraeli. Nga Italia, Ana Oksën, këngëtarja me famë, me origjinë shqiptare. Ishte edhe ky një motiv që e thirrëm në atë festival.
Disa nga konkurruesit, cilët janë?
Osman Mula autor i këngës, duetit Vikena Kamanica me Saimir Çilin “Flas me rininë tënde”, Ledian Çelo me “Kërko dashurinë”, një kompozim Papangji-Shehu. Fitnete Tuda, me “Shi bie në Tiranë” e krijuar nga vetë kantautorja maqedonase. Mira Konçi me “Fatit i besoj”, e Shpëtim Saraçit, “Rroku i burgut” nga Françesk Radi, Rovena Dilo me “Unë dhe koha”, “Hiqmi maskat”, e kënduar nga Irma Libohova, me muzikë të Gazmend Mullait, tekst të Zhuliana Jorganxhi. Ndërsa Enxhi Nini do të paraqitet me “Kur jam pranë teje”, Shirli Polena me “Mbeti diku larg”, “Zemrën nuk ta fal” nga Adelina Ismajli, kënga “Zhgënjimi”, teksti Alqi Boshnjaku, muzika Kujtim Laro, do të këndohet nga Alma Bekteshi. “Kthehu për vete dhe për mua” do të interpretohet nga Eranda Libohova; Frederik Ndoci do të prezantohet me “Kitarat e paqes” dhe “Engjëjt e Prespës”.
“Balada për Jakup Ferrin” nga “Djemtë e Detit”, “Vajza me tigër” do të këndohet nga Dashnor Diko, “Jeta nuk është lodër” nga Arbërije Hatërgjonaj. Gili me “Ding Dong”, Aureal Gace me “Me jetën dashuruar”, tekst Shpëtim Rroqi, muzikë Markelian Kapedani. Donika Gashi me “Eja sonte”, bashkëshortët kosovarë Armend Regjepagiç dhe Aida Barakun me këngën “Ti nuk më meriton”, treshja MakashiGjoka-Deda me “Të pranoj si je”, Rovena Stefa me “Amfiteatër në mes të detit”, Genc Dashi me “Zgjohu nga ëndrra” si dhe “Akullthyesit” me “E dashura”. Kantautori Pirro Çako, nuk mundi të vite nga Franca.
E ftuar edhe Oksa, ka një kuriozitet për ardhjen e saj?
Sponsori që e solli Ana Oksën ishte një firmë e njohur, përfaqësuesi i të cilës, tejet dashamirës, por që na vuri kushtin që të mos i përmendej në asnjë rast emri i tij. Çështje xhelozie me gruan. Në katër net, Gjebrea nuk e përmendi në asnjë moment emrin e tij.
Në Rinas, pritja, takimi, por ka një kërkesë prej saj?
Ana Oksa erdhi me një çarter, gjithçka e organizuar nga Agim Doçi. Bashkë me Ardit Gjebrenë shkuam në aeroport dhe për ta marrë na dhanë ish-makinën e Enver Hoxhës. Avioni kishte ardhur pak përpara dhe e gjejmë Anën duke na pritur. Menduam se do të vinim direkt në Tiranë, në hotelin “Rogner”, ku i kishim rezervuar qëndrimin, akomodimin, por jo.
Pse, çfarë ndodhi?
U nisëm për në Krujë, pasi donte të njihte njerëzit e të atit, xhaxhanë, i vetmi që i kishte mbetur. Takimi ishte prekës. Asnjëherë se kishte takuar e parë atë, fëmijët, mbesat nipërit e tij. Sabah Hoxha quhej dhe me vëllain Qazim, që më 1969 kishte ndërruar jetë, nuk ishte takuar kurrë nga largimi i tij në Itali. Siç na tregoi, kishte qenë dy herë në Itali, por tentativat për të takuar fëmijët e tij, Anën, Ymerin dhe motrën Xhemile, që kishin trashëguar emrat e prindërve, i kishin dështuar.
Në Krujë, një takim shumë emocionues, mbesa me xhaxhain?
Aty qëndruam në një restorant popullor te Pazari. Momente emocionuese, kur Sabahu përqafohej me mbesën, Ana. Kishte organizuar një pritje mjaft të ngrohtë. Edhe për Anën nuk ishte e lehtë, çaste që e tronditën thellë, siç edhe u shpreh. Një herë e parë për të në të gjitha drejtimet, në vendin, qytetin ku kishte lindur babai i saj. Në mesditë u kthyem në Tiranë. Në mbrëmje, ajo do të këndonte.
Kërkesa të mëdha për të qenë të pranishëm në atë festival?
Të gjithë donin të ishin të pranishëm në sallë në ato katër net. Ka tension, kureshtje nga specialistët për çfarë pritet, do të përcjellin këngëtarët, këngët. Pastaj prania e Ana Oksës e shtonte më shumë. Në sallë ishin edhe të afërmit e saj.
Ka një prezantim tejet të veçantë nga Gjebrea dhe vetë ajo?
Do të interpretoheshin 36 kompozime. Ana këndoi në mbrëmjen e natës së tretë. Kur u shfaq në skenë, e prezantuar nga Ardit Gjebrea, ajo u shpreh me një frazë që ia sugjerova unë në shqip para se të dilte në skenë dhe që u duartrokit nga salla kur tha: “Unë jam vajza e Qazimit Hoxhës prej Kruje”. Këndoi këngën “Donna con te” dhe një tjetër. U largua pas festivalit në mesnatë, se kishte të nesërmen angazhime artistike në Milano.
/Gazeta Panorama