Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar ashpër pas publikimit të videove tronditëse nga Hamasi, ku shfaqen dy pengje izraelitë në gjendje ekstreme, mes tyre një me shtetësi gjermano-izraelite. Merz kërkoi fundin e Hamasit dhe çlirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, duke theksuar se një armëpushim i qëndrueshëm nuk mund të ndodhë pa këtë hap thelbësor.
“Jam i tronditur nga pamjet e Evyatar David dhe Rom Braslavsky. Hamas po i torturon pengjet, po terrorizon Izraelin dhe po përdor popullin e Gazës si mburojë njerëzore,” – u shpreh Merz për gazetën Bild.
Pamjet, të publikuara nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik, tregojnë dy pengje në kushte ekstreme – njëri i detyruar të hapë një varr në një tunel, tjetri në gjendje emocionale të rëndë. Merz theksoi se Hamasi nuk mund të ketë rol në të ardhmen e Gazës dhe i kërkoi Izraelit të ruajë qasjen humane, duke mos e pasqyruar brutalitetin e kundërshtarit.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul reagoi, duke e përshkruar situatën si “horror i pastër” dhe duke kritikuar Hamasin për “çnjerëzimin total të viktimave të tyre”. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Izraelit të lehtësojë ndihmat për civilët palestinezë:
“Bllokada po çon në uri masive. Njerëzit po vdesin, po vuajnë dhe po vuajnë nga etja.”
Për të ndihmuar situatën humanitare, ushtria gjermane ka ndërmarrë hedhje ajrore ndihmash mbi Gazë, në bashkëpunim me Jordani, ndërsa operacionet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
Nga ana tjetër, Markus Söder, lideri i CSU-së dhe kryeministër i Bavarisë, nënvizoi se Gjermania mbetet partneri më i ngushtë i Izraelit, duke theksuar:
“Izraeli është demokracia e vetme në Lindjen e Mesme. Ne qëndrojmë përkrah tij.” gsh