Qeveria italiane ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian lidhur me mundësinë që gjykatat kombëtare të rishikojnë vendimet e shteteve mbi përcaktimin e “vendeve të sigurta të origjinës” për emigrantët.
Në një notë zyrtare të lëshuar nga Palazzo Chigi, ekzekutivi shprehet i shqetësuar për atë që e cilëson si një “marrje kompetencash politike nga jurisprudenca evropiane”.
“Habit fakti që Gjykata i kalon gjyqtarëve kombëtarë jo vetëm vlerësimin e rasteve individuale, por edhe aspekte të politikës së kthimeve dhe dëbimeve të migrantëve të parregullt. Kjo vendos në diskutim vlerësimet e institucioneve qeveritare dhe të Parlamentit, duke favorizuar edhe burime private në vendimet juridike”, thuhet në deklaratë.
Gazetarja Alba Kepi raporton për Syri Televizion se qeveria e Melonit paralajmëron se ky vendim rrezikon të dobësojë masat kundër emigracionit të paligjshëm masiv dhe të kufizojë më tej hapësirën e manovrës për shtetet anëtare në fushën e sigurisë kufitare.
Kritikat italiane vijnë vetëm disa muaj përpara hyrjes në fuqi të Paktit të ri evropian për migracionin dhe azilin, për të cilin Roma pretendon se ka luajtur një rol konstruktiv.
“Vendimi i sotëm është i papërshtatshëm në një moment ku Bashkimi Evropian po përgatitet të zbatojë rregulla më të forta e të përbashkëta për menaxhimin e migracionit. Për këtë arsye, Qeveria italiane do të vazhdojë të kërkojë çdo rrugë ligjore dhe teknike për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, përfundon nota e Palazzo Chigi. sn