Artistët nuk janë objektiva politike. Pushteti nuk vlerëson artin, ate e bën publiku.
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë lajmin për dy aktorë të mirënjohur të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Simon Shkreli dhe Vladimir Doda, ku janë përballur me një akt arbitrar, të turpshëm dhe të paarsyeshëm për nisjen e procedurave për largimin e tyre nga puna, përmes një shkresë burokratike që përdor si arsyetim “mungesë efikasiteti, efektiviteti, produktiviteti dhe cilësie në punë”.
Në vend të dialogut artistik, pushteti vendor ka zgjedhur zhargonin e kontabilitetit. Në vend të vlerësimit të kontributit në skenë dhe komunitet, jepen etiketime të thatë e fyes nga zyra ku arti nuk hyn kurrë.
Pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk është anëtar i sindikatës, ne qëndrojmë në krah të çdo artisti që përballet me padrejtësi, mungesë transparence dhe ndërhyrje politike në institucionet e artit dhe kulturës.
Dy aktorët në fjalë janë emra të respektuar, me karrierë të gjatë brenda dhe jashtë vendit, dhe me kontribut të padiskutueshëm në jetën artistike të qytetit dhe vendit.
Sindikata po nis procedurat për t’iu drejtuar:
- Inspektoratit Shtetëror të Punës,
- Avokatit të Popullit,
- dhe institucioneve të tjera përkatëse,
me qëllim ndalimin dhe anulimin e vendimit, si dhe garantimin e transparencës institucionale dhe të drejtës për proces të rregullt.
Dinjiteti i artistit nuk mund të jetë objekt hakmarrjeje.
As justifikim për statistika burokratike.
Ne jemi këtu – edhe kur ata nuk janë pjesë e jona. Sepse jemi të gjithë pjesë e së njëjtës skenë.
Tiranë, 29 Korrik 2025
Kryesia e SPAKMSH