Presidenti i SHBA, Donald Trump, është diagnostikuar me insuficiencë venoze kronike, një gjendje e zakonshme tek të moshuarit, pasi kishte shfaqur ënjtje të lehtë në këmbët e poshtme gjatë javëve të fundit, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Sipas zëdhënëses së shtypit, Karoline Leavitt, presidenti 79-vjeçar iu nënshtrua një ekzaminimi të plotë, përfshirë analiza vaskulare, të kryera nga Njësia Mjekësore e Shtëpisë së Bardhë. Leavitt lexoi një deklaratë nga mjeku personal i Trump-it, Kapiten Sean Barbabella, i cili konfirmoi diagnozën.
“Ultratingujt doppler të ekstremiteteve të poshtme zbuluan insuficiencë venoze kronike, një gjendje e zakonshme, veçanërisht tek personat mbi moshën 70 vjeç”, thuhej në raportin mjekësor sipas CNN.
Leavitt theksoi se nuk u gjetën shenja të trombozës së venave të thella apo sëmundjeve arteriale, ndërsa analizat laboratorike ishin “brenda kufijve normalë”. Trump gjithashtu iu nënshtrua një ekokardiograme, e cila nuk tregoi probleme me zemrën, veshkat apo sëmundje sistemike.
Insuficienca venoze kronike është një gjendje ku valvulat brenda venave nuk funksionojnë siç duhet, duke çuar në grumbullim të gjakut në venat e këmbëve.
Simptomat përfshijnë ënjtje, dhembje apo lodhje në këmbë, vena varikoze dhe ndryshime të lëkurës. Trajtimi mund të përfshijë medikamente, kompresim ose procedura mjekësore në faza më të avancuara.
Zëdhënësja e shtypit gjithashtu komentoi për mavijosjen e dukshme në pjesën e pasme të dorës së presidentit, duke e atribuar atë tek shtrëngimet e shpeshta të duarve gjatë eventeve publike, si dhe përdorimit të aspirinës, që hollon gjakun dhe mund të shkaktojë mavijosje më të lehta. sn