Roterdami do të bëhet qyteti i parë në Holandë që do të lejojë qarkullimin e një autobusi vetë-drejtues në rrugët publike, duke nisur nga data 1 gusht. Pas disa vitesh përgatitje dhe testimesh, autobusi autonom do të transportojë pasagjerë nga stacioni i metrosë Meijersplein deri në Aeroportin e Roterdamit në Hagë.
Ky projekt përfaqëson një hap të madh drejt automatizimit të transportit publik dhe u testua për herë të parë me sukses javën e kaluar.
Për momentin, në bord do të jetë ende i pranishëm një shofer për të mbikëqyrur funksionimin dhe për të ndërhyrë në raste të nevojshme, siç kërkojnë rregulloret aktuale. Zëdhënësja e kompanisë së transportit RET, Tessa Dronzek, theksoi se legjislacioni ende nuk lejon automjete autonome pa asnjë njeri brenda tyre. Megjithatë, kjo pritet të ndryshojë me zhvillimet e ardhshme teknologjike dhe ligjore.
Drejtoresha e përgjithshme e RET, Linda Boot, siguroi se ky projekt nuk do të ndikojë negativisht në vendet e punës për shoferët, duke theksuar se aktualisht kompania ka mungesa të konsiderueshme në staf. “Kemi vërtet nevojë për këtë teknologji për të zgjidhur një problem”, u shpreh ajo.
Autobusi është i pajisur me kamera, radarë dhe sensorë dhe është vlerësuar si i sigurt për t’u futur në trafik nga Administrata Kombëtare e Rrugëve, pas një sërë testimesh të detajuara. Linja ku do të operojë mjeti është përzgjedhur për qartësinë dhe thjeshtësinë e saj, duke pasur pak situata të komplikuara trafiku.
RET thekson se përpara se teknologjia të përhapet më gjerësisht në rrugët publike, duhen ende disa vite zhvillim dhe përshtatje ligjore. Projekti është rezultat i një bashkëpunimi mes DAM Shuttles, RET, Aeroportit të Roterdamit në Hagë, Metropoolregio Rotterdam Den Haag, HTM dhe komunës së Roterdamit.sn