Ish-ambasadori gjerman Werner Daum u nda nga jeta në Shqipërinë e tij të dashur, vendin që ai e vizitoi shpesh, e deshi pa kushte dhe ku mbështeti me gjithë zemër popullin e saj.
Diplomati 82-vjeçar, i cili kishte mbërritur së fundmi në vendin tonë, u gjet i pajetë në dhomën e tij të hotelit, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij në tokën ku la gjurmë të pashlyeshme.
Para pak ditësh, Daum mori pjesë në inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë Josif Budo në Kavajë, ndërsa një ditë më parë SYRI TV pati fatin dhe nderin ta kishte një intervistë ekskluzive.
Në këtë bisedë të fundit, ai rrëfeu me emocion angazhimin e tij të jashtëzakonshëm kundër regjimit komunist, duke pranuar se kishte vepruar i vetëm kundër qeverisë së tij për t’i hapur dyert shqiptarëve drejt lirisë.
Si ambasador në Shqipëri nga viti 1987 deri në 1990, Daum hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin shpresë dhe liri, duke sfiduar urdhrat e qeverisë së tij dhe duke u bërë një mbështetje e fuqishme për popullin shqiptar në një nga periudhat më të vështira të historisë së tij.
Dashuria e thellë e Daumit për Shqipërinë dhe njerëzit e saj e bën ndarjen e tij nga jeta një humbje të madhe, ndërsa Syri TV shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të këtij njeriu të nderuar, duke u ndjerë krenar që pati mundësinë të kapte në intervistën e tij të fundit një dëshmi kaq të çmuar.
RRËFIMI I FUNDIT PËR SYRI TV:
Pse ndihmova unë kur gati 3 mijë shqiptarë hynë në ambasadën time, pse i lashë portat e hapura?
Kisha parandjerë prej kohësh, prej gati një viti, nga mesi i vitit 1989, se gjendja e Shqipërisë dhe gjendja e shqiptarëve po ndryshonte.
Tashmë shqiptarët nuk po ndjeheshin më të frikësuar prej shtypjes dhe prej makinerisë shtypëse së qeverisë, por ishte një popull i gatshëm të rrezikonte, madje edhe të binte fli për lirinë dhe për kushte ekonomike të ndryshme dhe më të mira dhe për mundësi më të mira.
Të gjithë shqiptarët e donin lirinë në çdo kuptim, donin të kishin mundësinë të flisnin lirshëm, të shkëmbenin mendimin e tyre me të tjerët si brenda vendit ashtu edhe me persona të tjerë, sidomos me të rinj jashtë vendit dhe unë e kisha ndjerë këtë.
Shkëndija që i dha forcë revolucionit ishte demonstrata në Kavajë, dhe në Kavajë nuk shpresonin për të sulmuar ambasadat për të dalë nga vendi, por donin lirinë, dhe unë e ndjeva këtë.
Ambasadat e para ku sidomos të rinjtë shqiptarë u drejtuan ishin ambasadat greke, franceze dhe ajo italiane, kishte disa dhjetëra dhe askush nuk tentoi të kërkonte strehë tek ambasada gjermane.
Thashë me vete si ka mundësi, unë duhet të bëj diçka, duhet t’u tregoj njerëzve se janë të mirëpritur, nuk isha i gatshëm të dilja dhe t’u thoja ejani dhe t’i ftoja, por doja t’ua bëja të qartë nëpërmjet disa formave se njerëzit ishin të mirëpritur në ambasadën gjermane dhe se ne do të bënim ç’të mundnim për t’i ndihmuar.
Atë ditë që të gjithë evakuuam ambasadën, unë isha i fundit që u largova, ndezëm dritat dhe pas asaj lashë portat gati një metër të hapur në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ky ishte një vend ku mund të kërkonin strehë.
Unë po udhëtoja kudo në Shqipëri, unë e doja këtë vend, më pëlqente peizazhi, më pëlqenin malet, lumenjtë dhe veçanërisht më pëlqente arti dhe historia e Shqipërisë.
Veçanërisht në Shkodër, por edhe në vende të tjera më janë afruar të rinj të cilët e kishin kapërcyer frikën dhe shtypjen e shtetit dhe të Sigurimit.
Më janë afruar këta njerëz dhe unë nuk e fsheha mendimin tim, unë mendoja se shqiptarët meritonin një jetë më të mirë, shqiptarët meritonin të jetonin në liri.
Këtë e shpreha qartë, nuk bëra propagandë aktive, as nuk inkurajova një revolucion, sepse nuk ishte roli im, por sa herë e afrohej njeri shprehja atë që mendoja.
Unë jam një diplomat në profesionin, dhe diplomati duhet të veprojë sipas udhëzimeve dhe këtë kam bërë gjithë jetën time diplomatike, por në korrik të 1990, unë veprova kundër udhëzimeve të qeverisë sime e cila nuk donte të minonte një qeveri tjetër, unë veprova haptas kundër udhëzimeve sepse ndjeva që qeveria, sistemi dhe regjimi ishte kundër vlerave themelore të njerëzimit dhe të jetës së njeriut dhe kundër dokumentit të shkruar Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.
Kështu që unë vendosa të bëj atë që unë ndjeva se ishte e drejtë.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që është një hap drejt mbërritjes tek komuniteti perëndimor, Shqipëria është shumë e mirëpritur si pjesë e familjes evropiane në bashkim me vende të tjera të rajonit.
Sigurisht që kaq probleme që ju i shpjeguat qartë, ato janë të shpjeguara në raporte që ne si Gjermani i shkruajmë, të cilat i dërgojmë edhe BE-së, dhe këto probleme duhet të marrin përgjigjet e duhura.
Ju përmendët konkretisht problemin e korrupsionit, korrupsioni është i vështirë të çrrënjoset, është edhe më i vështirë sidomos në ato vende që janë ende të varfra.
Familjet, miqtë, varen prej jush, kur ju keni arritur një pozitë, kështu që është e qartë se ne kërkojmë diçka që ne vetë kemi marrë prej qindra vitesh dhe ne po ia kërkojmë këtë Shqipërisë dhe e presim që shqiptarët, partia që aktualisht po qeveris, opozita, dhe padyshim gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen dhe do të jetë e kundërta.
Ne po u kërkojmë palëve të bëjnë përpjekje serioze në këtë fushë dhe sigurisht që ne do të vazhdojmë të mbështesim luftën kundër trafikut të drogës, kundër pastrimit të parave.
Të gjitha këto janë çështje me shumë rëndësi të cilat në fund mund të zgjidhen vetëm prej shqiptarëve, ne nuk duam të imponojmë një regjim kolonial. sn