Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për dosjen 108/2024 dhe e ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Në qendër të këtij hetimi është një rrjet ndërkombëtar trafiku droge, me dy shtetas shqiptarë në rolet drejtuese: Gëzim Bakalli (alias Shkëmbim Cërmanji) dhe Erjon Loci.
Të akuzuarit dhe rolet e tyre
Gëzim Bakalli akuzohet si organizator, drejtues dhe financues i një grupi të strukturuar kriminal që ka trafikuar lëndë narkotike në të paktën 15 episode. Ai përballet me akuza për:
Trafik ndërkombëtar droge (neni 283/a/2),
Drejtim të grupit të strukturuar kriminal (neni 333/a/1),
Falsifikim dokumentesh dhe pasaportash kosovare,
Falsifikim aktesh të gjendjes civile.
Erjon Loci, bashkëpunëtor i Bakallit, akuzohet për:
Prodhim dhe shitje narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në të paktën 6 episode,
Pjesëmarrje në organizatë kriminale (neni 333/a/2).
Hetimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar:
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet zvicerane (Kantoni i Solothurnit), Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë Kriminale Shqiptare. Në fokus ishte një rrjet që operonte gjatë viteve 2018–2024, duke trafikuar kokainë, heroinë, marihuanë dhe ecstasy kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania drejt Zvicrës, ku lënda shpërndahej.
Për zbulimin e rrjetit janë përdorur metoda speciale të hetimit, përfshirë përgjime në platformat e enkriptuara “Sky ECC”, “Threema” dhe “Signal”, të cilat kanë zbuluar planifikimin dhe koordinimin mes anëtarëve të grupit.
Si rezultat i hetimeve dhe kontrolleve në Shqipëri e Zvicër, janë sekuestruar:
345.4 kg kokainë (pastërti 44%–86.9%)
22.25 kg heroinë (pastërti 30.7%–62%)
1 kg kokainë në tentativë
2 kg marihuanë
10,000 tableta ecstasy
2 armë zjarri, municion luftarak
Ora luksoze “Rolex” dhe “Hublot”
Pajisje elektronike, dokumente, kontrata, telefona, karta bankare
Për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, është ndarë një dosje e re, me numër 108/1 të vitit 2025, për të cilën hetimet janë në zhvillim.
Ky është një nga rastet më të mëdha të goditjes së trafikut ndërkombëtar të drogës në bashkëpunim me autoritetet e huaja