Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë planifikojnë të zhvillojnë bisedime bërthamore me homologun e tyre iranian të premten në Gjenevë, tha një burim diplomatik gjerman për Reuters.
“Ministrat do të takohen së pari me diplomaten më të lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në misionin e përhershëm të Gjermanisë në Gjenevë, përpara se të zhvillojnë një takim të përbashkët me ministrin e jashtëm iranian, tha burimi.
Iniciativa evropiane vjen mes frikës së një konflikti në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli nisi sulme të gjera ushtarake ndaj Iranit, javën e kaluar dhe Irani dërgoi valë raketash drejt objektivave izraelite në përgjigje.
Presidenti Donald Trump ka refuzuar të thotë nëse Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen fushatës ushtarake të aleatit të tyre, Izraelit, duke nxitur shqetësimet se kriza mund të intensifikohet.
Qëllimi i bisedimeve midis Iranit dhe evropianëve, të cilat burimi gjerman tha se po zhvillohen në koordinim me Shtetet e Bashkuara, është të bindin palën iraniane që të garantojë me vendosmëri se do ta përdorë programin e saj bërthamor vetëm për qëllime civile.
Sipas burimit, bisedimet do të pasohen nga një dialog i strukturuar në nivel ekspertësh. Izraeli ka thënë se qëllimi i tij është të eliminojë aftësinë e Teheranit për të zhvilluar një armë bërthamore. Irani mohon se programi i tij bërthamor ka qëllime ushtarake./Reuters bw