Në një intervistë të fundit për programin “Kafe Shqeto”, eksperti i njohur i ekonomisë, Klodian Muço, ka ofruar një analizë të hollësishme mbi zhvillimet ekonomike të Shqipërisë në vitet e fundit.
Ai ka theksuar se, megjithë rritjen ekonomike të përmendur shpesh, vendi ka hasur sfida serioze në përballimin e varfërisë dhe pabarazisë sociale.
Muço ka diskutuar gjithashtu rreth rishpërndarjes së të ardhurave dhe ndikimit të politikave ekonomike mbi mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se shumë nga këto ndryshime kanë mbetur të papërceptueshme për pjesën më të madhe të popullsisë.
Në këtë intervistë, ai ka bërë një krahasim të situatës ekonomike të Shqipërisë me ato të vendeve të tjera të rajonit, duke nxjerrë në pah diferencat e dukshme në nivelin e varfërisë dhe progresin e arritur.
Pjesë nga deklarata:
“Për fat të keq, Shqipëria në këto 12 vitet e fundit ka pësuar regres sa i përket mirëqenies dhe rishpërndarjes së të ardhurave.
Për të bërë një krahasim, në vitin 2012, duke marrë gjithmonë vitin 2012 si referencë për të evituar vitin 2013 që ishte vit zgjedhor, Shqipëria ka pasur nivelin e varfërisë ekstreme më pak se 18%, ndërsa varfëria relative ka qenë rreth 34%.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në Ballkanin Perëndimor sa i përket nivelit më të ulët të varfërisë dhe sot, që po flasim pas 12 vitesh, edhe pse ka pasur atë rritje ekonomike të përmendur gjatë këtyre viteve, në fakt kjo rritje ka shkuar vetëm në disa nga xhepat e qytetarëve.
Kjo ka bërë që niveli i varfërisë të rritet në mënyrë të vazhdueshme nga viti në vit.
Nëse vendet e tjera të rajonit, si Kosova, Maqedonia, apo edhe Serbia kanë pasur progres sa i përket këtij aspekti, pra reduktimin e varfërisë relative dhe asaj ekstreme, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta.
Të dyja këto janë rritur dhe një tregues tjetër i rëndësishëm është pabarazia, një indeks që e prodhon Banka Botërore. Po ta shikojmë këtë nivel nga viti në vit, duket se ai po rritet në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera ku kjo gjë po evitohet.
Akoma në vitin 2025, u bë një fushatë e madhe për Shqipërinë në BE. Në fakt, një nga dy persona këtu tek ne është në varfëri dhe ky është një tregues, edhe pse zakonisht shumë politikanë thonë se do të bëhemi pjesë e BE-së.Në fakt, 12 kapituj që ne duhet të plotësojmë për të u bërë pjesë e BE-së kanë të bëjnë me ekonominë.
Një nga këto tregues është pikërisht të ardhurat për frymë, ose përcaktimi i minimumit jetik. Ku Shqipëria, për t’u bërë pjesë e BE-së, për të arritur këtë nivel mesatar për frymë, sot i duhet 37 vjet sipas skenarit më optimist, 74 vjet sipas skenarit realist dhe 105 vjet sipas skenarit pesimist”.