Pasi kanë kaluar më shumë se dy javë nga zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, kur tashmë rezultati është certifikuar edhe nga KQZ në të gjitha qarqet, ka ardhur reagimi i parë zyrtar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Një reagim i shkurtër, ambasada e SHBA uron popullin shqiptar për procesin elektoral dhe thekson se të dy vendet do të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtësisht.
Ambasada e SHBA: Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë.
Ambasada
Më herët mesazhe për 11 majin kanë ardhur edhe nga kancelaritë e tjera perëndimore. 2 ditë pas zgjedhjeve, më 13 maj, BE u shpreh se procesi ishte gjithëpërfshirëse dhe transparente. Përmes një deklaratë të përbashkët nga shefja e diplomacisë së jashtme, Kaja Kallas dhe komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, përgëzohen autoritetet për zhvillimin normal të procesit zgjedhor në të gjithë vendin. Në deklaratë përmendej edhe vota e diasporës për herë të parë.
BE i referohet edhe përfundimeve paraprake të OSBE/ODIHR, duke theksuar dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive.
“Të dielën, qytetarët e Shqipërisë ushtruan të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit në Kuvend. Ne përgëzojmë të gjitha autoritetet përkatëse që siguruan zhvillimin normal të procesit zgjedhor në të gjithë vendin. Këto zgjedhje shënuan gjithashtu për herë të parë edhe përfshirjen e votimit nga jashtë vendit. Sipas gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, zgjedhjet u menaxhuan në përgjithësi në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, ndërsa dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive“, thuhet në atë deklaratë.
Theksin tek klima e polarizuar politike e vë edhe Bashkimi Europian, i cili vlerëson se kandidatët patën mundësinë të zhvillonin fushatën e tyre në mënyrë të lirë, megjithëse disa raportuan për raste intimidimi. Unioni përshëndet edhe përpjekjet për hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore, duke i konsideruar një zhvillim pozitiv.