“Libri im i kujtimeve” i kompozitorit dhe dirigjentit të njohur Rafet Rudi, paraqet një kronikë të jetës muzikore në Kosovë nga vitet ’70 deri në vitin 1999, ku autori ndan rrëfime mbi zhvillimet artistike në një kontekst të gjerë shoqëror, duke ofruar informacione të rralla që, siç shprehet ai, mungojnë në burimet zyrtare.
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është promovuar vepra “Libri im i kujtimeve” i kompozitorit dhe dirigjentit të njohur Rafet Rudi. Sipas tij, edhe pse formalisht mund të konsiderohet një autobiografi, libri në fakt është më shumë një rrëfim dokumentues i zhvillimeve në muzikën e kultivuar në Kosovë.
“Ky është të themi nominalisht një libër biografik, autobiografik, por siç është shpjeguar në ato parathëniet e librit, kjo është një kronikë muzikore ose të them kronikë muzikore e jetës në Prishtinë e në Kosovë në një periudhë 30 vjeçare”, ka thënë Rudi.
Ai ka theksuar se në fokus nuk është jeta e tij personale dhe proceset institucionale e kulturore që kanë ndodhur gjatë atyre viteve. Libri përshkruan një periudhë të rëndësishme të zhvillimit artistik dhe përmban edhe përjetime të thella personale.
“Unë e lokalizoj këtë interesimin tim deri në vitin 2000 dhe jeta muzikore e parë me sytë e mi aty ka impresione, ka dromca krejtësisht intime, ashtu si i kam parë dhe përjetuar unë në jetën tonë profesionale. Kjo është shumë e rëndësishme, koincidon pikërisht kjo hyrje në botën e muzikës këtu me ardhjen e një gjenerate të re të profesionistëve muzikorë të muzikës klasike, që mund të them se deri në atë kohë s’ka qenë në baza tepër profesionale”, tha Rudi.
“Jam detyruar të shkruaj në vetën e parë, nuk jam mësuar të shkruaj në vetën e parë. Për disa momente delikate jetësore, në çoftë se nuk e jep atë emocionin e duhur ato mbesin pa identitet. Psh. kur kam hyrë në ’99 në Radiotelevizion, kur kam punuar para viteve ’90, mes tjerash e kam pasur një vepër koncert për piano e orkestër të pa mbaruar, pra një partiturë e vetme. Unë 10 vjet kam shpresuar se do ta gjej partiturën. Dhe ka qenë moment trishtues kur kam parë se nuk kam kurrëfar shanse që ta gjej sërish atë. Pra, Radiotelevizioni ka qenë komplet i demoluar”, është shprehur Rudi.
Filozofi dhe kritiku i artit, redaktor i librit, Shkëlzen Maliqi ka thënë se Rafeti ka mbajtur kontakte me një avangardë muzikore që ka qenë në atë kohë e barabartë me atë botërore.
“Talenti, puna dhe përkushtimi i tij e kanë avancuar atë në shkallë të lartë të profesionalizmit. Ai është çmuar e vlerësuar në nivelet më të larta të komunitetit artistik rajonal të asaj kohe”, ka thënë Maliqi.
Ndrësa Nestor Kraja, kompozitor dhe studiues i shquar i muzikës shqiptare, autor i një numri të konsiderueshëm veprash simfonike, vokalo-instrumentale, muzikë dhome dhe skenike, të interpretuara brenda dhe jashtë vendit ka thënë se, ky libër është dokument i gjallë i argumentuar i fakteve historike në lëmin e muzikës në Kosovë.
“Studentët tanë të muzikologjisë kanë shumë nevojë për këtë libër. Është dualizmi i intelektualit erudit të cilit i vjen keq për vendin e vogël që i rezervohet në realitetin e asaj kohe. Jeta përshkruhet në një gjuhë të gjallë të vërtetë, si në film duke përcjellur edhe emocione të forta gjatë leximit”, ka thënë mes tjerash Kraja.
Nga ana tjetër, Rreze Kryeziu-Breznica muzikologe dhe pedagoge në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës e ka çmuar lartë punën dhe veprat e kompozitorit Rudi duke theksuar se edhe në këtë libër lexuesi gjen fakte, informacione e të dhëna mbi jetën artistike të shumë viteve më përpara.
“Kapitulli që trajton deinstitucionalizmin kulturor të viteve të ’90-ta zë vend qëndror në strukturën e rrëfimit të tij autobiografik. Padyshim përfaqson një nga segmentet më të ndjeshme emocionalisht dhe më të ngarkuarat historikisht”, ka thënë ajo.
Kompozitori dhe dirigjenti, Rafet Rudi prej vitesh është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe të Arteve. Është personalitet i spikatur dhe shumë aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës. Ja disa nga veprat: kantata “Flijimi” (1983), “Fantasia in Si” (1985) për violinë e piano, Koncerti për kitarë e orkestër (1986) etj. Rudi ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, përderisa, si shef-dirigjent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ka realizuar një sërë koncertesh në Maqedoni, Kroaci, Shqipëri, Itali, Angli etj.
