Në Zürich do të mbahet edicioni i 7-të i aktivitetit filantropik “Save a Life“, organizuar nga Action for
Mothers and Children. Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Rina Spahija ka thënë për Voice for
Albanians se ngjarja kulturore do të mbahet më 23 maj dhe ka për qëllim që të shpëtojë më shumë jetë
dhe të përmirësojë shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë. “Secili ndihet mirë kur dhuron, dhe në
momentin kur dhuron për një kauzë kaq të rëndësishme të shtetit tonë, i cili ende ka nevojë për ndihmë
sidomos në sistemin tonë shëndetësor, ku shpesh mungojnë medikamente jetike, atëherë vërtetë të
gjithë ndihemi më mirë”, ka thënë ajo.
Synimi i këtij organizimi i cili përmban pika artistike është që të mbledh fonde për të siguruar
medikamente e produkte të cilat mungojnë në Kosovë e të cilat në shumë raste edhe kushtojnë, e që
familjarët dhe shteti shpesh nuk kanë mundësi t’i sigurojnë.
“Është një shkëmbim përvojash, një mundësi e dyfishtë ku ne i japim mundësi bizneseve të kontribuojnë
për një kauzë për të cilën edhe ata janë të interesuar. Në anën tjetër ne marrim ndihmë financiare për
realizim të projekteve shëndetësore përmes të cilave mbështesim gratë shtatzëna, blerjen e
inkubatorëve për spitalet regjionale dhe për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, trajnime të
ndryshme për mjek neonatolog dhe infermiere të neonatologjisë. Po ashtu ne përmes këtyre fondeve
sigurojmë donacionin e sulfatatit i cili është një medikament i cili ndihmon në zhvillimin e mushkërive të
foshnjave të lindura para kohe”, ka thënë Spahija.
Ajo ka shtuar se janë të përkushtuar ndaj shpëtimit të jetëve dhe përmirësimit të shëndetit të nënave
dhe fëmijëve në Kosovë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor dhe duke siguruar qasje të barabartë në
kujdes shëndetësor cilësor për çdo grua dhe fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo vendndodhjes.
“ Synojmë të ulim sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e nënave dhe foshnjave, unë po besoj se çdo
kompani do të kishte dashur të dhurojë e ndoshta edhe të investojë në një ndryshim të sistemit
shëndetësor në Kosovë. Ne nuk dhurojmë në një familje ose individ, ne dhurojmë ose investojmë në
sistemin shëndetësor publik. Bashkëatdhetarët tanë më së miri e dinë se si janë ndërtuar sistemet
perëndimore shëndetësore, prandaj po na duhet që edhe ne të bëhemi patriot dhe të ndihmojmë në
ndërtimin e sistemeve tona”, ka theksuar ajo.