Kandidati i PD në Qarkun e Dibrës që garon në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Përparim Spahiu ka denoncuar presionesh që, sipas tij, po ushtrohen mbi emigrantët dhe punonjësit në sektorin publik, për t’i detyruar të votojnë për partinë në pushtet. Në një postim në Facebook. Spahiu shkruan se qeveria po përdor frikën dhe varësinë ekonomike për të kontrolluar votën e qytetarëve.
Kandidati për deputet akuzon pushtetin aktual për krijimin e një “ushtrie të tërë të punësuarish” që, sipas tij, jo vetëm detyrohen të votojnë për partinë, por edhe të fotografojnë votën e tyre si provë bindjeje.
“Fotografimi i votës nuk ndihmon askënd, as atë që ta kërkon, as vendin. Ai që e bën këtë, bëhet skllav i një rroge të mjerë, shpesh vetëm 40 mijë lekë në muaj”, shkruan Spahiu.
Sipas tij, kjo praktikë është jo vetëm shkelje e parimeve demokratike, por edhe një formë moderne e shantazhit dhe nënshtrimit. Ai paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të mbetet peng i një shteti që shtyp më të dobëtit dhe mban pushtetin përmes frikës.
“Frika se ‘do të na heqin pensionin’ nuk është demokraci. Është shantazh,” thekson ai.
Spahiu bën thirrje për votë të lirë dhe të ndërgjegjshme, duke theksuar se vetëm një ndryshim i vërtetë, me një ekonomi që vlerëson punën dhe dinjitetin, mund të nxjerrë vendin nga kjo situatë e zymtë.
“Vota e lirë është themeli i çdo shteti të drejtë. Pa të, nuk ka demokraci”, thotë ai.
Postimi i plotë në FB:
Emigrantët po votojnë!
Partia në pushtet ka vënë nën presion një ushtri të tërë të punësuarish, duke u kërkuar jo vetëm votën, por edhe provën e saj përmes fotografimit atyre.
Ju them se fotografimi i votës nuk ndihmon askënd — as atë që ta kërkon, as vendin. Ai që e bën këtë, bëhet skllav i një rroge të mjerë, shpesh vetëm 40 mijë lekë në muaj. Ky nuk është thjesht çmimi i një muaji, por çmimi i së ardhmes së Shqipërisë.
Të fotografosh votën nuk është ndihmë. Është dorëzim. Është mbështetje për ata që sot të shtrëngojnë dorën dhe nesër të harrojnë.
Kur vota jepet nga frika, shpresa shuhet. Dhe sa herë ndodh kjo, Shqipëria mbetet peng i një shteti me paga të ulëta, me pak mundësi dhe me presion të vazhdueshëm mbi më të dobëtit – ata që marrin ndihmë ekonomike apo pensionistët. Frika se “do të na heqin pensionin” nuk është demokraci. Është shantazh.
Shqipërisë i duhet një ndryshim i vërtetë. Një ekonomi që vlerëson punën, jo nënshtrimin. Paga me dinjitet dhe investime që sjellin zhvillim – jo thjesht mënyra për të mbajtur një pushtet të kalbur në këmbë.
Votoni të lirë. Votoni sipas ndërgjegjes. Votoni për të ndryshuar këtë realitet të zymtë që e ka zënë Shqipërinë për fyti.
Vota e lirë është themeli i çdo shteti të drejtë. Pa të, nuk ka demokraci. sn