Të nderuar miq të kësaj faqeje!
Ju kisha dhënë fjalën që nuk do të prononcohem politikisht deri në zgjedhjet e 11 Majit!
Aresyeja që sot dua të flas e ta thyej vetëçensurën është që nëse unë nuk flas e shkruaj sot pas 11 Majit nuk do ketë asnjë vlerë.
Pashë mbrëmë listat e kandidatëve për garën e primareve dhe më zuri syri që listës së Kukësit i mungonte emri i Prof Admir Sinamatit!
Sot në mëngjes pashë një prononcim të vetë Dr Sinamatit dhe u trishtova.
Admir Sinamati qenka përjashtuar nga garimi në primare për shkelje të etikës!
Të qeshësh apo të qash?!
Jo vetëm kaq, por Prof Sinamati qenka edhe autor teksti universitar të Etikës në Fakultetin e Mjekësisë.
Nga burime brenda kryesisë së PD-së më rezulton se Kryesia e Partisë Demokratike ka votuar KUNDËR përjashtimit të Admir Sinamatit e sërish në listat e bëra publike në disa portale nuk figuron emri i tij.
Uroj që portalet dhe unë ta kem gabim.
Një konflikt personal në dukje mes Flamur Nokës apo Flamur Hoxhës e Admir Sinamatit nga ana tjetër nuk duhet të rezultojë në dëmtim katastrofal të rezultatit të Partisë Demokratike në Kukës në zgjedhjet e 11 Majit. Lejani votuesit të vendosë. Janë veçse primare!
Unë i kam ndjekur prononcimet publike të Admir Sinamatit dhe në to unë përveçse ftesës për debat dhe ballafaqim të shëndetshëm të fakteve dhe argumenteve nuk kam parë asnjë fyerje.
Kritika dhe e vërteta që djeg nuk janë fyerje.
Admir Sinamati është sot kandidati që gëzon respektin dhe mbështetjen më të madhe mes demokratëve të Kukësit.
Humbja e zgjedhjeve për kreun e Bashkisë së Kukësit nuk është për faj të tij, por për shkak të atij sistemi kriminal të patronazhimit për të cilin unë flas që nga shkurti i vitit 2021. Është po aq fajtor Admir Sinamati në Kukës aq sa është Dr Bardh Spahia përgjegjës për humbjen e Bashkisë Shkodër.
Janë edhe faktorë të tjerë që PD dhe kryetari Dr Sali Berisha duhet ti kishin analizuar dhe marrë seriozisht në konsideratë.
Akoma nuk jam i qartë se çfarë ndodh dhe çfarë ka ndodhur në qarqet e tjera por nëse falet Kukësi një bastion i Partisë Demokratike që në fazën e primareve unë nuk shoh dritë në qarqet e tjera të Shqipërisë.
Nëse ne vrasim që sot atë pak frymë pozitive dhe kandidatët më të mirë i lëmë jashtë ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi vrarë veten politikisht.
Unë e vlerësoj kontributin e Z.Noka ndër vite e sidomos në ditët e saj më të vështira por sot kam shumë pikëpyetje nëse qëndrimet e tij po e ndihmojnë forcimin e Partisë Demokratike!
Unë kam qenë kritik ndaj Flamur Hoxhës por nuk jam kundër kandidimit të tij perkundrazi e dua në fushë të betejës, në garë.
Do të doja ti shihja në garë në Primare pse jo edhe Flamur Hoxhën edhe Flamur Nokën dhe Admir Sinamatin.
Na është premtuar vullneti i votës së lirë dhe atë duam. As më pak e as më shumë.
Votën e lirë e vetëm votën e lirë.
Nëse ne kemi pranuar që për hir të unitetit të garojnë për partinë demokratike edhe ata që nuk guxojnê as ta përmendin emrin e Sali Berishës duhet ta përtypim edhe kritikën konstruktive të Admir Sinamatit.
Nëse ne kemi pranuar e duruar hunj, gaz dhe shkopinj gome nga ata që sot ne i mbrojmë me “etikê” duhet të pranojmë të garojë edhe Prof Admir Sinamati.
Në këtë konflikt mes sekretarit të PD-së Flamur Noka dhe kandidatit në tentativë zotit Admir Sinamati unë rrjeshtohem qartazi e prerazi me Dr Admir Sinamatin e kjo për arësye se e drejta dhe e verteta janë me të.
Sali Berisha ka thënë: “Amerika është e madhe por e vërteta është akoma më e madhe”.
Zv Presidenti Amerikan JD Vance tha në Mynih që ne do ju kthejmë njërëzve lirinë e shprehjes edhe kur fjala e lirë është kundër nesh.
E ne nuk e kemi luksin të dënojmë më të mirët që kemi mes nesh e akoma nuk e kanë braktisur Shqipërinë në emër të një etike që nuk bind askënd. Nuk mund ti vrasim duke vrarë fjalën e lirë.
I nderuar Dr Sali Berisha!
Ju e dini dhe jam i sigurtë që në thelb ajo që ka ndodhur me Prof Admir Sinamatin është e padrejtë është e patolerueshme.
Ju lutem ndërhyni e mos merrni mbi shpatulla një barrë e një kosto që jo vetëm nuk është e juaja por është mbi të gjitha e padrejtë, është vrastare për Partinë Demokratike të Kukësit.
Admir Sinamati nuk po kërkon vend të sigurtë në lista. Ai po kërkon të jetë i lirë të garojë. Të garojë e të ndihmojë Partinë Demokratike në betejën e jetës për Shqipërinë.
Po shkruaj sot sepse jemi në kohë!
Pas 11 Majit siç e thashë më sipër nuk ka asnjë vlerë.
Heshtja ime pas këtij shkrimi mbetet në fuqi.
Me respekt e besë