E ftuar në “A Show” në SYRI TV përballë gazetarit Adi Krasta, ish-zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, sqaroi përse është e majtë, por duke dhënë një deklaratë të sinqertë që Partia Socialiste është kthyer në një turmë.
Intervista në studio:
Përse jep rrallë intervista televizive?
Mendoj që ka dy lloj aktivizimi publik në Shqipëri, për qëllime konsumi dhe për të mirën publike. Zakonisht njerëzit që dalin shpesh në televizor e bëjnë për qëllime konsumi. Unë dal në TV vetëm kur kam ndonjë gjë për të thënë.
Je aktive online, përse nuk futesh në politikë?
Mendoj se jam në politikë. Bëj p[olitikë më shumë se një p[jesh e mirë e politikanëve. Unë shkruaj, marr pjesë nëpër debate, kam një rubrikë timen te Gazeta “SI”. Mendoj që aktivizimi im për të kërkuar votë, do të vinte ku e gjithë shoqëria shqiptare ta kuptonte që të aktivizohen njerëz të mirë, duhet të dalim të votojmë. Nëse nuk dalim të votojmë, nëse nuk e shprehim aktivizimin tonë kolektiv nëpërmjet votës, politika do të mbetet pjesë e njerëzve që janë aty për të përfituar. Në momentin që votimet do të jenë rreth 68 përqind, atëherë do të marr iniciativën për t’u futur në politikë për të kërkuar votë. Mendoj se sot jam në politikë mjaftueshëm.
Ti je e majtë, ka ndonjë ndryshim te ty, është sulmuar sensi yn majtist nga të gjitha zhvillimet?
Për ata që njohin familjen time, unë vij nga një familje tërësisht e djathtë. Jam rritur në një shtëpi ku nuk ka ekzistuar fotografia e Enverit. Nuk kam asnjë komunist në familje, ndonjë krushqi po. Ne kemi qenë familje e persekutuar. Mendoj se feja dhe bindja politike zgjidhen. Unë e kam zgjedhur të majtën për shkak të studimeve. Ekonomistët që kam studiuar kanë qenë të majtë dhe ata më kanë tërhequr. Jam për një shoqëri që rishpërndan. Jam për veprimin kolektiv. Nuk mendoj se vetëm individi mund ta bëjë shoqërinë. Të gjithë bashkë duhet ta bëjmë shoqërinë. Përparimi nuk është vetëm çështje ekonomike, është çështje kulture dhe mbi të gjitha të kujdesemi për njëri-tjetrin. Për këtë arsye unë jam e majtë.
Për grupimin Partia Socialiste, do të thoja tre gjëra. Do t’u thoja miqve të mi socialistë, të rroni e ta kujtoni Partinë Socialiste. Ua them pse mendoj kështu. Nga një grupim vullnetar, është reduktuar në një turmë. Ka vdekur instinkti i rebelimit.
Në momentin që në një grupim humbet rebelizmi, ne duhet të shohim mënyra të tjera. Kur mungon instinkti i rebelimit, i të thënit mendimin tënd, atëherë partia vdes.
Në atë parti, të gjithë drejtues të qeverisë, s’kanë fuqi politike individuale. Ata janë aty prej liderit dhe do t’i shërbejnë liderit.