Kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në SYRI TV, tha se e vetmja gjë që po zbatohet në vendin tonë porsa i përket ekonomisë, është rritja e taksave. Dhe kjo sipas tij, është një barrë e cila godet qytetarin, e në fund, çon deri në falimentin e një biznesi.
Këto janë pasoja të prodhuara nga sistemi i qeverisjes theksoi Buxhuku, ndërsa rendit edhe disa arsye se pse nuk përmirësohet situata ekonomike në vend.
“Problemi është që po përsëritim gjëra që janë thënë prej vitesh. Ne kemi dy dekada që i ngremë këto çështje në mënyrë të njëpasnjëshme. Nuk shikojmë ndonjë përmirësim të gjendjes, përkundrazi, shohim rëndim të saj. Këtu është një sistem i ndërtuar keq. Dhe ky sistem, këto gjëra do të prodhojë. Nga një anë të uljes së prodhimit vendor, rëndim të taksave të vazhdueshme të bizneseve dhe këto të fundit do t’ia transmetojnë aq sa munden qytetarit, deri në momentin që biznesi të mos mbajë më dhe të falimentojë. Pra, goditjen finale e ha gjithmonë qytetari që është dhe konsumatori final.
Strategjitë ndërtohen por e vetmja gjë që zbatohet është rritja e taksave. Nuk është bërë ndonjë analizë për këto strategji të zhvillimit afatmesëm e afatgjatë për të kuptuar se çfarë arritjesh kanë prodhuar. E vetmja gjë që është serioze dhe e kuptueshme është rritja e taksave.
Ky sistem këto gjëra do të prodhojë, janë pasojat e tij. Unë mendoj që shpresat janë zero që të përmirësohen. Kërkohet një vendimmarrje politike shumë e fortë, por kjo e fundit në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, ka kapur në dy drejtime kryesore ekonominë. Nga njëra janë paratë e zeza që vërshojnë ‘lumë’, dhe kuptohet që këto para godasin biznesin formal. Dhe nga ana tjetër janë paratë e derdhura po ‘lumë’, që janë ato të korrupsionit. Pra, jemi futur në një vorbull që nuk kemi të bëjmë me një sistem ekonomik të tregut të lirë, nuk ka të bëjë aspak me një sisteme që i takon një shteti demokratik, por flukse të tilla që unë e quaj të vështirë të rregullohen nga brenda”, tha kryetari i Konfindustrisë.
Por çfarë po ndodh me defiçitin tregtar në vend, ku në fund të vitit 2024 u arrit rekordi për 5.2 miliardë euro. Në vend ra eksporti me 15 %, e rrjedhimisht duke mos lënë boshllëqe në treg, u rrit importi.
“Problemi është që në Shqipëri, kanë rënë dhe po bien me shpejtësi dy kolonat e ekonomisë. Industria dhe prodhimi bujqësor. Këto dy kolona po bien dhe goditen ashpërsisht. Prodhimi industrial në vend ka rënë 12-13 %, që është një alarm i madh për një vend normal. Por që në Shqipëri e merr si një diçka që nuk ka problem. Të gjitha politikat e shteteve të mëdha me në krye SHBA, kanë filluar të japin alarme të mëdha konservatore.
Qëllimi i tyre është të mbrojnë prodhimin e tyre vendor. Trump me politikën e tij ka dhënë sinjalet e qarta që përpara fushatës zgjedhure, për të mos thënë që ky ishte ‘kali’ më i rëndësishëm i luftës ose betejës së tij.
E gjithë bota ka hyrë në një cikël proteksionist. Ndërkohë, në Shqipëri është politika e dyerve të shpartalluara. Politika tregtare në mbrojtje të prodhimit vendor, mungon. Është një fushë e shqyer ekonomia shqiptare ku importet bëjnë ligjin, importuesit bëjnë ligjin. Kanë kapur gjithçka dhe prodhuesit dhe industritë janë në duart e tyre.
Gjithashtu, politikat e flukseve të pakontrolluara të zeza kanë forcuar lekun në mënyrë të panatyrshme, duke i dhënë një goditje fatale industrisë dhe prodhimit vendor dhe duke inkurajuar nga ana tjetër importet. Praktikisht, Shqipëria është një vend që mund ti takojë ndonjë republike “të bananeve të para 100 viteve”. Duhet ngritur sinjali i alarmit për ata të cilët kanë mend dhe kuptojnë.
Kjo situatë do të vazhdojë kështu, pa dashur të jem pesimist por këto që po them janë realiste”, tha më tej Buxhuku.