E Premte, 01.16.2015, 10:32am (GMT+1)
ADAGIO CANTABILE
Sagitës
E ke pyetur veten
Në ke pasur për shok të mirë
Erën
Në udhëtimin tënd të shkurtër
Të jetës
Në i ke shtyrë ditët
Apo je shtyrë prej tyre
Drejt horizontesh të mëdha
Në e ke mbajtur ndonjëherë qiellin
Në pëllëmbë
Si një petale blu të ndritshme
Dhe në të ka rrahur zemra
Si një kambanë tempulli
Ku vinë e falen besimtarët
A e ke pyetur veten
Për ç’jep e merr me njerëzit
Dhe në ke i ke bërë strehë
Në mendje
Mënçurisë së lashtë
Në ndriçojnë ende në ty
Fenerët e ëndrrave
Dhe në mund ta gjesh udhën
Për në shtëpinë tënde
Tek kthehesh e dehur
Mes absurdit të madh të botës.
Bija ime
Shumica vijnë e ikin
Si nëpër një libër
Që as shkuar as kënduar s’e kanë
Dhe varrosen në ajër
Më parë se të varrosen
Në dhe.
FUSHË – KOSOVË
Si në një pëllëmbë të madhe
Kërkoj vijat e fatit
Në Fushë-Kosovë
Erërat shpleksen të lira
Nga gjithë anët
E Ballkanit
Dhe troku i lashtë
I kuajve të luftës
Ende gjallon e ndihet
Herëpashere
Në sfond të ditëve të njerëzve
Po t’ja thosha këtë
Fshatarit që shet specat e bukur
Të Kosovës
Ndanë rrugës
Do thoshte padyshim
Që jam i çmendur.
GRYKA E RUGOVËS
Humbet një çast
E prapë feks
Në grykë të Rugovës
Qielli
Dhe hapësira valëvitet
Si këngë e lashtë
Majekrahi
Ndërsa mendoj
Sa ngjajnë njerëzit
Me vendet që ata i lindën.
MALET E SHARRIT
Malet e Sharrit
Si çakshirë Kosove
Me dëborën e parë të vitit
Mbi shpinë
Edhe pse vendlindjen e kam larg
Që këtej
Zogjtë e vendlindjes
Këtu cicërijnë.
NË BOLETIN
Kam bredhur botën
Anekënd
Muze pafund kam parë
Madhështorë
Po askërkund
S’jam ndjerë kaq pa gojë
Sa te kjo shtëpi e thjeshtë
Në Boletin.
Dëbora kishte zbardhur kodrat
Gjer në Trepçë
Dhe strehët pikonin
Mbi supet e burrit
Që me mundim po rrekej
Të hapte bravën e ndryshkur të derës.
Dikur ajo u hap
Dhe Isë Boletini më tha: Bujrum
Shtathedhur e pakëz mënjanuar
Që nga fotografia bërë
Prej kolonelit Tomson.
Shtëpia është e re
E bërë vonë
Mbi gurët e djegur të së vjetrës
Këtu veç shkëmbi i murrmë
I pagojë
Flet e tregon për ata që kanë veshë.
E komplikuar jeta sot
O bacë
E vetëkomplikuar gjer në dhëmbje
Dhe s’është e lehtë
T’i japësh udhë trimërisë
E mendjes
Siç bëre ti në ditët e qëmotit.
NEWBORN
Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Në Sharr
Një bari më dha adresën e e-mailit
Dhe një prift serb në Deçan
Ma rrëfeu shqip historinë e manastirit
Në Renesansë të Prishtinës
Kënduam “A kanë ujë ato burime”
Dhe një film nga Zelanda e Re
Fitoi Dokufestin e Prizrenit.
Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Flamuri i lashtë i kuq
Mbetet në zemër
Flamuri i ri i kaltër
Hapet në qiell
Dielli bën rrugëtimin e zakonshëm
Lindje-perëndim
Pa u ndikuar nga lajmet e ditës
Dhe makinat e KFOR që venë e vijnë
Rrugëve
Tek ngrihet
Shtetit më të ri të botës
I merren këmbët
Por nuk ka vend që s’bëhet
Kur duan njerëzit ta bëjnë.
Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Dhe u japin udhë ditëve të reja.
PATAT E EGRA
Flururojnë patat e egra
Në muzg
Dhe të shkëpusin vëmendjen
Nga punët e ditës
Nga hallet e përditëshme njerëzore
Nga tërmeti dhe cunami e madhe e Japonisë
Kryengritjet e Afrikës
Dhe Lindjes së Mesme
Rrëzimi i diktatorëve
Kërleshjet e politikës
Problemet e komplikuara të botës
Parë nën kaleidoskopin shumëngjyrësh të mediave
Klithjen e artit për pak vëmendje
Ngrohjen globale
Dhe arsenalet e armëve
Të vajisura që rrinë gati
Të zëvendësojnë diplomacinë e fjalëve
Urinë e pabarazinë e botës
Që e mballosin kurdoherë me arna të bujshme
Fluturojnë në muzg patat e egra
Indiferente për ç’kanë nën vete
Duke transportuar shenjën e madhe të fitores
Që herë të frymëzon
E herë të bën të ndihesh i kotë
PENGJET E PËRJETSHME
Për Robert Shvarc
Më mori malli
Miku im
Për qoshkun tënd në kafene,
Cigaren e varur në buzë
Dhe kapelen tënde
Alla Bogart .
Më mori malli
Për zemërimet e tua të befta
Si shirat e verës
Vështrimin e mençur
Dhe veset e tua prej njeriu.
Më mori malli për bisedat tona kapriçoze
Lodhur nga gjërat që s’ua thoshim dot emrin.
Konturi yt i vogël
Më fshihet pas morisë së librave
Si kaproll i hazdisur
Në pyllin e fjalëve të shqipes tënde.
Nganjëherë kur hyj në kafe
Më duket sikur do të shoh ty tek vendi i zakonshëm,
Por ti je larg tashmë
Në trafikun e madh të kozmosit
U tregon udhën kometave
Ashtu me pengjet e tua
Të përjetëshme.
PRISHTINË
Të njoha vonë
Prishtinë
Në muzg të jetës sime
Dhe pse në mendje të kam patur
Që fëmijë
Ja pra tek je
E vjetër dhe e re
Nënë burrash e grash
Të fisme e krenare
Atje ku historia
Të dukshme i la vragat
Si akullnajat e herëshme
Shpateve të maleve
Por prapë je e bukur
E hareshme
Si një ëndërr
Që dhe pse mbetet ëndërr
Nuk e humb magjinë
E të qënit jotja
Prishtinë
Nuk dua gidë për ty
Siç s’dua gidë
Për udhët e mia të shpirtit.
Në Mitrovicë
Në Mitrovicën e veriut
Ca djem të ngazëllyer
Puthën gishtërinjtë
Dhe vunë pëllëmbët
Mbi xhamin e makinës sime
Me targa të Tiranës
Thellë qënies
Diçka m’u drodh
Dhe gjaku im u bë flamur
Përshtolli horizontet.
—
Betim Muço lindi në Tiranë, në vitin 1947, është shkrimtar shqiptar.
Studioi për fizikë në Universitetin e Tiranës. Punoi fillimisht si mësues në Krujë. Nga 1974 deri në 2001 punoi si sizmolog ne Institutin e Sizmologjise të Akademisë së Shkencave në Tiranë, ku fitoi gradat Kandidat i Shkencave dhe Doktor i Shkencave e më pas titullin Profesor. Veç krijimtarisë letrare origjinale dhe publicistikës ka përkthyer në shqip një sërë autorësh si Grin, Bellou, Mishima, Munro, Xhojs e Nabokov.
Nga viti 2001 jetonte e punonte në SHBA.
Tituj të veprave
Rrugëve të atdheut (1967)
Etyde(1972)
Ekspres(1975)
Tregime(1978)
Kokrra gruri (1978)
Ditë që vështrojnë larg(1982)
Eshtë se ç’na është(1984)
Ditëlindja e këngës (1983)
Plumbi i germave (1986)
Gjurma e vetëtimës(1986)
Bota në sytë e Dolës(1986)
Në udhën time (1988)
Ëndrrat e fëmijëve (1989)
Mall për njerëz (1989)
Ekuinokset (1990)
Tempujt e mosharrimit(1990)
Hiroshima jashtë meje(1995)
Penda e pulëbardhës(1996)
Karusel(1997)
Sirtarët(1999)
Rrefenjat e Hamburgut(2007)
Bumerang(2009)