Disa qytetarë kanë protestuar para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, teksa kryebashkiaku Erion Veliaj u paraqit këtë të enjte në SPAK.
Me pankarta në duar, protestuesit kanë kërkuar dënimin e Veliajt, të cilin e cilësojnë hajdut dhe mashtrues.
“Mashtrues 99-sh, hajdut, po të zënë hakat e Kombinatit”, shkruhej në një nga pankartat e protestuesve.
Kryebashkiaku Veliaj po jep deklarime në lidhje me hetimin e regjistuar nga SPAK, për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
BKH me urdhër të SPAK, ditë më parë i sekuestroi celularin gruas së Veliajt, Ajola Xoxës, pas një kontrolli të zhvilluar në banesën e tyre, teksa kryebashkiaku nuk ishte në Shqipëri.
Gjykata e Posaçme e Apelit dy ditë më parë, refuzoi ankimin e bërë nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër vendimit që lejoi SPAK-un ta kontrollojë dhe sekuestrojë aparatin telefonik celular.
Në të njëjtin vendim Apeli rrëzoi të njëjtat pretendime të ngritura kundër kontrolleve nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj dhe dy kompani, ambientet e të cilave kaluan në filtrën e agjentëve të BKH.