Gazeta Dielli 2021
Eduard Margarit Dilo, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli organi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA persekutimin familjar prej regjimit komunist. Në rrëfimin e tij, z.Dilo tregon me detaje persekutimin e tmerrshëm mbi familjen e tij, përndjekjen nga sigurimi i shtetit dhe përplasjet me udhëheqësit komunistë të kohës.
HISTORIA E PERSEKUTIMIT TË FAMILJES DILO
Qëndrimi patriotik i familjes së Ilia Dilo Sheperit dhe Aristidh Rrucit nga ishte gjyshja ime Sava Rruci, tashmë është i njohur në opinionin shqiptar. Megjithëse familja ime në kohën e luftës së dytë botërore ishte një nga bazat kryesore ku strehoeshin udheheqesit e luftëtarëve të lirisë, kryesisht nxënës të gjyshit tim Ilia Dilo Sheperi, megjithëse shtëpia jonë në Sheper është nga të parat që u dogj nga pushtuesit, nuk mund t’i shpëtonte persekutimit të eger të klikës së krimineleve që morën pushtetin në fund të vitit 1944.
Po t’i qëndrojmë besnikë të vërtetes dhe dokumentave vëmë re se spastrimet që beri klika e krimineleve që e sundoi popullin shqiptar për afro 50 vjet, nuk mund të linte jashtë këtij genocidi familjen e Ilia Dilo Sheperit. Pse? Se familja DILO SHEPERI ishte një familje patriote që nuk mund të bashkëpunonte me agjentët serbo-sllavë që morën pushtetin. Le t’u referohemi fakteve: Kur E.Hoxha do të formonte Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Clirimtare kërkoi një takim me Jani Dilon në Tiranë. Me formimin e Shtabit të Përgjithshëm i tha Enveri, kemi nevojë për një komandant të aftë dhe të zotërojë disa gjuhë të huaja për të biseduar me të huajt, prandaj kam menduar për ty. -Do të luftoja me kënaqësi me ju, po jo të zbojmë italianin e të biem jugosllavin a rusin këtu, jo të braktisim Kosovën e t’ua dhurojmë serbëve ju përgjigj Jani. Ky qe takimi i fundit me shokun e tij të vjetër të shkollës, në Gjirokastër e në Korçë, të cilit do t’i buzeqeshte fitorja e luftës. Marreveshja e Mukjes, pa u tharë mirë boja, u hodh poshtë me ndërhyrjen e jugosllavëve… Lufta civile filloi.
Çmimi i saj, jo vetëm për humbësin por edhe për fituesin, do të ishte shumë i rëndë. Ata që fitonin qenë armiqtë e kombit shqiptar.
SI NISI HAKMARRJA E KOMUNISTËVE
Në Nëndor 1944, pasi qeveria e E.Hoxhës hyri në Tiranë, Qirjako dhe Margarit Dilo-s ju ndalua të punonin në vendet e punës ku kishin punuar, përkatesisht Qirjakua kryetar i zyrës së Hipotekave në Ministrinë e Financave dhe Margariti kryetar i zyrës së ndërtimeve në Ministrinë Botore.
Ata, të brumosur me një kulturë perëndimore, dorëzuan punën dhe zyrat ku punonin. Që të mund të jetonin filluan të mirreshin me tregeti. Aktiviteti u ecte mbarë dhe përballonin shpenzimet e jetesës për familjen prej 12 vetash që jetonin në atë kohë në Tiranë. Në Mars 1946 flasin në Komitetin Ekzekutiv Qirjakon dhe Margaritin dhe u njoftojnë se duhet të largoheshin menjëherë për në Sheper familjarisht. Urdhëri ishte i prerë; në qofte se nuk largoheshin për dy ditë do të arrestoheshin. Po në këtë kohë, Koçua që shërbente si ushtar në Komandën e ndërlidhjes në Tiranë, transferohet në postën kufitare të Peshkopisë. Familjarët u larguan për në Shepër, ku u strehuan në kaliven që kishte shpetuar pa u djegur nga lufta. Filluan të mirreshin me bujqësi per të mbijetuar. Në Qershor të atij viti flasin në Gjirokastër Mihalin dhe Margaritin. Mihalin e emërojnë veteriner në Ndërmarrjen Blegtorale të Qarkut, kurse Margaritin Ing. në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Qarkut. Me këto emërime gjëndja ekonomike e familjes ndryshoi shumë dhe filluan rikonstruktimin e kalives që jetonin pjestarët e familjes në Sheper në kushte të kënaqeshme për kohën.
JANI DILO DËNOHET ME VDEKJE PREJ KOMUNISTËVE
Në vitin 1947 shteti, në listen e armiqve të dënuar me vdekje në mungesë shpall dhe emrin e Jani Dilo-s ( një nga eksopentet e Ballit Kombëtar). Organet e partisë dhe të sigurimit folën( thirren) vëllezërit e tij Qirjako dhe Margarit dhe u kërkuan të bindnin Janin që të kthehej në Shqipëri. Ata u përgjigjën se nuk kishin marrëdhënie me Janin dhe nuk e dinin se ku ndodhej. Në Tetor të vitit 1947 arrestojnë në Gjirokastër Margaritin dhe pas 40 ditë dhe netë tortura të tmerrshme, në një gjyq me dyer të mbyllura në një nga sallat e burgut në kala, nga një gjykatë ushtarake e dënojnë me dy vjet heqje lirie si sabotues i zgjedhjeve të 1946, prishës i marrëdhënieve me Jugosllavinë, agjent i angloamerikanëve etj.
Burgun e kreu në kalanë e Gjirokastrës, tharjen e kënetave në Myzeqe dhe Maliq e Vloçisht të Korçës. Ishte 85 kg. kur e arrestuan dhe doli 42 kg nga burgu. Mbaj mend nga vegjelia shënjat që kishin lënë xhelatet me hekur të skuqur në trupin dhe gjymtyrët e tim Ati. Në vitin 1948 arrestojnë Qirjakon dhe e torturojnë për tre ditë dhe netë në postën e policisë në Topovë ( Zagori). Akuza: armëmbajtje pa leje dhe fshehje e florive të Aristidh Rrucit. Në pamundësi për të siguruar dëshmitarë për armën që vetë sigurimi kishte futur në strehën e kalivës ku mbante bagëtinë familja e Qirjakos dhe meqënese floritë u gjeten në familjen e sojit të komisarit të Degës Punëve të Brëndshme, Qirjakon e liruan. Në vitin 1950 Margariti fejohet me Nënën time Viktori Xhamballo, motër e dy dëshmoreve: Pano Xhamballo udhëheqës me rëndesi në Luftën Nacional Çlirimtare (vrarë në Mirditë më 1 Shtator 1944 në pabesi dhe rrethana misterioze) dhe e Spiro Xhamballos pushkatuar nga gjermanët në kampin e Prishtinës. Kur u mësua fejesa e Nënës time, u thirr në Gjirokastër nga Mihal Bisha, ish Sekretari i Komitetit Partisë në atë kohë dhe Prokurori Subi Bakiri dhe iu bë presion që të prishte fejesën. Meqënëse Nëna ime nuk pranoi të prishte fejesën ju kërcënuan se bashkë me të Dilos do të luftonin dhe atë. Dhe “nëna parti” e mbajti fjalen jo vetëm për Të, por dhe për neve fëmijët e saj.
DËNIMI I KOÇO DILOS
Në vitin 1970 arrestojnë në Fier për tentim arratisje për në Greqi Koço Dilon, djalin e vogël të Ilisë. Pas 105 ditësh torturash klandestine e dënojnë me 10 vjet burgim. Burgun e kreu në Spaç të Mirditës. Theksoj se në çdo arrestim dhe burgim që bëhej në familjen tonë na sekuestronin çdo gjë: deri tek rrobat e trupit, ato pak ushqime që kishim dhe pjesë nga ambjentet e shtepisë ku jetonim, si dhe pajat e vajzave të pamartuara.
VITET E FËMINISË SË EDUARD DILOS
Një tmerr që uroj të mos e kalojë asnjë fëmijë në planetin që jetojmë.
Në vitin që u linda unë, në fshatin tonë u krye kolektivizimi. Babai im nuk vendosi të bëhej anetar i kooperativës bujqësore për arësye se ishte i sëmurë, pra i paaftë për të punuar. Nuk kundërshtoi marrjen nga koop. bujqesore të tokës edhe të atyre pak bagëtive që kishte familja. Filluan masat ndëshkimore që diktatura filloi të ushtrojë kundër prindërve të mi dhe ne fëmijve të vegjël; – na u pre kontigjenti i drithit që shteti jepte për çdo pjesëtar familjeje në atë kohë dhe më von me krijimin e furrës së bukës, nuk na lejohej fare blerja në të. Nuk na lejuan të mbanim dhi ose lopë.
Disa nga kuadrot që u vendosën në drejtim të kolektivizimit dhe pushtetit në fshat dhe më von në krahinë ishin ekstremistë që nuk i ndeshëm në jetë kur u rritëm në asnjë vend të Atdheut. Mbaruam shkollat e mesme ne fëmijët e “armikut të popullit”(kështu i cilësuar nga “nëna parti” dhe sigurimi i shtetit) Margarit Dilo, duke u strehuar në të afermit tanë në qytete të ndryshme.
Një parantezë këtu: me dekonspirimin e dosjeve, kam në dispozicjon përndjekjen që na behej nga sigurimi i shtetit neve pjesëtarve te familjes Dilo. Këtu e gjej shpjegimin e përjashtimeve që më janë bërë nga bangat e shkolles në vitet e gjimnazit, por falë rrjetit të madh familjar që patëm në qytete të ndryshme dhe më strehuan munda ta mbaroj shkollën e mesme. E nisa në Fier, shkova në Tiranë, Gjirokastër, dhe e perfundova në Fier. Dua të vë në dukje dashurinë me të cilën më rrethonin shokët dhe shoqet e shkollës, dashurinë dhe kujdesin mësuesëve dhe mësueseve të mirë që asnjëherë nuk më diferencuan nga nxënësit e tjerë. Ky kontigjent i ndershëm pati kurajon të evidentojë talentin që vinte re te kjo gjeneratë e familjes DILO. Por, kudo dyer të mbyllura për të vazhduar shkollën e lartë. Nëna ime me deftesat e maturës të fëmijëve të saj, me rezultate shumë të larta, nuk la derë pa trokitur, nuk la shok të vëllait të saj (funksionare të lartë partie dhe shteti në atë kohë ) pa takuar por megjithë pritjen e mirë nuk mundi të siguronte një vend në auditoret e universitetit për fëmijët e saj. Për hir të së vertetës dëshmoj: Pas takimit që pati me një nga shokët e Panos, funksionar i lartë partie, përgjigjen e mori nga gruaja e tij funksionare e lartë dhe kjo, në një letër që i dërgonte organizata bazë e partisë së Zagories. Në këtë letër kërkohej që neve fëmijët e Viktorisë të na grumbullonin në fshat dhe po të mos bindeshim të na shpinin në Spaç ku kishim xhaxhanë. Për fat të mirë kjo letër, nga postjeri, ra në duart e kushëririt tim të parë funksionar partie në atë kohë në Zagorie. Kjo letër sot eshtët në arshiven tonë familjare bashkë me shumë karakteristika “të nxira” dërguar në ndërmarrjet ku punonim nga dhëndurrët e soit të saj, funksionarë partie në atë kohë në Zagorie. Kudo në Shqipëri pati njerëz të ndershëm që u dhimbsej Atdheu, njerëz që pavarësisht se militonin në parti ose kishin vende drejtuese nuk pajtoheshin në ndërgjegjen e tyre me padrejtësitë që bëheshin. Me ndryshimin e sistemit, jo vetëm që na treguan për përndjekjen që na bëhej por na dhanë dhe këto
“karakteristika”.
ZHVARRIMI I ESHTRAVE TË ILIA DILO SHEPERIT
Në vitet 1970, si rezultat i ashpërsimit të luftës së klasave në Shqipëri, pati një organizim të emigracionit të jashtëm për të përmbysur bandën kriminale që sundonte popullin shqiptar. Shkaqet e dështimit të kësaj inisjative tani janë bërë të njohura publikisht. Duke dështuar kjo inisjative, emigracioni i jashtëm veproi në disa nga legatat shqiptare duke u sjellë atyre shqetësime. Rast ideal për zonjën dhe zotërijtë funksionare për të goditur familjen DILO. Pse?
Se ata mediokër kujtonin se në një përmbysje pushteti familja jonë do të hakmerrej për krimet që kishin kryer karshi saj. Sigurimi i shtetit, sipas urdhërave të këtyre funksionareve, akuzoi xhaxhanë tonë Jani Dilo si një nga krerët e këtyre lëvizjeve. Ka folur pjestarë të familjes sonë dhe u ka kërkuar që të bindnin Janin për t’u kthyer në Shqipëri. Si peng arrestojnë në Fier xhxhanë tim Koço Dilo, me akuzën se ke ndërmend të arratisesh. Në hetuesi Koçon dhe jashtë përgatitën opinionin se do ta ekzekutonin. Jani, njeri me potencë në shtetin ku jetonte, i dërgon një letër E.Hoxhës, M.Shehut dhe një kopje në familje ku sqaron qëndrimin e tij politik dhe kërkon nga ata që të mos keqtrajtojnë familjen.
SIGURIMI I SHTETIT PRESIONE NË FAMILJE DHE IZOLIM I PLOTË I SAJ
Vdes në këtë kohë në moshën 62-vjeçare Babai im. Partia dhe sigurimi ndaluan bashkëkrahinasit të mirrnin pjesë në ngushëllim e varrim, ndaluan gjithashtu hapjen e varrit. Familja jonë hapi vetë varrin dhe arkivoli u përcoll për në vorreza nga ne pjestarët e familjes. Megjithëse fëmijë, kam ndihmuar në hapjen e varrit të Babait tim dhe kam mbajtur mbi supet e njoma arkivolin e tij. Pangopësia kanibaliste e atyre monstrave, se njerëz nuk mund t’i quajmë, që ishin në krye të partisë dhe pushtetit qoftë në bandën kriminale që sundonte vendin apo në krahinë e fshat arriti deri atje sa të xhvarrosnin dhe të hiqnin zvarrë eshtrat e Gjyshit tim Ilia Dilo Sheperi. Xhaxhai im Qirjako Dilo, njofton E.Hoxhën për këtë vandalizëm dhe i vë në dukje se sakrilegj (ngacmimi i të vdekurit) është i ndaluar që nga krijimi i njerezimit në tokë. Letra i ra në dorë E.Hoxhës dhe ai dergoi një anëtar të Komitetit Qendror për të verifikuar. Për 10 vjet rresht u zhdukën në mosha jo të vjetër bijtë dhe bijat e Ilia Dilo Sheperit. Për 10 vjet rresht kjo familje hapi vetë varret për familjarët dhe mbi supet e tyre mbajti arkivolet e të afërmve. Një detaj për të njohur brezi i sotëm Shqipërinë dhe shqiptarët e atyre viteve; kur vdiq në Fier bija e I.D.Sheperit Viktori Dilo, sot “Mesuese e Merituar”, kortezhi që e shoqëroi trupin e saj kur e nisëm për në Sheper, ishte shumë i gjatë dhe kurorat të shumta. Në Sheper kur neve familjarët kaluam me arkivolin mbi supe përpara shtëpisë së Kulturës, nga autoparlantet e saj buçiti kënga”…kjo është shpata që u rri te koka, gjith’ armiqve që ka bota”.
FARKËTIM I “NJERIUT TË RI” ME NDJENJA KANIBALISTE”
Arrestojnë në ketë kohë në Nivan ( Zagori), Enrik Qirjako Dilon, duke e shtrirë në shesh dhe e goditur, katër kriminelë- operativi, polici i zones dhe dy spiuna. Ky akt sa i ulët dhe i poshtër u krye në sy të Nënës së tij plakë Ifi Harito Dilo, të motrës dhe të vllait të Enrikut. Të prangosur me tel me gjëmba para se ta hipnin në” gazin e degës punëve të brendshme”, i grisën këmishën për të penguar gjakun që i rridhte nga duart e mos t’u lëroste makinën. Pas dy muajsh torturash çnjerëzore në birucat e degës punëve të Brendëshme në Gjirokastër (duke përdorur dhe elektroshok), e degdisën në spitalin psikiatrik të Elbasanit.
FILLIMET E DEMOKRACISE DHE VRASJA DHE MASAKRIMI KUFOMES NË PRAGUN E SHTEPISE TË NENES KALIOPI DILO
Në vitin 1991, në grupin e afaristëve shqiptaro-amerikanë ftuar nga shteti shqiptar ishte dhe xhaxhai ynë Dr.Orest Dilo M.D. Ai i premtoi shtetit shqiptar se do të ivestonte kapitale të rendesishme në Atdheun e tij. Me t’u kthyer në Amerikë ai dergoi një komision specialistësh në Shqipëri për të bashkërenditur aktivitetin e investimeve. Në këtë kohë në Sheperin tonë një dorë e fshehtë me pseudonimin “dora e zezë ” shpërndante trakte ku theksohej hakmarrja që do të bëhej në qoftëse përmbysej shteti. Në këto lista ekzekutimi ishte emri i Nënës plakë Kalopi Dilo që jetonte e vetmuar në trojet e Familjes DILO. Një natë të errët në fundin e Janarit të vitit 1991 një bandë kriminelesh ekzekuton tek pragu i shtëpisë Nënë Kalopin. Një ekzekutim që ngjason me epokën kur njeriu ishte në barbarizëm; ekzekutim me goditje me shkopij, nxjerrje syshë dhe prerje kokë me thikë. Për të humbur shenjat, përdorën dhe acidi në kafkë. Punonjësit e degës së punëve të Brëndshme dhe hetuesi që morën pjesë në kqyrjen dhe ekspertizën deshën ta mbulonin krimin me vdekje klinike dhe ngrenia e kafkës nga qeni i shtëpisë. Por falë insistimit të popullit të fshatit dhe krahinës për të zbuluar ketë krim të paparë gjatë gjithë ekzistences së jetës në ketë krahinë dhe nga deklarata e mjekut të zonës se kafka nuk është ngrenë nga qeni por është përdorur acid për zhdukje gjurmësh, u bë e mundur kapja e kriminelëve. Në një gjyq të zhvilluar në Gjirokastër në atë kohë pati tendencë për lenien të lirë të krimineleve. Por, në sajë të presionit që pati nga salla ku kishte dhe ish punonjës të drejtësisë të atij regjimi, gjykata u detyrua të japi dënime nga 2-14 vjet për pjestarët e grupit.
SHTYPI I KOHËS E TRAJTOI KËTË VRASJE ME TËMËN “ADOLESHENTËT DHE ETHET E FLORIRIT”
Për të ardhur keq: A quhen adoleshentë 40-vjeçarët dhe 25-vjeçarët? A mund të kenë mbetur flori në një shtëpi që është bastisur dhe sekuestruar disa herë nga arma e sigurimit të shtetit? Në shtëpinë e Nënë Kalopit u gjetën vetëm 2000 lek të vjetra. Pas një viti me ndërhyrjen e një funksionari shteti që mbulonte “drejtesinë “, kriminelët u lanë të lirë. Me daljen e ligjit për lëvizjen e lirë të njerëzve, pjesa dërrmuese e pjestarëve të Familjes se Ilia Dilo Sheperit emigruan në shtete të ndryshme. Të etur për dije, atë privim që patën në Atdheun e tyre për t’u arësimuar, brenda mundesive të emigrimit u perpoqen ta realizojnë në shtetet ku shkuan. Për fëmijet e tyre benë çdo sakrificë që të uleshin në bangat e auditoreve të universiteteve, dhe ja arritën qellimit.
Sot në dy kontinente japin kontributin e tyre intelektual 11 bij dhe bija të këtij fisi. Neve brezit që na u mohua e drejta e studimeve universitare dhe e botimit në ato fusha ku kishim talente, jemi krenarë që me daljen në emigrim i realizuam këto objekiva.
NJË MESAZH SI FORMË PAQËTIMI
Përfitoj nga rasti të përcjell mesazhin tim për popullin shqiptar dhe brezat që vinë: Kthej kokën pas dhe me kujtohen porositë e prindërve, xhaxhallarëve, hallave…
“Kohët do të ndryshojnë bij dhe bija por kini parasysh: Që vendi të eci përpara duhen: edukim, edukim, edukim dhe tolerancë.
Mos u bëni të liqve atë që na bënë neve ata se dhuna bie dhunë dhe është produkt barbarizmi.”
…
*Botuar në gazeten DIELLI, September , 2021 -Vol 112 No. 09 Issu 2166-9139
In English and Albanian
*****
….BESIMI NË ZOT dhe DASHURIA E VENDIT Një dëshmi rrëqethëse e terrorit komunist në Shqipëri (1944-1991) Kryqëzimi i familjes atdhetare të Ilia Dilo Sheperit dhe solidariteti rezistues Baza e patriotizmit shqiptar (Shënim i përkthyesit: Në një intervistë ekskluzive për gazetën shqiptaro-amerikane DIELLI organi i Federatës Panalbaniane të Amerikës VATRA (Shtator 2021, Nr. 09) Eduard Margarit DILO përshkruan në shqip persekutimin tragjik të gjithë familjes së tij nën regjimin komunist në Shqipëri, tashmë në anglisht për të mirën e atyre që nuk e njohin gjuhën shqipe.
Detajet janë tronditëse dhe natyra e tyre antinjerëzore, në kufi me barbarinë me rezultate vdekjeprurëse. (S.R.)
IMG_8641.jpeg
IMG_8640.jpeg
IMG_5443.jpeg
***
Ndërkohë e botoi dhe gazeta “PANORAMA” Tiranë në dt 26-27 Janar 2024
Me shkruan z.Lekë Tasi: ( dt 28/1/2024, Në mesazh )
Eduard lexova në TemA( e paska botuar dhe kjo-ED) historinë tragjike të fisit tuaj patriot : E ke shkruar në mënyrën më dinjitoze atë pabesi dhe barbari që u sul mbi atë tempull të Dijes kombëtare, Shtëpinë tuaj në Sheper,. Urejtja antikombëtare nuk ngurroi të përdorë dhunë vrasëse edhe ndaj një gruaje të moshuar! Dëmi i madh që pësoi ajo krahinë e bukur nuk vihet në vend kurrë, ashtu si dhe në shumë pika të tjera të Shqipërisë. Do kemi përparimet në të ardhmen, por këto plagë mbeten për jetë. Bëre detyrën duke e përshkruar në mënyrën më koncize, nji kontribut i shquar.
******
Ja ç’ka me shkruan:
Ragip Dragusha
“Respekte miku im i ndruar Eduard M. Dilo
Origjina Juaj tregon se guret e themelit
intelektual te kombit, jane pjese e
pandashme e mureve te kalase se identitetit
dhe gjuhes Shqiptare, ndaj vlersimi dhe
respekti im per pinjollat e tije, eshte dhe do
te mbetet githmone i larte.
Respekte per Ju.”