Temat Kryesore
- Premiera e filmit dokumentar “Republika e Spaçit” prezantohet në Muzeun Historik Kombëtar. Ky dokumentar vjen si një reflektim filozofikopoetik mbi të shkuarën totalitare dhe në periudhën e demokracisë
Një rikthim në vendin e traumave. Një reflektim filozofiko-poetik mbi të shkuarën totalitare dhe tranzicionin demokratik. Por kësaj here, jo nga njerëzit që i vuajtën këto trauma nën lëkurën e tyre, por nga studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale. Ky udhëtim në ish-burgun e Spaçit, është finalizuar me dokumentarin “Republika e Spaçit”, premiera e të cilit jepet sot, ora 18.00 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Dokumentari është ideuar dhe realizuar nga dy pedagogët e Shkencave Politike, në Fakultetin e Shkencave Sociale, Julian Bejko dhe Dritan Kardaku. Ata në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tregojnë se ky dokumentar nga lindur nga dëshira për të thënë dhe shpjeguar në mënyrë filozofike dhe filmike, atë që diskutohet rreth kësaj teme në fakultet me studentët. Sipas dy profesorëve, trajtimi dhe prekja e Spaçit më tepër sesa një dokumentar, është nevojë dhe detyrë për të edukuar shoqërinë dhe qartësuar një pjesë të shqetësimeve të saj që qëndrojnë ende.
Si lindi ky dokumentar?
Ky dokumentar lindi si dëshirë për të thënë dhe shpjeguar në një mënyrë filozofike artistike dhe filmike, ato për çka flasim e diskutojmë me studentët në fakultet. Gjithashtu, prej shumë kohësh raporti ynë me kinemanë është shumë i pranishëm dhe i rëndësishëm ndaj dhe vendosëm që përveç vizitës në Spaç, të realizonim edhe këtë film-dokumentar.
Përse “Republika e Spaçit”?
Titulli dhe subjekti kryesor dhe merr shkas nga titulli i veprës së mirënjohur të Platonit, “Republika” dhe nga alegoria e mitit të shpellës që shpjegon Platoni, ndërsa momenti artistiko-dramatik është vrasja e Sokratit, që simbolikisht është vrasja e mendimit. Me pak fjalë Platoni, Sokrati, Niçja, por dhe Naim Frashëri, poetja amerikane Maya Angelou dhe një nga etërit e Amerikës, Abraham Linkoln, përbëjnë disa nga referencat e filmit përveç atyre muzikore të përzgjedhura me kujdes dhe të bashkangjitura me logjikën e imazheve dhe fjalëve. Objekti i studimit tonë nuk është thjesht Spaçi, si një nga vendet më të llahtarshme të dënimit gjatë diktaturës, por kontekstualizimi i tij nën një optikë të historisë botërore. Problemi i çështjes së Spaçit i kalon kufijtë e një diskutimi të izoluar mbi një subjekt të caktuar sepse lidhet me shtetin, drejtësinë, ligjet, qeverisjen, edukimin, kulturën, të drejtat e njeriut, demokracisë, pra me republikën.
Çfarë faktesh ju kanë ndihmuar për të reflektuar mbi të shkuarën totalitare?
Vetë Spaçi si ansambël ndërtesash na ka shërbyer si skenografi faktesh dhe të dhënash të prekshme, si për ne, studentët dhe kristalizimin e tyre në imazh. Reflektimi mbi të është menduar para vajtjes dhe sidomos gjatë vizitave të shumta aty, kemi qenë 2 herë me studentë dhe 5 herë të tjera për të dokumentuar realitetin në kushte të ndryshme klimaterike. Një pjesë e imazheve janë marrë nga muret e “dhomave” të të dënuarve ku ata ndër vite kanë vizatuar e shkruar në formë dëshmie, dëshirat dhe dhimbjet e tyre. Më tej, prej kohësh ne japim mësim në fakultet dhe mes lëndëve të ndryshme disa lidhen me të njëjtat çështje që trajtojmë në dokumentar. Edhe studimet tona në master dhe doktoraturë i dedikohen shqetësimeve të shekullit XX, qeverisjeve totalitare, dhunimit të njeriut, pushtetit, kampeve të shfarosjes në masë dhe Shoah-s. Pra, si tematikë analize jemi plotësisht brenda profilit tonë akademik, por këtë herë vendosëm t’i jepnim një formë kinematografike, realiste dhe edukuese përmes imazheve.
Ju keni qenë atje në dhjetor të vitit 2015. Por si e shihni burgun e Spaçit sot, në tranzicion?
Premtimin për realizimin e një muzeu në Spaç, në shërbim të kujtesës historike, sa të afërt dhe të domosdoshëm e shihni?
Fatkeqësisht Spaçi i ditëve tona pasqyron mjaftueshëm tranzicionin e gjatë shoqëror, lënien pas dore, braktisjen, heshtjen, rrënimin gradual. Madje mund të bëhet një histori e tranzicionit përmes tij, siç pjesërisht e kemi kryer në dokumentar. Përsëri fatkeqësisht, nuk kemi mundur ta njohim Spaçin e ditëve të para të periudhës pas rënies së regjimit, ka humbur ajo vlerë muzeale, konkrete, dokumentaristike ende e gjallë dhe e freskët e dhimbjes. Shpresojmë që restaurimi i tij të jetë sa më afër realitetit të atyre kohëve dhe të asaj gjendjeje. Theksimi i Spaçit dhe problemeve që ngre lidhur me çështje të republikës dhe demokracisë me anën e shndërrimit në një muze, do të ndikojë në zbulimin e këtij ishulli dhe tymnajës që është rreth e rrotull tij. Trajtimi dhe prekja e Spaçit është më tepër sesa vajtja, xhirimi, bërja e një dokumentari; është nevojë dhe detyrë për të edukuar shoqërinë dhe qartësuar një pjesë të shqetësimeve të saj që qëndrojnë ende.
Historia
Ish- burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Ish- burgu gjendet në fshatin Spaç. Burgu i Spaçit renditet aktualisht si monument kombëtar i kategorisë së dytë. Në vitin 1973 në ish- burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984, ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Në ish- burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm, ndër të cilët edhe Fatos Lubonja. Lubonja dhe bashkëvuajtës të tij, dhe jo pak të mbijetuar nga burgjet e gjata politike të diktaturës komuniste në Shqipëri e kanë dëshmuar nëpërmjet letërsisë dokumentare. Disa prej tyre janë: Arshi Pipa me “Libri i burgut” (1959), Pater Zef Pllumi “Rrno vetëm për me tregue” (1995-2001), Maks Velo, Bashkim Shehu, Visar Zhiti, Uran Kalakulla etj.
Komentet