Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës filloi me një minutë heshtje, për të nderuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje dhe Hercegovinë. Nesër, më 11 korrik bëhen 28-vjet nga masakrës e Srebrenicës, ku forcat serbe të Bosnjës vranë më tepër se 8 mijë burra e djem myslimanë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se masakra e Srebrenicës është masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore, ku u vranë mbi 8 mijë boshnjakë.
Deputeti i komunitetit boshnjak, Bahrim Shabani, tha se Kosova qëndron në krah të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe tha se mohimi i gjenocidit nuk mund të lejohet dhe të tolerohet.
“Shteti i Kosovës dhe boshnjakët e Kosovës janë të përkushtuar për ruajtjen e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës si shtet sovran, i pavarur dhe i pandashëm”, tha ai.
Në vitin 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Rezolutën për Srebrenicën, e cila dënon gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë kundër pjesëtarëve të popullit boshnjak, dhe dënon ashpër mohimin e gjenocidit.