Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte rrethuar me gardh sigurie te hënën pasdite, ndërsa qindra njerëz, pasi kalonin përmes detektorëve metalikë u grumbulluan para kryeministrisë për të pritur Bill Klinton presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Prej këtu dëgjohej muzikë e zgjedhur amerikane dhe ngrihej një podium me ngjyra kuq e blu të flamurit të SHBA. Flamuj amerikanë e shqiptarë shpërndaheshin vazhdimisht në turmë nga pjesëtarë të ekipit organizues të ceremonisë.
“Një herë në jetë të jepet mundësia të shohësh një president amerikan”, – i tha BIRN Estref Agolli, një punonjës i administratës së Bashkisë së Tiranës.
Ndërsa kolegu i tij, po punonjës i bashkisë Gëzim Xhemo shtoi se për Klinton ishte edhe më e fortë dëshira për të qenë të pranishëm në shesh.
“Atë që ka bërë ai për ne, për Kosovën” – tha ai duke parë prezencën e tij si falënderim për ndërhyrjen e NATO-s në konfliktin e Kosovës në vitin 1999.
Si dy burrat, një pjesë e pjesëmarrësve brenda perimetrit të sigurisë duket se vinin nga administrata, por të pranishëm ishin edhe qindra qytetarë që kishin dalë të prisnin ish-presidentin.
Klinton shihet si një faktor vendimtar në fushatën 78-ditore të sulmeve ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, që detyroi Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake, e cila përfshinte spastrime dhe vrasje masive etnike të civilë shqiptarë.
Ai u ftua për një vizitë dy ditore në Shqipëri nga qeveria dhe u prit me nderime zyrtare në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama i akordoi atij medaljen e Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike, për të vlerësuar ndihmesën e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri, si dhe rolin e tij të veçantë në ndalimin e dhunës në Kosovë në vitin 1999.
Në ceremoni ishin pjesëmarrës të gjithë ish-presidentët e Shqipërisë, veç rivalëve të Ramës në politikë Ilir Meta dhe Sali Berisha, ky i fundit i shpallur “non grada” nga SHBA. Po ashtu të pranishëm ishin edhe figura të politikës shqiptare, kryesisht të Partisë Socialiste dhe deputetë të opozitë përfshi ish-kryetarin e PD-së Lulzim Basha.
Klinton u njoh me dhjetëra të rinj e fëmijë që mbanin si emër Klinton ose Hilary, bashkëshortja e tij, ish-Sekrerare e Shtetit në SHBA. Ata kishin udhëtuar nga Kosova për të falënderuar presidentin për rolin e tij për lirinë e Kosovës, në një kohë kur ata ndoshta nuk kishin lindur akoma.
Gjatë një fjalim emocional Klinton e quajti këtë vizitë një ëndërr që kishte që kur ishte një djalë i ri dhe studionte për luftën e ftohtë dhe Shqipërinë nën diktaturë.
Ai preku në fjalën e tij dhe konfliktin aktual në Veri të Kosovës duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të punojnë bashkë në të mirë të humanizmit. “Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do doja të mos kishte ndodhur kurrë”, tha Klinton.
Ai megjithatë u duk më afër me qeverinë e Kosovës në qëndrime se sa kryeministri Edi Rama në muajt e fundit. Klinton tha se 4 bashkitë në Veri të Kosovës ishin krijuar për t’u dhënë “4 kryebashkiakë më tepër” pakicës serbe të Kosovës dhe shtoi se ata kishin bërë gabim që nuk kishin marrë pjesë në votime.
Megjithatë ai bëri thirrje për të gjetur një zgjidhje për të ulur tensionet duke i ftuar shqiptarët të toleronin. “Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke patur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë që të kenë një qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet “ju duhet të votoni” gjithmonë”, tha Klinton, ndërsa theksoi marrëdhënien e tij të veçantë me shqiptarët.
Ai po ashtu tha se ishte besim plotë për zhvillimin e vendit. “Sot pra më dhatë një dhuratë të madhe, më të madhe madje edhe sesa nderi. Më latë të shoh çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë”, tha ai.
Ndërsa Rama mbajti një fjalim të gjatë ku veçoi për rolin që Klinton luajti 24 vite më parë për çlirimin e Kosovës. “Në shqiptarët kemi patur privilegjin ta përjetojmë drejtpërdrejtë në lëkurën e kombit tonë forcën rrëqethëse të fjalës së Presidentit Klinton në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999”, tha Rama, duke lavdëruar më pas oratorinë e Klinton dhe lexuar pjesë nga fjalimet e tij të vitit 1999.
Rama po ashtu u mburrur se PS-ja që ai drejton ishte ndër të paktat forca politike që ndiqnin “Rrugën e tretë” të Klinton dhe ish-kryeministrit Britanik Toni Blair. “Shqipëria është një nga të paktat vende rreth e rrotull, ku një parti e rrugës së tretë, vazhdon të qeverisë prej vitesh”, tha kryeministri.
Më pas Klintonit iu dha medalja e Yllit të Mirënjohjes, të cilën Rama e prezantoi si medalja më e lartë që jep Këshilli i Ministrave. Ish-presidenti i SHBA do të qëndrojë në Shqipëri edhe të mërkurën, por detaje të agjendës nuk janë bërë publike.