Gaboni, Somalia, Saint Lucia, Burkina Faso, Maldivet, Antigua dhe Barbuda, Libia dhe Esëatini. Këto janë shtetet që sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë çnjohur Kosovën. Këto pretendime, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ia bëri të ditura popullit të tij, në adresimin vjetor, në fund të vitit të kaluar, shkruan sot RTKlive.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, pati reaguar pas deklaratave të presidentit serb
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka asnjë njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen”.
MPJD deklaroi se një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë.
Fakti se pretendime të tilla të Serbisë janë më shumë për të shtuar konfuzionin tek qytetarët serbë, duket se u vërtetuan sot në Ankara të Turqisë.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, takoi sot ambasadorin e Somalisë në Ankara. Somalia është një nga shtetet që Serbia deklaron se ka çnjohur pavarësinë e Kosovës.
Siç ka njoftuar ambasadori somalez në Turqi, Jama A. Mohamed, me ambasadorin Vrenezi kanë pasur një takim produktiv e ku kanë diskutuar për forcimin e raporteve bilaterale.
“I nderuar që prita ambasadorin Agron Vrenezi, ambasador i Kosovës në Turqi”, shkroi diplomati somalez.
“Ne patëm një diskutim produktiv për forcimin e raporteve tona bilaterale, shkëmbyem informacione dhe pikëpamje rreth çështjeve aktuale në rajon”, ka shkruar Mohamed.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Kosovës në llogarinë e saj në twitter, duke njoftuar për këtë takim, shkruan se dy ambasadorët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit më të thellë ndërmjet dy vendeve. “Ata shkëmbyen pikëpamjet për zhvillimet rajonale e ndërkombëtare”, shkruan në njoftimin e MPJD-së.
Përplasjete Kosovës dhe Serbisë për çështjet e njohjeve apo tërhejqes së njohjeve edhe më tej vazhdojnë.
Sidoqoftë, diplomacia serbe duke përdorur edhe propagandën, ka qenë mjaft aktive edhe publikisht në synimin e saj për të dëmtuar pozitën politike të Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos gjatë vitit 2022.
Komentet