Distria Krasniqi duke pozuar me tifozë pasi fitoi medaljen e artë në “Jerusalem 2022”, 20 dhjetor 2022.
Doruntina Baftiu
Xhudistë, futbollistë, boksierë, skitarë e basketbollistë ngritën lart flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare përgjatë vitit 2022. Radio Evropa e Lirë ka grumbulluar disa prej ngjarjeve që shënuan disa nga sukseset më të mëdha të sportit kosovar këtë vit.
4-20 shkurt: Kosova, për herë të parë me dy garues në Lojërat Olimpike Dimërore
Në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, Kosova u përfaqësua për herë të parë me dy garues, Albin Tahirin dhe Kiana Kryeziun.
Tahiri, i cili kishte debutuar në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2018, arriti suksesin më të madh të Kosovës në këto gara duke e zënë vendin e 15-të në kombinimin alpin në skijim.
Ai garoi edhe në tri kategori të ndryshme, të cilat zuri vendin e 30-të, të 35-të dhe të 37-të.
Ndërsa, për herë të parë, përkrah Tahirit, në këto gara Kosova u përfaqësua edhe nga një vajzë, Kiana Kryeziu. Ajo debutoi me skijim në sllallomin e madh në konkurrencën e vajzave, ku zuri vendin e 49-të.
30 prill: Fazliu e argjendtë dhe Krasniqi e bronztë në Kampionatin Evropian
Ekipi i xhudistëve të Kosovës e mbylli Kampionatin Evropian, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë, me një medalje të argjendtë dhe një të bronztë.
Të argjendtën Kosovës ia dhuroi Laura Fazliu, e cila me tri fitore me Ippon dhe një me Wazaari arriti deri në finalen e kategorisë së peshave deri në 63 kilogramë.
Por, pasi kishte mposhtur garueset nga Izraeli, Britania e Madhe, Çekia dhe Spanja, Fazliu në finale pësoi humbje nga britanikja Gemma Howell. Megjithatë, 22-vjeçarja shënoi suksesin më të madh të Kosovës në këtë garë dhe tani radhitet në pozitën e 21-të në ranglistën botërore për kategorinë e saj.
Listës së medaljeve të xhudistëve nga Kosova iu shtua edhe një e bronztë, e fituar në këtë garë nga Distria Krasniqi. Kampionia Olimpike e Kosovës e mposhti gjermanen Mascha Ballhaus në ndeshjen për medaljen e bronztë në kategorinë deri në 52 kilogramë.
18 maj: Sadiku i jep fund epokës 44-vjeçare të Kosovës pa medalje në boks
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit, në kategorinë e peshave deri në 60 kilogramë, që u mbajt në Stamboll të Turqisë. Me këtë fitore, 23-vjeçarja i dha fund ecurisë së boksit kosovar pa medalje në kategorinë e seniorëve që nga viti 1978.
Në rrugëtimin e saj drejt medaljes së bronztë, Sadiku mposhti garuesen nga Taipei, Wu Shih-yi, atë nga Kongo, Jocelyne Tshamala dhe atë nga Japonia, Ayska Taguchi. Ëndrrën për të artën ia shoi amerikania Rashida Ellis, por medalja e bronztë e Sadikut u vlerësua si “suksesi më i madh në histori të boksit kosovar” nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Boksierja kosovare shënoi sërish sukses në tetor, kur fitoi edhe një medalje të bronztë, këtë herë në Kampionatin Evropian, që u mbajt në Mal të Zi.
*Video nga arkivi: Dy luftërat e boksierës Donjeta Sadiku
28 qershor – 3 korrik: Astera Tuhina, në top-pesëshen më të mirë në garën e FIBA-s
Astera Tuhina, 18-vjeçare, u zgjodh në mesin e pesë basketbollistëve më të mira në ndeshjet e zhvilluara në Qipro, në kuadër të FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla.
Me një mesatare prej 11 pikëve të shënuara, shtatë kërcime dhe 5.3 asistime për ndeshje, Tuhina arriti ta bëjë të ditur se është “një nga shpresat e basketbollit të Kosovës”, siç kanë thënë nga Federata e Basketbollit e Kosovës.
Tuhina – që tani luan për ekipin e basketbollit të Universitetit Shtetëror të Uashingtonit – i kishte ndihmuar Kosovës ta shënojë një fitore në këtë garë.
5 korrik – 3 nëntor: Ballkani arrin sukses të paprecedentë në garat evropiane
Më 5 korrik, klubi nga Suhareka, FC Ballkani, nisi një rrugëtim historik në parakualifikime, kualifikime dhe pjesëmarrje në garat evropiane – duke u bërë klubi i parë kosovar që kualifikohet në fazën e grupeve të një gare evropiane.
Pasi fitoi titullin e kampionit të Kosovës në sezonin paraprak, Ballkani nisi garat në Evropë me ndeshjen në rundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve kundër klubit nga Lituania, Zalgiris.
Edhe pse ndeshjen e parë e mbylli me barazim 1:1, Ballkani nuk arriti të vazhdojë tutje në kualifikimet për këtë garë pasi ndeshjen kthyese e humbi me rezultat 1:0.
Por, rrugëtimi në kualifikimet për Ligën e Konferencës solli rezultate më të mira për klubin kosovar. Pas fitoreve të arritura në tri runde kualifikuese, Ballkani mori pjesë në fazën e grupeve të kësaj gare.
Klubi nga Suhareka nuk arriti ta kalojë fazën e grupeve – ku u radhit i fundit në tabelë, me katër pikë të fituara gjithsej – por kualifikimi deri në këtë fazë mbetet arritje historike për klubet e futbollit në Kosovë.
7 tetor: Krasniqi, e bronztë në Kampionatin Botëror
Kampionia olimpike e Kosovës, Distria Krasniqi, e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos 2022 në Uzbekistan, pasi e mundi xhudisten nga Izraeli, Gefen Primo, në ndeshjen për këtë medalje.
27-vjeçarja nga Peja – që tani radhitet e treta në botë në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë – synonte medaljen e artë, por ishte ndalur në rrugën drejt kësaj medaljeje nga xhudistja britanike, Giles Chelsie, në gjysmëfinale.
Kjo ishte hera e dytë që Krasniqi fitoi medalje të bronztë në Kampionat Botëror të xhudos. Përgjatë këtij viti, ajo ka shtuar katër medalje të arta, dy të argjendta dhe dy të bronzta në koleksionin e saj.
Shqiptarët edhe njëherë tjetër janë bërë krenarë me suksesin në futbollit. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ngriti trofeun e Europa League, duke u bërë i pari futbollist kuqezi që e fiton këtë kupë, për më tepër si kapiten i Atalantës.
Mes shumë urimeve nga mbarë bota, nuk mund të mungonte ai i bashkëshortes së tij, Alisa Jalize. Ajo ka zbritur në fushë bashkë me djalin, duke festuar me Gjimshitin, i cili i ka dhuruar një puthje e më pas ka luajtur edhe me djalin. Një festë mëse e ligjshme për kapitenin shqiptar, i cili disa vite më parë u paragjykua jo pak sepse ishte lidhur me një vajzë me origjinë serbe.
Alisa e ka mbështetur gjatë gjithë kohës Beratin dhe kulmi arriti mbrëmjen e së 22 majit, ku si kapiten i Atalantës ai ngriti në fund trofeun e Europa League. Tani një tjetër mision i vështirë e pret Gjimshitin, të udhëheqë Shqipërinë në Kampionatin Europian si kapiten i Kombëtares.
Atalanta e Berat Gjimshitit shkruan historinë, duke fituar 3-0 ndaj Leverkusen në Dublin, në finalen e Europa League. Bergamaskët e nisën ndeshjen në sulm dhe menjëherë u treguan efektiv. Një top i Zappacostës në zonë u shfrytëzua në maksimum nga Lookman në minutën e 12-të, i cili “nuhati” golin.
Gjermanët provuan të reagonin, rasti i parë konkret ishte ai i Stanisic në minutën e 18-të, por vetëm kaq. Në gjysmën e pjesës së parë, nigeriani Lookman u shfaq sërish protagonist. Një top i kthyer keq nga mesfusha solli edhe golin e dytë, e djathta e Lookman ishte e pamundur për t’u arritur nga Kovar.
Granit Xhaka tentoi të ngushtojë shifrat me një goditje nga distanca, gjithsesi gjuajtja nuk kishte forcën e duhur. Në minutën e 35-të, mundësi ideale për Grimaldon pas disa pasimesh të bukura nga skuadra e Xavit, ideja e tij u kuptua nga portieri Musso, që mbajti në kontroll sferën.
Në pjesën e dytë, Leverkusen rriti ndjeshëm presionin, por pësoi edhe golin e 3-të nga Lookman në të 75-tën, gol që mbylli një herë e mirë llogaritë. Në fund, festë e madhe për Gjimshitin me shokë, skuadra italiane “rrëmben” trofeun pas një edicioni fantastik në Europa League.
Në krahun tjetër, te Leverkusen provojnë për herë të parë këtë sezon shijen e humbjes. bw
Xhudistja “Dardane”, Laura Fazliu, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Xhudos, që po mbahet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në kuadër të kategorisë deri në 63 kilogramë, Fazliu në finalen e repesazhit e mposhti xhudisten nga Kanadaja, Catherine Beauchemin-Pinard.
Deri te medalja e bronztë, Fazliu në raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin u mposht nga kroatja, Katarina Kristo. Laura vazhdoi me fitore edhe në raundin e tretë, duke e mposhtur xhudisten ruse Dali Liluashvili, ndërsa në luftën për gjysmëfinale u mposht nga sllovenja Andreja Leski.
Më pas, Laura e vazhdoi garën në repesazh, ku në raundin e parë e mposhti australianen Katharina Haecker, ndërsa në finalen e repesazhit e mposhti kanadezen Beauchemin-Pinard. sn
Do të jetë turneu i 11 i madh për 39-vjeçarin, Anglia pa Rashford
VOAL- Cristiano Ronaldo do të udhëheqë gjithmonë Portugalinë në Kampionatin Evropian, thuhet në një lajm të transmetuar nga RSI. 39-vjeçari, i cili po përgatitet të luajë turneun e tij të 11 madhor me përzgjedhjen portugeze, në fakt është pjesë e 26-shes së thirrur nga Roberto Martinez. Së bashku me asin e Al-Nassr – në turneun e gjashtë kontinental në karrierën e tij, një rekord – do të ketë shumë emra të tjerë të mëdhenj, si Bruno Fernandes, Ruben Dias apo Bernardo Silva, bën të ditur RSI. Trajneri vendosi gjithashtu të mbështetet në përvojën e Pepes, i cili në moshën 41-vjeçare do të jetë ende një gur themeli i praparojës portugeze.
Anglia ka publikuar edhe emrat e 33 lojtarëve të përzgjedhur përpara Euro 2024. Surprizë është mungesa e Marcus Rashford, i freskët nga një sezon më pak se yjor me Manchester United dhe i lënë jashtë skuadrës që do të udhëtojë drejt Gjermanisë. Jadon Sancho dhe Raheem Sterling janë gjithashtu jashtë, ashtu si edhe Jordan Henderson. Është e qartë se Jude Bellingham dhe Harry Kane ishin të pranishëm në vend të tyre, dy lojtarët e vetëm që luajtën jashtë Premier League në ekipin e Gareth Southgate, bën të ditur, ndër të tjera RSI.
Kandidatura e përbashkët e Federatës Shqiptare të Futbollit me Federatën e Futbollit të Serbisë për organizimin e Euro 2027 për U21, ka sjellë reagimin e madh të tifogrupit, Tifozat Kuqezi. TKZ shkruan se do të kundërshtohet çdo nismë, e cila ka si synim rregullimi ne marrëdhënieve me një vend që gjithmonë ka luftuar kundër Shqipërisë.
“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet ti rregulloj imazhin një populli barbar e gjenocidal. Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë” – Shkruan TKZ. Mbështetësit e Kombëtares nuk kanë “qëndruar duarkryq” duke postuar vetëm në rrjetet sociale, pasi tashmë po protestohet edhe para selisë së FSHF-së. BW
Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka thënë se fitoren ndaj Tyson Furyt, ia kushton vendit të tij që është në luftë.
“Kjo është një fitore për vendin tim.Ndihem mirë, shumë njerëz u lutën për mua, ju dua”, u shpreh Usyk.
“Unë jam shumë i lumtur. Populli im do të jetë shumë i lumtur mendoj, është një fitore e madhe, jo vetëm për mua, është një fitore e madhe për vendin tim, për ushtarët që tani mbrojnë vendin tim”.
“Mendoj se babai im tani po më shikon dhe është shumë i lumtur. Babi, të dua. Unë mundem, ti më the se mundem”.bw
Lennox Lewis kritikoi planin e lojës së Tyson Fury kundër Oleksandr Usyk, pasi britaniku pësoi një humbje me pikë ndaj ukrainasit.
Fury, 35 vjeç, humbi titullin e tij në WBC dhe rekordin e tij të përsosur ndaj Usyk në Riad, Arabi Saudite, pasi rivali i tij u bë kampioni i parë i padiskutueshëm i peshave të rënda në epokën e katër rripave.
“Fury po boksonte sikur e kishte fituar luftën”, tha Lewis në DAZN.
“Asnjë boksier nuk mund të gjykojë dhe të thotë se e fitoi meçin. Sa herë që një raund ishte afër, ata duhet ta shikojnë atë si një humbje”.
Dy gjyqtarë shënuan ndeshjen për Usyk, ndërsa një i tretë shënoi 114-113 për Fury.
Të tre gjyqtarët i dhanë raundet e tetë, nëntë dhe 10 për Usyk.
Fury tha se besonte se ishte qartësisht përpara me pikë duke shkuar në raundin e fundit.
“Po argëtohesha atje. Unë isha duke luajtur përreth. Mendova se po e drejtoja luftën, “tha ai.bw
Tyson Fury pësoi një humbje me pikë në një natë dramatike në Arabinë Saudite, pasi Oleksandr Usyk u bë kampioni i parë i padiskutueshëm i boksit me katër rripa në peshën e rëndë.
Në një skenë madhështore, britaniku Fury filloi mirë, por nw raundin e 9-tw u shpëtua nga gongu pas një sulmi të Usyk.
Në një pritje të tensionuar për leximin e kartave të rezultateve, Fury u shfaq i bindur për fitoren përpara se Usyk me fytyrë ‘guri’ të shpërthente në lot kur u konfirmua si fitues.
Rezultatet ishin 115-112 dhe 114-113 për ukrainasin, me një gjyqtar të tretë që shënoi 114-113 për Fury.
Kjo do të thoshte që Fury, 35 vjeç, humbi për herë të parë në një karrierë profesionale 16-vjeçare. Ai do të ketë një mundësi të menjëhershme për hakmarrje me një revansh të planifikuar më vonë këtë vit.
“Unë besoj se ai fitoi disa nga raundet, por unë fitova shumicën,” tha Fury.
“Ishte një nga vendimet më të vështira në boks. Do të kthehem.”
Usyk merr rripin WBC nga Fury, për ta shtuar në koleksionin e tij WBA, WBO dhe IBF.
37-vjeçari mbetet i pamposhtur dhe është boksieri i parë në pothuajse 25 vjet që qëndron si kampioni i vetëm i botës në peshën e rëndë.
“Faleminderit shumë për ekipin tim. Është një mundësi e madhe për familjen time, për mua, për vendin tim. Është një kohë e mrekullueshme, është një ditë e mrekullueshme,” tha Usyk.bw
Një nga legjendat e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari feston 60-vjetorin e tij të lindjes.
Ai është një nga ikonat e Dinamos dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave.
Demollari e nisi karrierën që në moshën 15-vjeçare kur u grumbullua nga ekipi i Dinamos.
Vite të tëra kushtuar “Bluve”, ku me grintën, qetësinë, karakterin, shpejtësinë dhe driblimet ia doli të kthehej në një element kyç të kësaj skuadre.
Po jo vetëm kaq, ai është një ikonë e kombëtares shqiptare, i cili aktualisht vazhdon të jetë pjesë e pandarë e kuqezinjve, teksa jep kontributin në FSHF për spikatjen e brezave të rinj.
Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një iniciativë shumë të veçantë për ndeshjen e parë të Kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stadiumin e Dortmundit, aty ku edhe do të luhet takimi i parë i kuqezinjve ndaj Italisë janë rezervuar vende për të gjithë ish-futbollistët e ekipit kombëtar që kanë luajtur qoftë edhe një minutë të vetme me fanellën shqiptare.
Të gjitha kostot e udhëtimit, qëndrimit dhe biletat e ndeshjes do të mbulohen nga FSHF, që dëshiron që të vlerësojë në këtë mënyrë të gjithë ata futbollistë dhe emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, të cilët kanë përfaqësuar dhe kanë dhënë gjithçka për fanellën e Kombit në të kaluarën.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” më 15 qershor në ora 21:00 dhe mes mijëra tifozëve shqptarë, do të jenë të pranishëm edhe shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe që kanë lënë gjurmë me ekipin kombëtar.bw
Pak më shumë se një muaj, përpara startit të “Euro2024”, UEFA ka bërë publike kolonën zanore, zyrtare, të këtij evenimenti.
“Zjarr”, quhet kënga e cila do të shoqërojë tifozët gjatë “Euro2024”, një këngë e krijuar nga producentët italianë të Meduza, nga grupi pop-rock amerikan OneRepublic dhe nga kantautori Leony.bw
Komentet