Duke ndjekur Festivalin e 61 të këngës në RTVSH, ajo që më ra në sy është cilësia e dobët e teksteve të këngëve konkurruese. Fjalë të përgjithshme, shpesh pa kuptim që rrotullohen si zaje lumi në gojën e këngëtarit, zanore dhe bashkëtingëllore pa funksion. Edhe pse kjo çështje është konsideruar si thembra e Akilit në vite, avazi vazhdon përsëri. Vitin e kaluar, edhe pse teksti i këngës së kënduar nga Ronela Hajati, ishte një tmerr i vërtetë letrar (të gjithëve na e vranë veshin vulgariteti i vargjeve të asaj kënge), juria në të cilën merrnin pjesë poetë dhe të ashtuquajturit “ustallarë të këngës”,në vend që ta konsideronin atë si “material skarco” dhe të papranueshme nga ana etike, bënë të kundërtën, e shpallën pa ngurrim fituese të Festivalit të 60 të këngës. Pa dashur të hyj në pjesën muzikore dhe interpretuese të saj, sepse nuk jam specialist muzike, etika më jep të drejtë të mendoj, se një këngë me një tekst të tillë, nuk duhet ta kishte parë as me dylbi skenën e këtij evenimenti kaq të rëndësishëm, që lidhet para së gjithash edhe me dinjitetin e këngës sonë kombëtare në vite. Shumëkush e di se kënga përbëhet nga disa komponentë, të lidhur ngushtë me njëri tjetrin. Nëse stonon njëri prej tyre, suksesi i këngës vihet në dyshim. Asnjë kompozitor nuk mund të pretendojë të bëjë një këngë të bukur mbi bazën e një teksti të shëmtuar si ky “Ehehej po vjen djali ka malet/ Ta marrsha me kadal, me kadal ehej/ Ma ke bo jetën si lojna/ Si avion ma kalon/ ma kalon/ nuk e di/ si për tjetër m’ke lon/ Edhe sot po du me ta thon/.
Për dekada të tëra tekstet e këngëve në eventet e RTV shqiptar shkruheshin dhe redaktoheshin me kujdes dhe pasion nga një grup poetësh të njohur, të cilët kanë shkrirë talentin dhe fantazinë e tyre, me bindjen se teksti i një kënge është bazamenti dhe pikënisja e frymëzimeve të çdo kompozitori. Fakti që trashëgojmë një numër të madh këngësh në arkivin e RTSH -së i dedikohet edhe atyre. Përfytyroni ç’vlerë të diskutueshme mund të kish kënga “Për ty atdhe” , edhe pse u këndua mrekullisht nga një mjeshtër i madh i këngës, si Mentor Xhemali, apo ç’emocione mund të shpërndante kënga “Këputa një gjethe dafine”, kënduar nga Gaqo Çako, nëse nuk do të shoqëroheshin nga tekste të arrirë nga Arben Duka, Jorgo Papingji, Xhevahir Spahiu, Agim Doçi, Gjokë Beci e Xhuljana Jorganxhi, Irma Kurti etj.
Në memorien e dashamirësve të këngës. emri i Haxhi Ramës do të kujtohet gjatë, jo vetëm për vlerat e tij regjisoriale në lëmin e estradës, por edhe për tekstin e mrekullueshëm plot gjetje të shumë këngëve, si “Lemza” etj. Por, në vitet e fundit tekstet ju lanë në dorë krijuesve anonimë gjersa mbërritëm këtu ku jemi.
Bob Dylan për karakterin e teksteve të këngëve të tij do të shprehej se: “Unë mund të krijoj nëpërmjet vargjeve të këngëve të mia orbita shumë-llojshe, që udhëtojnë në lidhje me njëra tjetrën”. Është një thënie shumë kuptimplote, por që është shumë larg realitetit në të cilën ndodhet kënga jonë dhe që duhet të na verë në mendime. Por, cili ishte reagimi i njerëzve të letrave për tekstin karikaturë të këngës së Ronelës? Për fat të keq, ishte një reagim shumë i zbehtë që u shua shpejt. Tendenca e dëmshme e konformizmit dhe e mbylljes së gojës vazhdon të dominojë ende në pjesën më të madhe të elitave tona artistike. Analistë dhe kritikë që mbushin çdo natë ekranet e TV -ve dhe gazetave qendrore, që s’ngurojnë të çirren dhe ulërijnë edhe për mustaqet e Çelos, si gjithmonë heshtën. S’dinin ç’të thonin apo aq u bënte? Mendoj se është kjo e dyta. E vetmja që guxoi të jepte mendimin e saj profesional për këtë çështje ishte kompozitorja dhe pedagogia e njohur Diana Ziu, e cila u vu menjëherë përballë falangave të zhurmshme të pseudoartistëve dhe tekstexhinjve profesionistë që janë bërë një trup me antivlerat. Argumentet e saj ishin kaq profesionale dhe të pakundërshtueshme, por kujt t’ia thojë ?
Me tekst, pa tekst, suksesi i një kënge është i garantuar, pohonte njëri prej tyre. Ndërsa ndiqja atë natë debatet aspak profesionale dhe herë herë pa edukatë në një ekran TV -eje lidhur me këtë çështje, m’u përforcua mendimi, se ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe për këngën tonë, kanë ardhur kohë të vështira. Krijime të tilla të zhveshura nga motivet jetësore, mbushur me boshllëk shpirtëror, që nuk sjellin mesazhe, por glorifikojnë kulturën e rrugës dhe vulgut, janë një evidentim i qartë i deviacionit që ka marrë sot kënga jonë, si edhe i mungesës totale të përgjegjshmërisë të atyre, që merren me të.
Ende pa u mbushur viti, një tjetër këngë me një tekst pothuajse si i pari, bëhet përsëri fituese e një festivali tjetër, atij të Këngës magjike (një festival që në fillimet e tij nisi me shumë pretendime ), me producent Ardit Gjebrenë dhe TV Klan. Përkundër muzikës së bukur dhe interpretimit, teksti i kësaj kënge na afroi një tufë vargjesh të ç’orientuar, pa asnjë nivel artistik, të ngjashëm me shprehjet e rëndomta, dalë nga goja e një të dehuri. “Ka qenë Xhesi, Sara dhe Iva/ Që më thanë t’palamet e tija/ Veç ai lart e di,sa t’kam duru/ Me kaq jo s’ka përfundu/ Më shih këtu në sytë e mia/ Më thuj si t’shjon tradhëtija/Në ditë të këqija më ke lënduar/ N’funeral t’dashnis tem, ti je i paftuar”/ Ashtu si në rastin e parë edhe këtu teksti trajton një histori të rëndomtë dashuriçkash, me ndarje, sharje dhe kërcënime për hakmarrje. Është një kakofoni vargjesh që të lë një shije të keqe, ndaj justifikimet e stërpërsëritura dhe bajate të ustallarëve të këngës në RTV: se këngë të tilla janë trendy dhe pëlqehen nga artdashësit, janë të papranueshme dhe cinike. Nisur nga këto fakte, shumëkush prej nesh ka kohë që s’i bëhet më të shkojë nëpër ngjarje të tilla dhe mos pyesë veten me shqetësim. Mos vallë po mësohemi me fundin që disave po ju duket si majë?
Shenjat e deritanishme s’flasin për mirë.
Komentet