Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Mica e Shtjefën Lacukut
Trashëgimia më e vyer që la filohelenisti i shquar Vas Gavoçi, mbas daljes nga burgu, veç veprave të klasikëve dhe morisë së heronjve të Homerit, pa diskutim ishte “Pisi-pisi”, një mace larushe e bardhë në të zezë, me sytë si sumbulla ari. “Pisi-pisi” ishte produkt i një çiftëzimi bizar, mëma ishte me origjinë nga Repsi, ndërsa ati, një maçok i egër. Kur na transferuan, Vasi futi macen në thes, e maskoi brenda dyshekut rrulo dhe ua hodhi policëve.
Kështu “Bardhoshja” mbërriti në Spaç, ku u përshtat mirë e bukur, me gjahun e bollshëm, (minjtë e galerive shtoheshin më shpejt dhe më të majmë). Sa u njoh me mjedisin, “Bardhoshja” doli jashtë rrethimit të eksploronte rrethinat, ku ndeshi një maçok të zi, që na e solli kollovar. Sapo u çiftëzuan, daci u bë firar, ndërsa “Bardhoshja” pas ca muajsh lindi tri kotele larushe, që shtuan gëzimin e krejt kapanonit.
Por një mëngjes, Vasi gjeti dy kotele të ngordhura dhe të tretën të plagosur. Duket “Bardhoshja” harroi përkujdesjen për të vegjlit, e mësuar me ngordhalaqët e Repsit, minjtë e Spaçit siç përmenda, ishin të shëndetshëm e tepër agresivë dhe sipas gjasave, i kishin mbytur. Pas ca kohe edhe “Bardhoshja” u zhduk, lajthiti apo, e shqyen minjtë, s’i dihet! Kësisoj; “Pisi-pisi” përfundoi jetime.
Tashmë gjithë dashurinë e hodhi te Vasi, që kujdesej dhe e ushqente me merakun e prindit. Kotelja larushe shëtiste shtrat më shtrat dhe iu fërkohej të gjithëve, por gjumi e zinte vetëm mbi gjoksin e tij. Sapo avitej “Pisi-pisi”, Vasi linte klasikët mënjanë dhe luante me të, gjë e pazakontë për filohelenistin e dhënë pas autorëve të antikitetit. Kështu vijuan gjer ditën e lirimit, kur bashkë me klasikët, i mbeti Tefës trashëgim.
Humbja e kontaktit më të zot, e bëri “Pisi-pisin” melankolike. Ajo grimpohej mbi kartoserë dhe mjaullinte majë çatisë, si t’i thërriste padronit. Tefa e ndillte: “Pisi-pisi”, po ajo vijonte vajet, gjersa bindej se s’do kthehej i zoti, pastaj zbriste me përtesë, i fërkohej pas gjunjëve dhe shtriqej sy-picërruar, me ronrone të zgjatura.
“Tani që të la Vasi pendët, të rrojë macka spiune bre Tef”! – e cyste Xhelal beu, pas ritit të përditshëm. – “Paj, pasha Zotin Xhelal bej, ma qari më del, m’u marr me micën, se me Akilin tat”! – ia kthente Tefa hazër xhevap (duke nënkuptuar Akil Kurbinin) dhe të qeshurat e shakatë tundnin kapanonin.
“Tarti”
Më se një vit para Revoltës, në kapanonin mbi abis, kumbisi një këlysh i vockël dhe i dobët, sa të ngjallte mëshirë. Fiqiri Muho, i sajoi një kolibe nën dritare, ia shtroi me kashtë e me rrecka dhe e ushqeu me biberon, gjersa nisi të hante me gojën e vet. Bubi rritej dhe zbukurohej, por s’ishte i prerë për burg, sepse dilte jashtë rrethimit dhe kthehej në strofkë, sa herë i tekej. Kësisoj u bë një tip emisari, që nxirrte brengat tona dhe sillte një grimë lirie.
E thërrisnim “Bubi”, aventurierin e vogël dhe ai na përgjigjej me “ham-liame” gazmore. Por duket ky emër, s’i ngjiti Fiqos sepse, kur po lexonte një ditë Dodë-në, iu tek ta pagëzonte “Tartarin” në respekt të taraskonasit të famshëm. Qysh atëkohë, e thirrëm njëzëri “Tarti”.
“Tarti” u rrit me ne, u bë pjesë e jetës sonë dhe miku më i mirë. Për të hiqnim çapën nga goja, ama edhe ai na e shpërblente me ledha dhe ojna. Aq u lidhëm, sa do ta kërkonim zgëqeve të kampit apo, do ta ndillnim gjersa të rikthehej, kur s’e gjenim në strofkë, po edhe ai e braktisi racën e vet dhe s’na ndahej, nga mëngjesi në darkë, në apel, në banjë, në mensë, madje gjer në hyrjen e galerive.
Duke u rritur fitoi ca reflekse të veçanta, shoqëronte njërin turn dhe priste tjetrin kur linte punën, me aq saktësi, sa mund ta krahasoje me një sahat perfekt. Kur qëllonte të na mbanin më gjatë, “Tarti” zinte hyrjen dhe bulurinte, gjersa shihte të dënuarit. Prezenca e tij i acaronte policët, që e përzinin dhunshëm, po ai kthehej dhe ua riniste ulërimave.
Ata e qëllonin me gurë dhe e sakatonin, ne e mjekonim dhe të nesërmen përsëritej avazi, gjersa lindi një antipati e ndërsjellë që u kthye dora dorës në armiqësi të rreptë. Sa pikaste rrobën e policisë, i ngrihej qimja drizë, skërmiste dhëmbët dhe i sulmonte ku mundte. Në këto pozita i gjeti revolta. “Tarti” përfaqësonte kafshën më të çuditshme e, më inteligjente që kam rastisur të shoh apo të dëgjoj.
Çudia lidhet me instinktet e kultivuara gjenetikisht, ndonëse s’i përkiste ndonjë race të zgjedhur, ai përftoi vetitë më të vyera të species së vet; ishte besnik dhe s’largohej nga strofka edhe kur mund t’i gërryenin zorrët, gati-gati si ne të burgosurit që shpesh flinim barkthatë dhe hanim veten; priste gozhdë në acarin dimëror spaçian, bash si ne në birucat e akullta, po s’bënte këmbë më tej, strukej në rrecka e kashtë dhe ruante vigjilencën; ndonjëherë kuiste i sëmurë si ne, nga gripi spanjoll, po sërish do ishte i përpiktë në orarin e pritje-përcjelljeve të turneve.
“Tarti” kishte intelekt perfekt. Pa ndihmën e instruktorit apo trajnerit personal, kapi përsosmërinë, kur të ngjashmit i sistemonin në shkolla dhe akademi me personel të specializuar, ku s’mungon shërbëtori kuzhinieri, mjeku, gjer te trajneri, instruktori, profesori, madje edhe akademiku.
Sot operojnë shkolla special, për trajnime me metoda bashkëkohore, ku përgatitin qenë për gjah kafshësh, shpendësh dhe peshkimi, qenë anti-mina, antidrogë, anti-eksploziv, qenë që gjurmojnë të mbijetuarit nga ortekët, që zbulojnë të zhyturit nën rrënojat, etj., etj., për të cilët lipset një mori vite punë, personel dhe natyrisht qenë udhëheqës, që përcjellin traditën nga brezi në brez.
“Tarti” ynë, s’kishte asnjërën; i mungonte ushqimi, hante krunde dhe supë burgu me ne, më shpesh ish i uritur; i mungonte komoditeti, shtrihej mbi byk dhe mbi rreckat plot parazitë; i mungonin: shërbimi, specialistët, trajnerët, instruktorët, s’po flas për pedagogë dhe akademikë të fushës përkatëse. Me gjithë këto mangësi dhe të tjera që s’i përmenda, ai rrethohej nga dashuria dhe përkushtimi human.
Por ama, edhe ai na e kthente shumëfish dashurinë, sidomos Fiqos, që e njihte për zot dhe prind! Natyrisht s’mund të komunikonte, por sytë dhe gjestet, flisnin sa dhjetë gjuhë! Kur ndokush zinte shtratin dhe rënkonte nga zori, “Tarti” shtrihej përfund jatakut dhe vigjilonte e do kuiste vajtueshëm për ndihmë, kur ishte rëndë, apo do lehte hareshëm, kur shihte përmirësim.
Bashkëjetesa me të dënuarit, qysh se hapi sytë, kish stimuluar te ai instinktin e vetëmbrojtjes dhe të kundërveprimit. Dallonte që tej policin agresiv, nga ai paqësor, siç pikaste kapadainjtë e kapardisur që ndëshkonin për teka, nga ata që zbatonin ligjin. Kur hynte në kamp Xhevdet Balla apo Preng Rrapi, ai do fshihej nën shtretër apo gjetkë, ku të mundte dhe do t’i ndiqte me sy dyshimtar. Pastaj, o do strukej më thellë, në varësi të rrethanave, o do t’iu ndukte këmbët dhe do t’i kafshonte ku mundte.
Kur në kamp apo në zonën minerare hynin dy Markët, “Mustakuqi” apo “Gjiganti”, do t’iu avitej dhe do t’iu fërkohej pas çizmeve. Veç ushtarakëve, “Tarti” bënte dallim edhe mes të dënuarve. S’thashë kot se ishte tepër inteligjent. E kishte grurë me të tërë, veç pak spiunëve qe ndonëse s’i sulmonte, s’iu afrohej as kur e ndillnin për të luajtur, as kur i hidhnin ushqim, përkundrazi, s’ua hidhte fare sytë dhe largohej indiferent.
Kur ndodhte të lidhnin ndonjërin pas shtyllës, “Tarti” i qasej tinës, në pamundësi të zgjidhte telin, i lëpinte gishtat si të shprehte solidaritetin në mënyrën e vet. Dhe kur përfundonin në birucë, zvarritej nën telat e rrethimit, i avitej derës dhe gërvishte llamarinën me putra, si për t’iu thënë: “S’ju lë vetëm! Jam këtu të bëj çmos, për t’iu lehtësuar ndëshkimin”!
Dhe bënte korrierin, sapo nderte tisin nata, gjersa ndrinte agu. “Tarti” vente e vinte, nga kapanoni në dhomat e izolimit, zvarritej rrëkesë së Ulsi Pashollarit, kur shqeu dyert e qelive dhe iu çonte të ndaluarve ndonjë strajcë ushqim, për të vrarë urinë, ndonjë batanije apo tesha, për t’i mbijetuar acarit spaçian.
Kësisoj “Tarti” fitoi statusin e “politikanit” dhe të “armikut të partisë”! Të paktën me këtë sy e shihnin ushtarakët, që s’e honepsnin pa e ditur ç’luhej në prapaskenë, pale të pikasnin veprimtarinë “armiqësore”, do ta kishin pushkatuar, që para revoltës!
Mëngjesin 21 majit, “Tarti” ishte krah Pal Zefit dhe ballë policëve. Mbase nuhati me intuitë, se do ngjiste diç e veçantë, ndaj dha kushtrimin me angullima. Kur policët mësynë Palin, ai u vërsul i tërbuar dhe i xhallaviti me dhëmbë nga duart e kërcinjtë, duke u bërë barrierë e pakalueshme. Gjatë përleshjes, qe më aktivi, u grisi teshat, i gjakosi dhe ua shqeu kapelat retra-retra.
E vetmja ditë që braktisi detyrën, që nuk shoqëroi as turnin e parë, as të dytin, në dalje apo hyrje, por zuri zgripin e tarracës dhe vrojtonte brenda e jashtë kampit, si roje vigjilent. Pastaj gjer kur Revolta u shtyp, ndihu miqtë dhe veprimtarinë “armiqësore” ndaj regjimit, e pagoi me jetë, u rendit “martiri i pestë”, në piedestal!
Mëngjes pa bilbila dhe pa tellall
S’di sa mund të kishte shkuar ora, kur më doli gjumi, për herë të parë pas pesë vjetësh, që s’më zgjuan bilbilat e policëve dhe zgurra e Malos. Nën shkallët e dusheve, hasa Zef Ashtën dhe Kolën nga Malësia e Madhe.
“Si keni ndje burra”? – i përshëndeta në dialekt.
“Paj, ka dashtë Zoti, si n’liri”! – ma ktheu plaku mustaqepërdredhur – “Kam tash tridhjetë vjet, që s’ndihem kësisoj”! – Zefi më blatoi një buzëqeshje atërore. – “Kush e ka humb, ia din vlerën Lirisë! S’ka gja ma t’bukur, me e gzue qoftë edhe dy ditë! Kena tash tri dekada skllav, të ndrym mes telave me gjemba, nën kërbaçin e policëve xhahilë, të regjimit mizor”.
Kur po ndaheshim më shkuan sytë instinktivisht në katit e tretë mungonte Flamuri!
“O Zot, e paskan rrëmbyer”?! – s’di ç’ngjyrë do kem marrë nga tronditja.
“S’e grabiti kush o bir, e hoqëm vetë”! – ma ktheu Zefi i qetë.
“Si ta kuptoj; ‘E hoqëm vetë’?, kur vetë e ngritëm”? – iu shkreha i nervozuar.
“Bir, ngritja e Flamurit, asht detyrë patriotike, ruajta asht sakrificë! Të parën e kryem me nder, të dytën do t’ia lamë kohës”.
“S’kena si me e rujt Bajrakun, duar thatë”? – ndërhyri tjetri, duke tundur duart në hava.
“Ka hak Kola! – pohoi Zefi dhe shtoi: – Jena përballë makinerisë ushtarake të regjimit të pabesë, që janë kail me na shue gjer tek i fundit. E pra, e kena të humbur davanë, veç me duar dhe me zemra, gjithsesi e bamë detyrën, iu treguam katilëve, se Liria rron edhe mes telave, se atdhetarizmi asht në anën tonë dhe tradhtia, në krahun e tyne. Po dorëzojmë vetveten, por jo simbolin.
Ushtrisë që i rrëmbejnë Flamurin, e ka humbur betejën! E ke ndi besoj, kur bije flamurtari, rendin dhjete me e zëvendësua? E pra, qindra dëshmorë bien në betejë, për me e ruajt pa prekun! Por s’jena në kushte barazie, ndaj lipset me e mbrojt, me çu mjet! Kësisoj dolëm në përfundim se; o duhet me e lshue, o me e shpëtue”!
“Domethënë e hoqën me mirëkuptim”? – e ndërpreva i paduruar.
“Jo veç me mirëkuptim, por edhe me vendim, or bir”!
“Cili e hoqi”?
“Meqë bezja u gjet në shtratin e Rexhep Lazrit, e hoqi ai”! – hodhi ca çapa dhe u kthye sërish: – “Hap sytë, mos u përziej se edhe pak burg ka mbetur” – dhe ndoqi tjetrin.
Sapo u shkëputa prej tyre, ndesha Zaken, syskuqur nga pagjumësia. “Paske logoritur me lot gjaku, o Riza bej Kamenica”! – e nguca si përherë.
“Leri shakatë bre djalkë, se na kanë rënë halle të rënda! Ti si më je, bre”? “I turbullt fare”!
“Hap sytë xhan i Zakes, mos u përziej… se edhe dy muaj të kanë mbetur”!
“Po ju, pse më drejtoheni të gjithë me këtë gjuhë”?!
“Mirë bëjmë bre, ti je djalë i ri dhe duhet të lironesh, pa neve na mori peropia”!
“Si do t’i vejë filli kësaj pune, Zake”?
“Më keq se ç’jemi, ku do vemi! Po ti mos u përziej…se edhe dy muaj të kanë mbetur”! – përsëriti.
“S’më the ç’ndodhi, gjatë orëve që isha duke fjetur”?
“Ore, s’marrke pyka ti! Të thashë, mos u përzie, se edhe dy muaj të kanë mbetur bre”! – “Të lutem, shuama kuriozitetin”!
“Mirë mo, mirë! U mblodh Këshilli Ndërkrahinor në mensë dhe morën ca vendime me peshë…”! – “Për shembull”?
“O-hu-a, ik ce, s’janë për tyja këto punë bre”! – dhe mori të përpjetën. – “S’iu përgjigje pyetjes, or mik”? Ndali në shkallaren e mesit dhe më hëngri me sy.
“Po ja, morën vendim të hiqnin Flamurin, për ta ruajtur nga xhelatët, përpunuan platformën dhe përpiluan një promemorie, me ca kërkesa që do t’ia parashtrojnë qeverisë”.
“Për kur bëhet llaf”?
“O-hu-a, pse ore unë e kam në dorë”!? – hodhi ca hapa dhe shtoi: “Ik rre djalkë, ce s’janë për tyja këto punë”! – dhe iu drejtua kapanonit “L”. Karakolli nën banja, ish mbushur plotë me ushtarë, ca me automatikë, ca mbanin mitraloz të lehtë, kurse të tjerët, baritnin përfund monopatit që shikonte rrethimin, për në shpatin përballë. Na e kallte datën ajo prani ushtarakësh të armatosur deri në dhëmbë, mbase edhe projektuesit e këtij skenari, i kishin pozicionuar kësisoj për këtë qëllim.
Por për forcë zakoni, u ktheva te lekani i kuqërremtë, nga sulina pikonte ndryshk si gjak. “S’dihet sa viktima do kenë hedhur në depozitë”?
“Si the”?
“Hiç!”
U ktheva majtas-djathtas të shihja me kë kisha folur, isha vetëm. Duket truri kish pësuar skizmë! “Mblidh mendtë bir, se kokërr gruri është, fluturon fiu dhe…”! Iu largova lekanit dhe iu drejtova kuzhinës private, në vatrat e së cilës diç po gatuanin katër-pesë vetë. I përshëndeta pa u përqendruar dhe iu drejtova vatrës së fundit, ku po gatuante Tomor Balliu.
“Ç’po na bën, o Tomçe”? – e pyeta për adet.
“Një kaçamak misri, se siç duken bathët, s’ka për të na zënë dhëmbi bukë”! Aroma e kuzhinës më stimuloi urinë.
“Vonohet shumë”? – po më gërryenin zorrët.
“Do edhe nja dy orë të ziejë”, – avulli erëkëndshëm gufoi nga vrima që shpoi ai me lugën e drurit dhe më xixëlloi hundët.
“Hajt prit edhe dy orë, o qyq”! – qava veten.
“Merri të thyesh urine”! – Sherif Allamani më zgjati dy fije petulla nga vatra përkarshi.
“Të falem nderit”! – i ndava përgjysmë dhe i gllabërova me katër kafshata, por ishin të nxehta dhe më përvëluan.
“Avash, or cull dhe ruhu se edhe pak të ka mbetur” – mbas këshillës, u largua me tasin në një dorë dhe në tjetrën tiganin.
Sherif Allamanin nga Mati, e pata shok krahu për gati dy vjet, në kapanonin mbi abis. Edhe pse kohët e fundit shiheshim rrallë, sepse flinin në dhoma të ndryshme, e ruanim miqësinë dhe respektin.
“Vini re! Vini re”, kuisi si qen i rrahur, hinka në shtyllë.
“Ika të shoh ç’po ndodh”! Pa hedhur hapin, Tomorin më këshilloi:
“Byrazer, dëgjoji miqtë që të duan të mirën dhe hap sytë se edhe pak të ka mbetur”!
“Vini re! Vini re”, tashmë kriq-friqet të çirrnin veshët.
Mësyva sheshin qendror dhe hyra mes turmës.
“Vini re! Vini re”, ushtoi sërish megafoni dhe të gjithë ngritën kryet.
Ballë kuzhinës kolektive, iu bashkova Muharrem Dylit, Pavllo Lakos, Rustem Gojkës, Tomor Allajbeut, Krenar Kajos dhe Ali Hoxhallarit.
“Ç’po ndodh”? – pyeta me një frymë patriotët.
“Pritet takimi mes përfaqësisë sonë dhe autoriteteve”, – ma ktheu Muharremi.
“Mos po i çojmë si cjapi te kasapi”? – kjo dilemë më brente prej dy ditësh.
“S’i detyroi kush, o bir? Të gjithë dolën vullnetarë, këtyre iu ra në hise”! – me ç’duket xha Rustemi ishte i mirë informuar.
“Komunistët janë të pabesë, druhem mos i mashtrojnë dhe i ekzekutojnë”!
“Kush do t’i pengonte të na masakronin edhe këtu ku jemi? Por i druhen reagimit të brendshëm, sidomos opinionit të jashtëm, ndaj synojnë të na ndajnë fije-fije, që të na nënshtrojnë më lehtë”.
“Tash, me ç’dukej, po përditësohej profecia e doktor Astritit: “Me sa i njoh, komunistët do bëjnë namin”!
“Ama kjo ngjarje, duhej të ndodhte medoemos, për t’i rrëfyer botës, se liria nuk vdes edhe pse lëngon prej tridhjetë vjetësh, nën dhunën me të egër që ka njohur njerëzimi! Historia kombëtare do pasurohet me një fakt unik, që do t’i japë efektet prapa, do tronditë themelet e regjimit dhe do afrojë fundin e tij”!
I kish rënë në të doktori! Revolta u shndërrua në kryengritje dhe tashmë jehona e saj, i kaptoi gjerdhet gjembaçë të burgjeve politikë dhe mbërriti në qeveri, mbase do t’iu gërvishtë veshët të mëdhenjve në skajet e kontinenteve, që të dëgjojnë klithmat dhe aktet e popullit të shumëvuajtur. Kësisoj të lidhurit me pranga e zinxhirë, po realizonin aspiratën e mbi dy milion të lirëve!
Ngjarja precipitoi shpejt dhe i kapi të papërgatitur qeveritarët që sollën disa mijëra ushtarë përgjatë natës dhe rrethuan kodrat e Gurth-Spaçit, gjer në kojkën më të lartë, ndërkaq nisën zëvendësministrin e Brendshëm, që të qetësonte gjendjen ose, të vinte situatën nën kontroll. Hera e parë në tridhjetë vjet, që regjimi ulte hundën dhe pranonte bisedime me të dënuarit politikë, paçka sa produktive do të ishin. Po trokiste momenti i ballafaqimit të lirisë me krimin!
Sakaq turma e dënuarve u ça në dysh, duke formuar një shteg në të cilin parakaluan Paulin Vata, Hajri Pashai dhe Nuri Stepa. Dërgata kaptoi portën e llamarintë, kurse matanë telave gjembaçë, prisnin një grup ushtarakësh, të prirë nga zëvendësministri i Brendshëm, Feçorr Shehu, siç dëgjova të thoshin.
Pompoziteti dhe arroganca e tyre, të ngjethte mishtë, ndërsa prezenca e mijëra ushtarëve, me tyta drejtuar mbi shtatëqind të çarmatosur paqësor, të kallnin datën. Një angështi e paprovuar më drodhi zemrën dhe luta me shpirt: “Mbroji o Zot, miqtë tanë”! Pa zënë dërgata kreun e shkallëve, zëvendësministri u shkreh:
“Ç’e patët atë rreckë në majë të pallatit”?
“Flamurin e Ismail Qemalit”! – ia ktheu Nuri Stepa me një frymë.
“Po atë sorrë në mes”? – qesëndisi ofiqari.
“Shqipja dykrenore e Skënderbeut”! – ia pati Paulin Vata.
“Do ta zhdukim atë shkarravinë, nga faqja e dheut”! – ulëriu zëvendësministri.
“Jo zotëri, ajo është në vendin e vet dhe mes njerëzve të duhur”! – ia preu Hajro Pashai.
“Kush qenka ky vend dhe cilët jeni ju”?
“Vendi quhet katakombet spaçiane, ndërsa ne, të dënuarit e ndërgjegjes”! – duket ironia ngjiti sepse, paskëtaj sundoi një heshtje varri, sa ndiheshin edhe gër-fërret e astmatikëve. Ne prisnin çdo ndodhte më tej, teksa ushtarakët e humbën toruan. Memorie.al
Nga Shkëlqim Abazi
Komentet