Kohët e fundit, Kryeministri Rama nuk po le rast, përfshirë dhe dialogjet në rrethe, të cilat në fakt janë kthyer në monologë partiakë pa akuzuar dhe fyer rëndë liderët dhe opozitën shqiptare, një pjesë të madhe të medias, shoqërisë civile dhe të tjerë; sipas tij, këta derdhin llum e baltë brenda por dhe jashtë vendit në gjuhë të huaj! Ai e quan blasfemi të rëndë kur kushdo prej nesh, ca më tepër opozita dhe media tregon të vërtetën dhe realitetet, natyrisht sipas këndvështrimit të tyre te të huajt.
Në fakt, kjo qasje është tipike moniste, populiste dhe demagogjike, shumë larg të vërtetës, e cila nuk është ” pronë ” e askujt.
Kulmi i këtyre sharjeve, mallkimeve dhe insinuatave ndaj opozitës arriti me rastin e protestës së saj paqësore më 6 Dhjetor, ditën kur në Tiranë mbahej Samiti i parë BE-Balkani Perendimor. U desh ndërhyrja e BE-së, e cila e quajti normale dhe demokratike atë manifestim që të ndërpritej tirada e sulmeve dhe aludimeve të paprincipta ndaj opozitës. Dhe kur erdhi puna, ishte sulmi me grushte në mes të bulevardit i një të inkriminuari të infiltruar ndaj liderit të opozitës që u bë kryelajmi mediatik ndërkombëtar, duke ” vjedhur” suksesin/imazhin e vetë Samitit!
Por, më mirë le ta shohim nga afër tezën e mësipërme, e cila paraqet rrezikshmëri për demokracinë tonë të brishtë, pluralizmin dhe shtetin e të drejtës. Ca më tepër kur Kryeministri Rama kërkon ” qilizëm”, duke folur për një farë të keqe që na ka mbirë qysh nga viti 1912 dhe, sipas kësaj logjike, mbetet vetëm që ajo të penalizohet; natyrisht jo si në monizëm, por aty afër.
Së pari, nuk është e qartë se çkuptohet me kategorinë ” Të Huaj” pra, cilët janë të Huaj. Së kështu, ”en block” nuk mund të qëndrojë, mbasi na kujton sërish kohën e monizmit, kur me përjashtim të grupeve m-l dhe dashamirësve të shoqatave të miqësisë, të huajt e tjerë “futeshin në një thes” si spiunë, të degjeneruar, tradhtarë, dashakeqas, etj. Mirëpo, tani koncepti dhe dukuria me të Huajt është tërësisht e ndryshme, e tillë duhet të jetë dhe qasja ndaj tyre, pluraliste, në diversitet mendimi.
Në fakt, të Huajt janë njerëzit që jetojnë kudo në botë, duke filluar nga shtetet europiane, antarë të BE-së, NATO-s, OSBE-së, KiE-së, etj, ku me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë ka demokraci dhe shtet të së drejtës. Ata janë pjesë e formacioneve partiake të majta, të djathta, gjelbëra, etj. Pra të Huajt në këtë rast janë aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, kryesorë, besnikë në çdo fushë të jetës kudo.
Por, kujdes, se këta të Huaj, përfaqësuesit e tyre diplomatikë, ekonomikë, ushtarakë, të shtypit, etj nuk janë jashtë planetit, ata i kemi dhe në Tiranë me shumicë, veç delegacioneve dhe misioneve të përditshme që vijnë nga çdo anë e botës. Po ashtu, këta të Huaj i kemi dhe në rrjetet sociale, në internet, duke shuar kufijtë ndërmjet vendeve si një fshat i madh global.
Kategoria tjetër e rëndësishme e të Huajve janë dhe bashkëatdhetarët tanë me leje qëndrimi të rregullt dhe që janë natyralizuar si të huaj. Nuk janë pak, me 57 për qind të shtetasve tanë banues jashtë vendit zemë vendin e tretë në botë.
Mirëpo, ata janë në punë dhe detyra të ndryshme, në zyra, parlamente e deri në institucionet Euro-Atlantike, me burime të shumta informacioni.
Tani që kemi një tabllo të qartë të të Huajve, le ta theksojmë se në komunikimin me ta, kudo, në të gjitha vendet që u përmendën më lart, pa fshehur të vërtetat, sado të dhimbëshme kërkohet kujdes, etikë, kulturë, objektivitet dhe respekt për vendin dhe imazhin e tij.
Të mos harrojmë se të gjithë ne të tjerët dhe opozitarët, kur shkojmë jashtë ose kur presim dhe shoqërojmë të huajt brenda vendit jemi diplomatë publikë, qytetarë dhe kulturorë; ndaj fjala dhe puna jonë peshon shumë në imazhin e vendit.
Tani le të vijmë te pyetja tjetër se cila dhe ku është Llumi dhe Balta që derdhet jashtë ndaj Atdheut. Nëse llum dhe baltë janë shpifjet, akuzat e pabazuara, sulmet ndaj vendit dhe qeverisë, kjo natyrisht është e qortueshme dhe e dënueshme. Të gjithë, sidomos aktorët politikë, mediatikë dhe publikë duhet të bëjnë maksimumin që me qëndrimet e tyre t’i afrohen sa më shumë të vërtetës, pa sharje dhe ofendime, pa ekstremizma, pa e nxirrë dhe pa i idealizuar realitetet tona, pa eufori dhe pompë.
Mirëpo problemi ëshë se ndryshe nga sa pretendon Rama, i cili pse të mos e themi po flet gjithmonë e më shumë si pamfletist dhe polemist dhe jo si Kryeministër apo Kryetar i PS-së, liderët dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës jashtë vendit, në shqip dhe në gjuhë të huaja shprehin realitetet tona të mira dhe ato negative; këto të fundit, në vend që të pakësohen po shtohen progresivisht; e megjithatë, kjo mazhorancë me 10 vjet në pushtet konsideron pa argumenta opozitën si shkaktare të skandaleve dhe dështimeve të saj!
Rrjedhimisht, të tregosh jashtë vendit, jo në rrugë natyrisht, por në forume ndërkombëtare, në takime me homologët partiakë, në intervista dhe deklarata partiake aferat dhe skandalet qeveritare, dështimet, korrupsionin dhe krimin e organizuar, që nuk ka ” zot” t’i fshehë dhe mbulojë, këto nuk janë ”llum dhe baltë”; ndaj dhe nuk e dëmtojnë, por e përmirësojnë imazhin e vendit, sepse dëshmojnë se ka forca progresive me alternativa qeverisëse, pra ka shpresë për më mirë.
Veç kësaj, këtu nuk po “spiunojmë” si më parë, por po qajmë hallet me aleatët tanë, siç bën çdo opozitë dhe në vendet më të përparuara si në SHBA, Gjermani e Francë; vetëm kështu mund të diagostikojmë sëmundjet dhe t’i kurojmë ato. Të përmendësh jashtë, ca më tepër kur brenda vendit nuk të dëgjon njeri dhe të kërkosh ndërhyrjen e BE-së etj për inceneratorët, Portin e Durrësit, tani së fundi shkatërrimin banditesk të “Prestige Resort”, me sjellje të një shteti policor dhe jo ligjor dhe shumë afera të tjera, kjo është detyrë pattiotike dhe demokratike e opozitës, medias, shoqërisë civile, etj. Edhe pse vetë Rama para disa muajve i quante akuzat për inceneratorët ”llumë e baltë”, shihni tani se si u prenë një e nga një fletë-arrestet për to, ndonëse ato duhet të shkonin shumë më lart!
Tani, se Kryeministri i një vendi, pa dhënë asnjë shpjegim me fakte dhe argumenta i etiketon si llumë dhe baltë këto të vërteta, apo dhe dhe perceptime të gjera publike të ndryshme nga të vërtetat virtuale propagandistike, këtu fajin nuk e ka askush tjetër veç qeveritarëve tanë dhe atyre që u ”mbajnë ison”, qofshin këta dhe ambasadorë e kancelari të huaja! Ca më keq kur opozita dhe ekspertë të saj e të pavarur jep çdo dite fakte të shumta zyrtare dhe ti prapë nuk lëviz asnjë centim nga ” llogorja” , i trembur nga balta dhe llumi që ke në kokën tënde kjo është gjë tjetër. Kur dalin 100.000 vetë në shesh për protesta fare paqësore sa dhe në SHBA do t’i kishin zili dhe ti thua se nuk dua t’ia di, le te vazhdojnë, kur në vende të tjera dhe 1000 vetë kur dalin në shesh mblidhet qeveria, sërish këtu nuk është faji i opozitës.
Për të mos thënë pastaj, se “llumë dhe baltë” ndoshta dhe më shumë ishin dy fjalimet e Kryeministrit Rama në Kuvend më 9 dhe 23 Nëntor, ku përdori fjalët dhe frazat më vullgare dhe banale për të demonizuar opozitën dhe deputetët e sa! Atëhere, çfarë mendojnë jashtë kur lexojnë, shohin dhe dëgjojnë të tilla sharje dhe etiketime nga Kryeministri i vendit, që dhe si specialist i kësaj fushe them se janë tejet të vështira për t’u përkthyer?
Sa për anglishten, gjemanishten, italishten, etj pas vitit 1990 ato nuk janë më të ndaluara dhe gjuhë të armikut; përkundrazi, me pasurinë e tyre ato i shërbejnë partneritetit, miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve. Ndaj sa më shumë të flasim anglisht, frëngjisht, gjermanisht me mentalitetin dhe higjienën perendimore, aq më pak llumë e baltë do të kemi, pra aq më mirë për ne!
Dhe kështu vijmë natyrshëm te çështja tjetër se përse na u turpëruaka Atdheu me këto prononcime opozitare, ku vetëm ” llumë e baltë” nuk ka? Në fund të fundit, a turpërohet vërtet Atdheu dhe Shqipëria se ua bëjmë të njohura këto probleme partnerëve dhe miqve tanë, të cilët gjatë 32 viteve të fundit, por dhe më parë na kanë kuptuar drejt dhe na janë ndodhur pranë në momentet më të vështira, si më 1990, 1997 e në vazhdim?
Kursesi, pastaj, Atdheu nuk ka të bëjë me politikat dhe interesat e çastit e të ditës; mbi të gjitha, Atdheu nuk është vetëm qeveria, Kryeministri, ai është shumë më i madh dhe më i gjerë. Imazhi i Atdheut tonë prishet kur flitet dhe shkruhet keq, kur mohohen historia, traditat, luftrat e tij, arti, kultura, muzika, doket dhe zakonet. Mirëpo kjo nuk ka të bëjë fare me ligjërimet e opozitarëve tanë, qoftë dhe të atij të shpallur non – grata.
Këtu del qëllimi i mprapsht që kërkon të njehsojë ekskluzivisht Atdheun, Shqipërinë me qeverinë, mazorancën dhe sidomos me Kryeministrin! Ky i fundit, i joshur nga elozhet, lëvdatat dhe ohsanatë servile, të cilat ”ngjajnë si dy pika uji” me ato që i thureshin dikur diktatorit kujton gabimisht se është gjithçka – Atdhe, Fe, Din, Iman, Perëndia mbi dhe! Dhëntë Zoti që kritikat dhe akuzat ndaj tij të mos i konsiderojë aq të rrezikshme për Atdheun, sa më vonë t’i ligjërojë si ” shpifje apo tradhti të lartë”.
Pastaj, në rast se opozita dhe media jonë do të thonë dhe japin vetëm fjalë dhe pamje të bukura plot stoli jashtë, vetëm me lajme të mira, po përfaqësitë diplomatike dhe të huajt e tjerë në vendin tonë dhe ata që na vëzhgojnë me ekspertë, think tanket e të tjerë, a nuk do të humbiste besueshmërinë politike opozita, si alternativa premtuese e të ardhmes?
Pastaj, a është e ndershme që të sillemi si ” mësalla me dy faqe” dmth ndryshe të flasim në Tiranë në shqip dhe ndryshe jashtë në gjuhë të huaj?
Ndaj, kujdes, të ndajmë “shapin nga sheqeri” e të mos ngatërrojme ”llumin e baltën” me kritikat dhe komentet mbi aspektet negative të vendit, të shoqëruara me alternativat përkatëse, gjë që opozita po e bën jo keq, pavarësisht nga mangësitë dhe vështirësitë e shumta me të cilat ajo përballet, duke përfshirë shpopullilin e vendit dhe prirjes për të ikur nga Atdheu.
Pas gati 10 vjet në opozitë, tejet e vështirë për të në një vend si Shqipëria. Ca më pak, shpallja non-grata dhe akuza të tjera absurde që qeveria po i përdor me tepër si koperturë dhe ”karta bianka” për të gjetur shesh dhe bërë përshesh”, për të mbuluar dhe justifikuar ”bëmat”, aferat dhe skandalet e padëgjuara më parë. Një ditë drejtësia do të veprojë, por përse duhen shtuar dëmet dhe pasojat, të cilat dhe kështu janë të pallogaritshme, sepse në fakt te ne nuk ka qeverisje, por sundim nga NJESHI! Të tjerat janë dekoracione dhe kozmetikë politike, ose praktikisht pesë me hiç!
Breh, breh, c’behet
Te shac kokeminisitrin tone te modh e te gjate qe na e ka zili dyrnjaja eshte mysybetllek.
Te shaje dikur shoqin Enver, te varnin prej gjuhe.